T’I PUTHËSH DORËN ZONJËS HEBREJE ANNA KOHEN…
Nga Visar Zhiti
U mirëprit Dr. Anna Kohen me kërshëri dhe dashuri në takimin me shqiptarët, e ftuar nga “Albanian – American National Organization” në Chicago.
Do të përuronte librin e saj memuaristik, tashmë të ditur, “Flower of Vlora” – “Lule e Vlorës” në mjediset kulturore të Kishës ortodokse shqiptare “Shën Nikolla” dhe do të bashkëbisedonte me të pranishmit e shumtë, që mbushnin sallën.
Miku ynë Jani Gjoni do të drejtonte takimin, ku do të flitej për jetën e zonjës Anna Kohen, për familjen e saj, që gjatë Luftës II Botërore, nga shkaku i përndjekjes së egër naziste dhe holokaustit çnjerëzor, ikën dhe gjetën strehë dhe mbrojtje në Shqipëri. Anna lindi në Vlorë, aty u rrit si një lule e atij qyteti dhe studioi për mjekësi dentare dy vjet dhe kthehen si familje sërish në Greqi, etj, etj, të gjitha tregohen në librin e saj. Ajo nuk e harroi kurrë mirësinë shqiptare, as gjuhën shqipe, që e foli dhe në këtë takim aq ngrohtë dhe bukur.
Madje e pamë si shqiptare, kur ajo ndjehet dhe greke, duke qenë hebreje dhe amerikane. Gruaja që bashkon botë…
Në vazhdim të rrëfimit, në sallë ishte dhe një shok klase i saj, Niko quhet, që takoheshin pas 58 vjetësh, po ashtu aty foli dhe Turi nga Vlora, që familja e tij atërore kishte mbajtur hebrenj në shtëpi gjatë luftës dhe përndjekjes. Si shumë familje shqiptare. Janë emrat e tyre nëpër muzeumet e holokaustit…
Edhe Eda ime kujtoi lagjen e hebrenjve në Vlorën e saj, miqësinë e sinqertë të djemve dhe vajzave atje. Folën dhe të tjerë. Rrallë gjen në një sallë një bashkim të tillë, të historisë dhe virtyteve njerëzore, – që mos qofshin veç histori! – po thoshim, por dhe aktualitet, dashuri në veprim etj, etj.
Në mbarim të takimit u bë një radhë e gjatë me lexues të librit të saj, donin një autograf.
E takova dhe unë zonjën Anna Kohen. Kishim folur në telefon më parë e kishim shkëmbyer mesazhe, më kishte përgëzuar për poezitë, që kisha botuar nga pelegrinazhi në Tokën e Shenjtë, nga vizita në Izrael e Palestinë. Gjithmonë kam besuar, ndjerë më shumë, që shqiptarët i lidh diçka e fortë me të përndjekurit kudo, me hebrenjtë, jo vetëm vuajtjet shekullore, por dhe një mbështetje proverbiale nga ato që lartësojnë njerëzimin.
Doja t’ja thosha Anna-s, por thjesht i putha dorën dhe ikëm.
Në vazhdim mund ta lexoni edhe fjalimin e Eda Agaj Zhitit në këtë përurim:
Urime për librin tuaj, mikesha jonë Anna Kohen, është një histori, që të tërheq, e mbijetesës, e qẽndresẽs dhe e dashurisë. Në të njëjtën kohë i bën shqiptarët tanë krenarë për ndihmën e dhẽnẽ popullit hebre gjatë Holokaustit. Më pëlqeu mënyra se si shpjegoni Besën dhe Kanunin tonë duke thënë se janë para çdo Libri të Shenjtë.
Edhe unë jam rritur në Vlorë, pranë rrugës hebreje. Jam e lumtur për atë harmoni proverbiale, e krijuar mes hebrenjve dhe vlonjatëve.Djali i xhaxhait tim, që ishte emigrant politik në SHBA, pra kushëriri im i parë në Vlorë, Qemal Agaj, ishte shok i mirë me vëllain tënd, Elion. Ajo ishte vëllazëria e të gjithë neve.
Libri juaj i shkruar bukur shpreh mirënjohjen për atë që kanë bërë shqiptarët gjatë Luftës II Botërore, kur hebrenjtë përndiqeshin dhe i kërcënonte holokausti fatal, ndërsa qeveritë shqiptare me Mustafa Krujën apo Rexhep Mitrovicën, me ministra Kolë Bibë Mirakajn e komandant Kadri Cakrani etj, iu bashkuan popullit, madje e drejtuan në këtë humanizëm, shembull për boten.
Por mirënjohja juaj nuk është e shkruar vetëm. Mirënjohja juaj është në të njëjtën kohë dashuri në veprim ndaj popullit shqiptar, ju jeni në drejtim dhe në shoqatën “Motrat Qiriazi” dhe keni ndihmuar e mbështetur shqiptarët në Kosovë në mbijetesën e tyre heroike dhe përparimin e mëtejshëm…Faleminderit, që jeni me ne siç jemi dhe ne me ju.
ObserverKult
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: ALI PODRIMJA MBYLLI SYTË PËRGJITHMONË MES POEZISË NË FRANCË