Vinca: Demaçi nuk bëri 28 vjet burg për të qenë “ni zo” e as “nji zâ”, por ZËRI i vërtetë, I LIRË

Agim Vinca

Ekspozitën e Adem Demaçit në Muzeun e Kosovës e kanë përgatitur familjarët e tij. Mirëpo Adem Demaçi, sikurse edhe personalitetet e tjera të mëdha të historisë dhe kulturës kombëtare, nuk i takon vetëm familjes së vet, por mbarë kombit shqiptar.

Shkruan: Agim Vinca

Kështu shkruan në hyrje të sallës në të cilën më 28 nëntor të këtij viti u hap ekspozita me sendet personale të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçit.

Është mirë që edhe në këto ditë zie për shqiptarët, kujtohet e nderohet Njeriu që tërë jetën ia fali Kombit të vet, qoftë edhe me një ekspozitë modeste.

Nuk po flas për ekspozitën në përgjithësi, e cila lë për të dëshiruar, por për titullin e saj, që është jo vetëm i paqëlluar, por edhe paradoksal.

 “NI ZO I LIRË”!

Ky titull, që është një përzierje e zhargonit popullor me gjuhën e adoleshentëve tanë, e paraqet Adem Demaçin jo si një figurë të madhe unifikuese të Kombit, por si një patriot lokal.

Adem Demaçi nuk bëri 28 vjet burg për të qenë “ni zo” e as “nji zâ”, por ZËRI i vërtetë, I LIRË, përbashkues e vizionar i të gjithë shqiptarëve, kudo që janë.

Ai ishte Zëri që guxoi të thoshte gjashtëdhjetë e sa vjet më parë se “nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës, atëherë nuk do të ketë paqe  në Ballkan, në Jugosllavi e as në Serbi”.

 Vetëdija e tij ishte vetëdije mbarëkombëtare, e jo shprehje e ndarjeve politike të tokës së copëtuar shqiptare.

Adem Demaçi ishte mbështetës i madh i gjuhës së përbashkët letrare shqipe, të cilën e fliste dhe e shkruante për mrekulli.

Ndër punët e para që bëri pas daljes nga burgu në vitin 1990, ishte kthimi në gjuhën standarde i kryeveprës së tij, romanit “Gjarpijt e gjakut”, i cili në botimin e rishikuar tridhjetë e sa vjet pas botimit të parë (1958), do të mbajë titullin: “Gjarpinjtë e gjakut”.

Në shënimin e vënë në fund të veprës, autori thekson se ky është “versioni autentik i tekstit të romanit”.

Të gjitha veprat që shkroi e botoi më vonë: nga “Libër për Vetmohimin” (1994) deri te “Alb Prometeu” (2012), i shkroi në gjuhën e njësuar shqipe, duke ruajtur aty-këtu vetëm ndonjë trajtë dialektore për ngjyrim ambiental.

Njeriu që në vitin 1958 themeloi organizatën politike me emrin Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), kurse në gjyq mbrojti fuqishëm idenë e bashkimit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi me shtetin amë, Shqipërinë, nuk mund të shenjohet në vitin 2019 me sloganin arkaik, që i vjen era myk: “Ni zo i lirë”!

Adem Demaçi nuk është: “Ni zo i lirë”, por NJË ZË I LIRË!, më i liri, më i artikuluari dhe më vizionari ndër shqiptarë për gati një shekull të tërë.

Ç’është ky “zo”, që krejt ndryshe nga Adem Demaçi dhe dishepujt e tij, i kthen prapa shqiptarët, ”në kohën e baba Qemos” dhe e cenon tiparin themelor të identitetit të tyre, gjuhën shqipe?

Nuk besoj se është bërë në shenjë solidarizimi me të ashtuquajturin “identitet i ri”, siç do të dëshironin disa individë dhe grupe të caktuara, por besoj nga nguti dhe pakujdesia.

Jam i bindur se po të ishtë gjallë Baca Adem, me gjithë zemërgjerësinë që e karakterizonte, nuk do të pajtohej që ekspozita e tij të pagëzohej ndryshe, pos në gjuhën letrare kombëtare.

Nga ekspozita shihet se “Baca” edhe letrat familjare i shkruante në gjuhën letrare. “E dashur motër” – shkruan ai në letrat dërguar të motrës nga burgu, ndërsa në ballë të ekspozitës qëndron trajta e shtirë: “NI ZO I LIRË”!

Ditën që me një mikun tim, ish-i burgosur politik dhe bashkëveprimtar i Bacës Adem, e vizitova ekspozitën në fjalë, kishin ardhur në vizitë një grup nxënësish nga Ferizaj me arsimtarin e tyre kujdestar. Mund ta merrni me mend se ç’efekt bën në sytë e shkollarëve dhe ç’konfuzion krijon në mendjet e tyre pëlhura me shkronjat: “NI ZO I LIRË”!

Përse kjo gjuhë portalesh në një institucion serioz si Muzeu i Kosovës dhe, për më keq, nën firmën e “bacës Adem”?

Adem Demaçi nuk është figurë lokale, por personalitet i përmasave të mëdha, kombëtare e ndërkombëtare, prandaj ai nuk mund të nderohet me gjuhë të stërkequr, që nuk është, madje, as gegërishtja letrare e kohës kur doli në skenë ai.

Ekspozitën e Adem Demaçit në Muzeun e Kosovës e kanë përgatitur familjarët e tij. Mirëpo Adem Demaçi, sikurse edhe personalitetet e tjera të mëdha të historisë dhe kulturës kombëtare, nuk i takon vetëm familjes së vet, por mbarë kombit shqiptar. Prandaj, për trashëgiminë e Adem Demaçit duhet të kujdeset një ekip a institucion i përbërë nga njerëz kompetentë, që e njohin mirë jetën dhe veprimtarinë e tij, në  radhët e të cilëve duhet të ketë bashkëluftëtarë dhe bashkëvuajtës të tij (nga ata që janë gjallë), por edhe historianë, politikologë, sociologë, filozofë, juristë e të tjerë, pa harruar kurrsesi as studiuesit e gjuhës dhe të letërsisë shqipe./ ObserverKult