Visar Zhiti: Mrekullia e albanologjisë me emrin Robert Elsie

Iku parakohe, por la një veper të gjithëkohëshme. Sipas porosisë së tij, prehet në malet e Veriut tonë, pranë një kishe në Theth. Në lartësi të tillë e çuan arritjet e pazakonta…Një shteg atje, një rrugë në kryeqytet, një institucion kulture duhet të marrë emrin e tij. Pse jo dhe një mal

Nga Visar Zhiti

U bënë 3 vjet nga dita e shuarjes dhe ai shkëlqen ende më shumë me Veprën e madhe të tij.
Kanadez që jetoi më së shumti në Europë, në Gjermani dhe që prehet përjetësisht në Alpete Shqipërisë. Aq shumë e deshi vendin tonë, aq shumë bëri për kulturën Shqiptare, sa mund të quhet “Mrekullia e Albanologjisë Robert Elsie”.
Njohës i thellë i shqipes dhe i dhjetra gjuhëve të botës, përkthyes i zellshëm, studiues befasues, historian skrupuloz, kritik arti, antologjist udhëtar, fotograf, mik i sinqertë, një antropolog mahnitës, katedër e paemëruar, akademi e pashpallur, enciklopedi e vërtetë e Shqipërisë.
Botoi libra të shpeshtë për Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë, me guxim si askush tjerër, për gjuhen shqipe e dialektet e të folmet e saj duke bërë regjistrime kudo, ku ka shqiptarë, te arbneshët në Dalmaci e arvanitasit në Greqi, arnautët në Turqi dhe te arbëreshët fenomenalë në Italinë e Jugut, botoi histori tē letersisë shqipe, mbarë kombëtare, duke futur i pari dhe letërsinë që vinte nga burgjet, krijoi antologji të prozës shqipe dhe të poezisë, përktheu Kanunin, folklor, rilindas dhe bashkëkohorë, iu kthye alfabeteve të gjuhës shqipe, zbuloi nja 10 para atij të sotmit, nxorri libra për fiset e mëdha shqiptare, mbi religjionet dhe bektashizmin shqiptar, përktheu prapë poetë, tani të veçantë nga Kosova si Ali Podrimjen dhe Azem Shkrelin, etj, Migjenin (në gjermanisht), etj, etj, dhe autorin e këtyre radhëve dhe shkoi deri te vepra “Lahuta e Malcis” e Fishtës, “Homerit shqiptar”, duke plotësuar, sipas tij, eposin europian me atë që mungonte, në gjuhën angleze.
Iu përkushtua dhe pelegrinazhit, vinte në stinë të ndryshme në Shqipëri, po kështu dhe fotografisë se vjetër, zbuloi imazhe që bëjnë histori nga fotografë të huaj, ua fali origjinalet instucioneve shqiptarë, botoi albume kësisoj, etj, etj. Puna e tij është e gjerë dhe madhore, prej shkencëtari dhe të dashuruari me Shqipërinë. Dhe shqiptaret e deshën, e nderuan, i dhanë tituj dhe medalje, por dhe e harronin, u dukej i zakonshëm, por ai mbeti i pandryshuar, albanalogu më i madh i huaj, që e mori pasaportën shqiptare dhe dha më shumë se pararendësit…

Iku parakohe, por la një veper të gjithëkohëshme. Sipas porosisë së tij, prehet në malet e Veriut tonë, pranë një kishe në Theth. Në lartësi të tillë e çuan arritjet e pazakonta…

Një shteg atje, një rrugë në kryeqytet, një institucion kulture duhet të marrë emrin e tij. Pse jo dhe një mal.

Biografi: Robert Elsie

Një ndër albanologët më të njohur i dekadave të fundit, Robert Elsie, ndërroi jetë para tre viteve, më 2 tetor 2017. Në fushën e albanologjisë, Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare.
Ndër botime të hershme të tij është: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare) , botuar së pari në Uestport (Westport), Konektikat më 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), botuar në Boulder, Colorado më 1995, në dy vëllime. Vend të rëndësishëm në këto vepra zënë zërat arbëreshë, autorët dhe veprat e shkruara nga shkrimtarët dhe poetët tonë kombëtarë të Italisë së Jugut.
Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, etj.
Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasw dhe ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë.
Më 1972 erdhi në Evropë me një bursë studimesh, në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978./ ObserverKult