Violeta Manushi, nuk u ankua kurrë. Nuk u mburr kurrë. Ndaj e donin të gjithë!

violeta manushi

Violeta Manushi nuk u ankua kurrë. Nuk u mburr kurrë. Ndoshta ndaj dhe e donin të gjithë. Jo vetëm artdashësit, por gjithë kolegët. E çmonin. Vlerësonin çdo grimë a detaj rreth konceptit, dhe mënyrës se si ajo e lëshonte veten tek çdo rol, duke u kredhur si në det.

Duke u mishëruar tek personazhi dhe më pas bërë një me të. Kadri Roshi, në një intervistë të vitit 1998, e quan ‘’Shkollë’’, këtë grua të rrallë. ‘’Të kuptosh fjalën sakrificë – thotë ai – mjafton të shohësh Violetën. Nëpërmjet saj, ti kupton ç’është vullneti për punë. Kupton ç’është ndershmëria’’. Ndërsa Sulejman Pitarka, po atë vit, shprehet: “Mbaj mend çdo herë që vinte në teatër, ishte si besimtari i devotshëm në një tempull.’’

Lindur më 6 mars të 1926 në Voskopojë të Korçës, Violeta Manushi do të kalonte një fëmijëri pa përralla. Një fëmijëri të vështirë. Një familje e varfër, uria e së cilës e njohu me ‘’udhën e punës’’. Vetëm 14 vjeçe​! Kështu vitet kalonin dhe Violeta e rritur para kohe po bëhej një zonjushë e vendosur. Do të ishte 20 vjeçe kur do të dëgjonte melodinë e fatit në vitin 1946, prej ku do të shquhej menjëherë talenti i saj në shkollën e parë dramatike të hapur pranë Teatrit të Shtetit, sot Teatri Kombëtar. Do të ishte ky rrugëtimi saj i gjatë i mendjes, shpirtit dhe dashurisë. Shtëpia e saj! Fati i saj.

Me një karrierë 60-vjeçare në themele të teatrit. Me 110 role të gdhendur e skalitur skenës dhe plot 16 të tjera në kinematografi. Ishte viti 1957 tek ‘’Orët e Kremlinit’’ rekordi i parë që do të thyente me interpretimin e tri roleve. Më pas do të shkëlqente në rolet protagoniste më 1959 ‘’Gratë gazmore’’, ‘’Morali i zonjës Dulska 1958. Me shumë sukses një Olimbi të paharruar tek ‘’Karnavalet e Korcës’’ 1964, Zyhranë tek ‘’Fytyra e dytë’’ 1968, Nicën tek ‘’Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’ 1971, e shumë të tjerë.

Në vitin 1997, së bashku me ‘’Mjeshtren e madhe’’, profesoreshë Drita Pelinkun, bordi drejtues i Institutit Amerikan të Biografive do i vlerësonte për kontributin e dhënë dhe arritjet e karrierës ndër 500 udhëheqësit më me influencë të shekullit të XX.

Ishin mikesha të rralla. Gjithmonë e gjeje në shtëpinë e zysh Dritës, për të nisur ditën nën aromë kujtimesh në atë filxhanin e kafesë. Kështu i mbaj mend një ditë të mërkure të dyja, ndërsa më pas do të ma prezantonte për herë të parë:

‘’E di si jam njohur me Violetën? Kanë kaluar shumë vjet, por, për mua , ky takim mbetet nga ata të rrallët që të dhurojnë çelësin e shumë sekreteve. Isha në teatër kur shoh 3 vajza që po vinin, veshur bukur. Pas tyre Violeta, e cila me shumë çiltërsi më shtrengoi dorën. Mbante veshur një xhaketë burrash, një palë atlete lecke, flokët e prera drejt dhe nuk e di pse e paragjykova… artistët duhej të kishin imazh tjetër. E kush e dinte që pas kësaj vajze aq të varfër do të fshihej kjo artiste ikonë, nga ku më mbush shpirtin plot sa herë vjen këtu…’’

Violeta, me kulturën fenomenale të të dëgjuarit, buzëqeshte teksa duart i mbante mbledhur e më kthehet duke thënë: ‘’Vetëm ty kishte mbetur pa ta thënë. Ka 50 vjet që e tregon’’.

Jean-Paul thotë : Komedia është një ëngjëll që me një sy qan dhe me një sy qesh. Natyrisht, Violeta kishte lindur për komedi, duke e forcuar përmbajtjen estetike, psikologjike e shoqërore të teatrit. Mjeshtre e detajit, spontane, me një spontanitet që të nxit fantazinë tek e sheh. Me një energji që reflektohet në çdo temporitëm shfaqjesh dhe aq mirëkuptuese në zhvillimin e dialogjeve. Kjo ishte Violeta! E cila për shumëkënd mbetet ende teto Ollga, transmeton ‘konica.al’.

E si mund të mos jetë prezent dhe sot në ditët tona ky kryerol i saj?

Pirro Milkani shprehet: Ekzigjenca estetike e filmit për staturën e saj bëri që kjo Ollgë të mos harrohej kurrë. Zakonisht ,- vazhdon ai, kur aktori identifikohet me rolin, është arsye suksesi. E dimë tashmë të gjithë që para se të ekranizohej, kjo ishte një vepër teatrale që luhej në Teatrin e Korçës. Por konvertimi i pjesës teatrale në film kishte ndryshime. Për shembull skena e Malos me Violetën, doli aq e bukur, pasi ky ishte marifet i saj. Sigurisht dhe teksti i Ruzhdi Pulahës bënë që ky film të ishte sukses i jashtëzakonshëm.

Ti ke bërë dashuri?
Kam bërë sa ujin i kam nxjerrë. Në fejesë jo dhe aq, po pas martese hajde dashuri…hajde…

Violeta shkëlqeu në këtë rol, duke bërë të qeshë dhe atë që asokohe nuk dihej si do të reagonte: Enver Hoxhën. Ajo u vlerësua këtu dhe me medaljen e festivalit të filmit në vitin 1977. Kanë kaluar 40 vjet që atëherë dhe ti ende kërkon rrugësh magjinë e këtij karakteri, në një qytet me Ollga dhe pa zonja.

Vështirë të harrohet gjithashtu dhe teto Rita, tek ‘’Pallati 176’’, e cila ka fuqi hipnotizuese sa herë e sheh. Gjurma e së cilës theksohet çdo vit që kalon, falë psikoteknikës së shkëlqyer të kësaj gjiganteje të skenës.

24 orë para se të mbyllte sytë, Violeta Manushi, në prani të të afërmëve, ka thënë fjalët e fundit nëpërmjet një diktofoni, i cili mbetet vlerë e shenjtë në arkivin e Fondacionit ‘’Nermin Vlora’’.

‘’ Sikurse e shihni, unë jam nisur për udhë që nuk është e gjatë. Nuk jam pishman që po shkoj. Jetova 81 vjet e kusur. Për më tepër, jetova me nder! Kemi qenë të varfër, por nuk kemi lypur. Kemi jetuar me punë dhe me nder, duke lënë pas emrin e mirë.

Eja më puth, se po iki…’’

ObserverKult

————————–

LEXO EDHE:

Violeta Manushi: Nuk jam pishman që po shkoj, jetova me nder…