Vinca: Një xhevahir në gjerdanin e poezisë shqipe

xhevahir spahiu
Xhevahir Spahiu

Nga Agim Vinca

Ftesa për të mbajtur një fjalë për laureatin e sivjetëm të Çmimit “Teuta”, poetin e shquar Xhevahir Spahiu, më erdhi në një moment delikat: në ditët kur humba një nga njerëzit e mi të dashur, nipin tim Fisnik Vinca. Nuk do të vlente të përmendej mbase ky rast familjar, po qe se njeriu për të cilin bëhet fjalë, krahas vlerave njerëzore, nuk do të kishte edhe një tipar tjetër, me rëndësi për këtë rast: ishte adhurues i poezisë.

Edhe pse jurist me diplomë, kurse hoteljer me profesion, im nip, ishte adhurues i madh i poezisë në përgjithësi dhe i poezisë së Xhevahir Spahiut në veçanti.

Dinte përmendsh shumë vargje të këtij poeti, të cilin kishte pasur rast ta njihte edhe personalisht dhe ta priste me dashuri, si shumë të tjerë, në “qytetin e poezisë”, në Strugë.

Një nga poezitë e tij të preferuara, krahas shumë të tjerave, ishte vjersha me titull Histori nga libri Vdekje perëndive (1977), në të cilën thuhet: “Gjaku pikoi e hodhi rrënjë në gurë,/ Gjakun prej shpatave e fshimë me shajak,/ Kur s’patëm armë/ Ne prej trupit shkulëm,/ Njërën nga brinjët dhe e bëmë shpatë”.

Ia kishte recituar poetit që në takimin e parë dhe Xhevoja kishte reaguar në mënyrën e tij: me një përqafim vëllazëror dhe me dhurimin e një libri.

Në këtë botë, ku, si thotë poetesha e famshme polake, Visllava Shimborska, dy në një mijë lexojnë poezi, takimi me një njeri që t’i reciton vargjet aty ku s’e pret, pra jo në shkollë e fakultet, por në një restorant, është një befasi e rrallë.

I tillë ishte momenti, konteksti në të cilin organizatorja e këtij festivali, Jeta Beqiri, më mori në telefon dhe kërkoi nga unë që të flisja në mbrëmjen e parë të këtij takimi tashmë tradicional, që këtë vit po mbahet në kushtet e pandemisë.

Jeta, të dashur miq, me e pa koronë, na vë shpesh para sprovash të papritura. Rrjedhimisht, ajo që sapo thashë për atë që e quajta “kontekst emocional”, nuk është e tëra.

Kah mesi i këtij muaji dhe pikërisht më 15 tetor, në Tiranë, ndodhi edhe një e papritur: vdiq njeriu emri i të cilit lidhet pashmangshëm me atë të krijuesit që i kushtohet ky event, të Xhevahir Spahiut: studiuesi Nuri Dragoi. E ritheksoj se pa emrin e këtij njeriu nuk mund të flitet për Xhevahir Spahiun si njeri dhe poet, jo pse i ndjeri, që e rrëmbeu murtaja e kohës sonë, kovidi, ishte një nga miqtë më të mirë të Xhevahirit, krahas Pano Taçit, Moikom Zeqos, Fisnik Sinës e Spiro Dedes, por për shkak se Nuri Dragoi, me origjinë nga Përmeti, është autor i një libri shumë të rëndësishëm për poetin e lindur rrëzë Tomorrit, autor i librit: Xhevahir Spahiu, sfidat e poetit, botuar në vitin 2012, në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Libri në fjalë, me mbi 400 faqe, është një biografi e letrarizuar për jetën dhe veprën e Xhevahir Spahiut; prej këtij libri mësojmë shumë, nga dora e parë, për rrethanat në të cilat lindi dhe u formua njëri nga poetët më të talentuar dhe më origjinalë të poezisë shqipe: Xhevahir Spahiu.

Autori i këtyre rreshtave ka pasur kënaqësinë të jetë pjesë e këtij libri, nëpërmjet kujtimeve që kam evokuar për njohjen me poetin, por edhe vlerësimit për poezinë e tij dhe jo vetëm aq. Kam marrë pjesë edhe në promovimin e librit në Tiranë, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i së cilës (nga viti 2008) është edhe poeti Xhevahir Spahiu dhe kam mbajtur një fjalë me atë rast.

Libri Xhevahir Spahiu, sfidat e poetit, e ndjek hap pas hapi itinerarin krijues dhe jetësor të Xhevahir Spahiut nga fillimi i viteve ’70, kur poeti del në skenë (libri i tij i parë, Mëngjes sirenash, u botua pikërisht në vitin 1970) e deri në vitin  kur u botua (2012). Vend të konsiderueshëm në këtë libër zë rrëfimi për telashet që ka pasur poeti me pushtetin e kohës për shkak të natyrës së tij jokonformiste dhe të poezisë së tij kryengritëse.

Ja si e karakterizon temperamentin krijues të këtij poeti, studiuesi Jorgo Bulo: “Xhevahir Spahiu i përket çetës së rebeluar të poetëve (Genus Irritabile Vatum), siç thoshte Horaci. Përjetësisht rebel dhe i zemëruar; i zemëruar me padrejtësitë shoqërore dhe kombëtare; i zemëruar me fatin e popullit të vet dhe me vonesat e tij historike, me diktaturat dhe diktatorët, me amoralitetin e politikanëve dhe me veset e cenet morale të njeriut”.

Botëkuptimi dhe ndjeshmëria e përcaktojnë rëndom edhe stilin e një poeti. Qëndrimi kritik ndaj jetës dhe mospajtimi me të keqen, kanë diktuar ritmin dinamik të poezisë së Xhevahir Spahiut, tonin e saj herë-herë polemik dhe fjalorin ekspresiv.

Aleksandër Zoto, i cili ka përkthyer dy libra me poezi të Xhevahir Spahiut në frëngjisht, shkruan: “(Spahiu) shquhet për një art origjinal të ‘poezisë që godet’; ka një gjallëri të madhe shprehëse; shfaqet si shprehja më elokuente e lakonizmit”.

Xhevahir Spahiu është autor i një duzine librash me poezi, por edhe i disa veprave për fëmijë. Duke punuar një kohë të gjatë si gazetar, ai ka botuar, pos shkrimeve të shumta në gazetë, edhe dy libra me reportazhe: Dyer e zemra të hapura dhe Bashkëkohësit.

Sikurse Kadareja, Agolli, Arapi e të tjerë, Spahiu është jo vetëm poet brilant, por edhe përkthyes i shkëlqyer i poezisë. Është interesant të theksohet fakti se në takime me kolegë të penës, më shumë flet (fliste) për shqipërimet sesa për krijimtarinë origjinale (flas nga përvoja personale). Poema Zotit e Zef Serembes, e shkruar në italisht dhe poezia Fatalistët e poetit grek Kosta Varnalis janë dy përkthime model, që mund të krahasohen me Korbin e Nolit, Mbretin e Tules të Mjedës dhe Punëtorët e avlëmëndit të Lame Kodrës, përkatësisht të Posë, Gëtes dhe Hajnes…

Kurdo që është përkthyer në gjuhë të tjera (ndonëse jo aq sa meriton) është mirëpritur nga lexuesit dhe kritika. Një poet i njohur i një vendi fqinj (Ante Popovski), e quajti “një nga poetët më të mirë të Ballkanit”.

Xhevahir Spahiu është “poet i ngjyrave të forta”. Lirik, elegjiak, baladik, por edhe përqeshës, ironik e sarkastik. Të rrallë janë poetët që e përdorin me aq mjeshtëri kontrastin. Ka shumë poezi që ngrihen mbi këtë prosede, por po mjaftohemi me një nga më “të thjeshtat”: vjershën Vija të bardha. Vijat e bardha shprehin kufizimin. Ato kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe të veprimit. Sa më i rreptë sistemi (politik) dhe sa më konservatore shoqëria, aq më shumë vija të bardha. “Vija të bardha majtas/ Vija të bardha djathtas, /Vija të bardha mbrapa/ Vija të bardha përpara”.  (…) “Vija të bardha (që) ma nxitë jetën”, thotë poeti.

Xhevahir Spahiu është poet lirik dhe lakonik. Ndonëse ka shkruar edhe vjersha të gjata e poema, ai është mjeshtër i poezisë së shkurtër. Këto poezi i quan me një fjalë të krijuar nga ai vetë: Shkurtima. Ciklin e ligjëratave për poezinë e sotme shqipe në fakultet e filloja me një nga këto “shkurtima”. Duke dashur të zgjoj kureshtjen e studentëve dhe dashurinë e tyre për poezinë, u thosha: “Ja një poet që për historinë tonë kombëtare ka thënë me dy vargje më shumë se historianët me vëllime të tëra”.“Tehut të shpatës kemi ecur rrufé./ Pastaj shpata ka ecur mbi ne”. Dy vargje, gjithsej 11 fjalë, plus titulli: Historia jonë. “Tehut të shpatës kemi ecur rrufé./ Pastaj shpata ka ecur mbi ne”.Ritmi, rima, kadenca, gjithçka pret si shpatë. Fjala “shpatë” është bartëse e kuptimit. Është një poezi-sentencë, që me pak thotë shumë, sikurse edhe shumë poezi të tjera të këtij poeti. Shkurtimat e tij janë shkreptima ndjenje e mendimi: “Për popujt e vegjël/ ka fat apo s’ka?/ Hyjnë e dalin nga dyert/ e tragjedive të mëdha”.

Një nga perlat e Xhevahir Spahiut si poet është cikli: Migjeni flet. Në këtë cikël, që përbëhet nga pesë poezi, nëpërmjet “gojës” së “poetit të mjerimit”, si është quajtur Migjeni, poeti i flet kohës së vet.“Nuk është sëmundja që ma bren mushkërinë,/ As brengë e dashurisë. As dhe fati./ Jo, mos ma shkulni heshtën, që në brinjë,/ Ma nguli koha, me sa fuqi pati./ Nga ky mjerim dhe gurët do të qanin,/ S’mund të mos çahej zemra si me plor,/ Këndoni për mustaqet e sovranit,/ Poetë të oborrit mbretëror./ Kur grushti nis t’i hakërrehet zotit,/ Më lind një shpresë… Dridhuni tiranë!/ Ma shkulni, shokë, atë shigjetë prej gjoksit,/ Më të u bini atyre që më ranë!”. Nuk ishte punë e lehtë të shkruheshin vargje si këto në Shqipërinë e viteve ’70. Duhej guxim krijues dhe njerëzor për të shqiptuar akuza si këto, qoftë edhe duke ia “mveshur” ato Migjenit.

Shikuar nga pikëpamja politike, mund të thuhet se vargjet e mësipërme janë më subversive se ato të poemës Në mesditë byroja politike u mblodh të Kadaresë, të njohur si Pashallarët e kuq, për të cilën është folur aq shumë.

Sikur vetëm këtë cikël ta kishte shkruar Xhevahir Spahiu, do të mbetej në poezinë shqipe, por poezia e tij është një univers i tërë, që prek problemet qenësore të ekzistencës sonë kombëtare dhe të natyrës njerëzore.

Është poet kryesisht i vargut të lirë, që i përgjigjet më shumë temperamentit të tij krijues, por e kultivon me sukses edhe vargun e lidhur e të rimuar.

Fjala, Poezia (Zogj, keni një armik për vdekje),Njeriu pa emër, Dashuri e ndaluar (Lëshoje drerin, Artemidë),Himn lulëzimit (Mos vdis, Agavi), Koka ime, çuditem me ty, Borxhet e mia, Kënga e dalldisur, Ferrparajsa, Rreziku e të tjera janë disa nga poezitë e tij antologjike, krijime me vlerë universale.

Kundërshtar i çdo padrejtësie, Xhevahir Spahiu është poet që godet me forcë të madhe shprehëse.

Hyn në grupin e krijuesve që e ruajtën dinjitetin e fjalës edhe në kohën e monizmit, por shkëlqimin e plotë e arritën pas vitit 1990, kur ra diktatura dhe sistemi letrar i imponuar prej saj: realizmi socialist. Pa mohuar përmbledhjet (Vdekje perëndive, Nesër jam aty dhe Heshtje s’ka), mund të thuhet se librat: Kohë e krisur (1991), Ferrparajsa (1994), Pezull (1996) dhe Rreziku (2001; 2003), shënojnë majat e artikulimit poetik të këtij poeti.

Njërin nga librat e tij më të rëndësishëm (Pezull), e hap me një poezi trevargëshe me titull Art, në të cilën thuhet: “tek tingujt vdes/ tek ngjyrat çmendem/ tek fjala vdes çmendem përmendem”. Në këto vargje shprehet ars poetica e Xhevahir Spahiut. Tingulli, ngjyra, fjala: muzika, piktura, poezia. Simbolistët francezë përdornin  termin “audition colorisé” (dëgjim i ngjyrave), kurse teoricienët e letërsisë këtë bashkëveprim të tingujve, ngjyrave dhe fjalëve e quajnë sinestezi. Një sinestezi bodleriane sui generis. Sinestezia shqiptare e poetit fjalëxhevahir!

 Xhevahir Spahiu i takon brezit të krijuesve që u shfaqën në letërsinë shqipe në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar dhe i dhanë impulse të reja zhvillimit të saj.

Për shkak të frymës së tij kryengritëse dhe shpirtit liridashës, disa herë ia ndaluan botimin. Në një rast, madje, iu kanos edhe rreziku i arrestimit, por falë çiltërsisë së tij dhe ndihmës së miqve, arriti t’i shpëtonte më të keqes.

Nuk e lanë të qetë as në vitet e “demokracisë”. E goditën në ’97-n për një cikël poetik për Vlorën: poeti u bë pre e policisë së vënë në shërbim të pushtetit autokratik. Me atë rast miku i tij, bardi Dritëro, shkroi poezinë Poeti i fyer, në të cilën Xhevon e krahasonte me Lorkën.

E goditi edhe sëmundja në vitin 2009, një hemorragji cerebrale, me pasoja fatale për punën e tij krijuese dhe, pse jo, edhe për letërsinë shqipe.

Sikurse poetët tanë të tjerë të mëdhenj, klasikë e bashkëkohorë, ai është poet i mbarë kombit dhe jo vetëm i një pjese të tij. Lexohet, botohet, pëlqehet dhe recitohet jo vetëm brenda kufijve të shtetit shqiptar, por në mbarë hapësirën shqiptare.

Poet i shqetësimeve të mëdha dhe i mesazheve të fuqishme, por edhe mjeshtër i fjalës dhe zot i saj, Xhevahir Spahiu është një xhevahir i çmueshëm në gjerdanin e poezisë shqipe.

(Fjalë në manifestimin letrar “Muza e Alpeve”, që u mbajt këto ditë në Pejë dhe Petnjicë të Malit të Zi)

ObserverKult