Nga Visar Zhiti
Në Tiranë Biblioteka “Musine Kokalari” është përgjatë Bulevardit “Gjergj Fishta”, pa “Àtë” përpara emrit, por gjithsesi ndjej një gëzim solemn të brendshëm, përzjerë me dhimbje kur kaloj andej.
Ndanë bibliotekës, te nënkalimi i pallati aty qe krijuar një si shitore rruge, tregtoheshin veshje, etj, dhe gruaja që shiste, kishte varur në mur disa fustane të gjata, – s’besoj se kanë qenë të Musinesë, – megjithëse ato kishin mbuluar pjesë nga mbiemri a qenë kapur mbi shkronja. Lexohej kaq: MUSINE KOKOL… dhe ishte mbuluar -ARI.
Eh, thashë me vete, arin e Musinesë kur do ta zbulojnë? Arin si shkrimtare dhe heroinë, arin e virtyteve si një grua e rrallë…
Po shtatorja e Fishtës kur do vihet në bulevard, skulptori Agim Rada, që i ndrittë shpirti, e ka mbaruar, e kam parë, është e madhërishme.
Dhe s’kishte si të mos më kujtohej që dhe Atë Gjergj Fishta, edhe Musine Kokalari dy shkrimtarë të shquar, që dolën në kohën e mbretërisë, diktatura e mëpastajne i persekutoi. At’ Fishtën të vdekur, Musinë të gjallë, e futi burgjeve, e përndoqi pas burgut deri sa mbylli sytë përgjithmonë, e vetmuar, baltrave të internineve, ndërsa varrin e Poetit Kombëtar Atë Gjergj Fishta e prishën bashkë me Kishën e tij dhe eshtrat ia hidhën në lumin Drin.
Vepra iu ndalua edhe atij. Dhe atë e trajtoi kritika zyrtare e Realizmit Socialist ashtu siç e kishte përcaktuar Encikopedia Sovjetike, reaksionar, antibokshevik, konservator, etj, etj.
Por tani kemi një bulevard me emrin Gjergj Fishta, ku është dhe Biblioteka “Musine Kokalari”, shkrimtarja e parë grua në letrat moderne shqipe.
Por sa kalon bibliotekën dhe merr kthesën majtas shkon në sheshin që ende ka emrin “21 dhjetori”, në nderim (dikur) të Stalinit, datëlindja e tij, e një gjakatari të madh po aq sa Hitleri a më shumë dhe… dhe antishqiptar, pavarësisht se e mbështeti diktaturën e Enver Hoxhës a Enver Hoxha u mbështet tek ai. Duke urryer për vdekje Musinë, që s’e shihte të arsyeshme të ishte komuniste dhe At’ Fishten, poet antibokshevik…
E çuditshme vërtet Tirana jonë, nuk ndahet dot nga e kaluara dhe as e pranon lehtë të ardhmen, që rritet dhe bëhet marrëzisht më e bukur, etj, etj, dhe po thosha me vetë që me një fustan të lirë të tregut në rrugë mbulon Arin e Musinesë. E ruan kështu?…
ObserverKult
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: LIBRA PËR DOM SHTJEFËN KURTIN DHE QIRINJ NGA KOSOVA…