Muzika është për ta ndarë me të tjerët. Ata që dinë të luajnë në instrumente, sipas muzikantit Visar Kuçi, janë me fat. Të tillë e konsideron edhe veten. E në kohë pandemie, ani pse për disa minuta, është ndier i lumtur që dhuntia e tij do t’ua bëjë më të lehtë kapërcimin e kësaj situate fëmijëve, e veçanërisht atyre me aftësi të kufizuara.
Të mërkurën, ai ka marrë violinën e i veshur me këmishë të zezë, njëlloj sikurse kur performon me Filarmoninë e Kosovës, ka treguar shkathtësitë e tij në këtë instrument. Për më pak se dhjetë minuta, ka luajtur online pjesën “Jota” nga “Suite Populaire Espagnole” të kompozitorit spanjoll Manuel de Falla. Qëllimi i kësaj performance – organizuar nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë – ka qenë argëtimi i fëmijëve në kohën kur atyre u është kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi për shkak të pandemisë së virusit COVID-19. E përveç muzikës, Kuçi ka pasur edhe një mesazh për ndjekësit virtualë në faqen zyrtare në Facebook të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. U ka kërkuar njerëzve ta shfrytëzojnë këtë kohë për të reflektuar.
“Suite Populaire Espagnole”, kompozim i vitit 1914 i këngëve tradicionale spanjolle është një nga kompozimet më të rëndësishme të spanjollit Manuel de Falla. Të shtatë pjesët e kësaj vepre përfshirë edhe “Jota” sjellin karakteristika të regjioneve të ndryshme brenda Spanjës, dhe secila prej tyre ka muzikalitet të veçantë. Së bashku flasin për dashurinë dhe gjithçka që vjen me të si gëzimi a dhembja.
“Ftesës së UNICEF-it që t’i bashkëngjitëm kampanjës së tyre ‘#ndërkohënështëpi’ e të luaj një pjesë që u dedikohet fëmijëve e sidomos atyre me aftësi të kufizuara, i jam përgjigjur me shumë kënaqësi”, ka thënë Kuçi për KOHËN. Ka treguar se për t’iu përshtatur formatit të paraqitjes ka zgjedhur që të luajë një pjesë nga kompozitori spanjoll, Manuel de Falla. Ani pse vepra është e aranzhuar për pianist e soprano, ai kësaj here ka performuar i vetëm. Ka thënë se shpreson që në të ardhmen të luajë në një koncert i shoqëruar me muzikantë të tjerë, orkestër e publik./koha