Një këmbë e vockël godet brenda barkut, poezi nga Visar Zhiti
Si zjarri i parë i botës
nën një qiell të ulët
të paardhur akoma-
brambullon dhëmbja e barrës tënde.
Një këmbë e vockël brenda në bark
të godet. Është hapi i
të ngjethurave të tua të lumtura
prej zambakësh e psherëtimash.
Një këmbë e vogël e jetës pafund
që ngjitet nga zemra në mjegullat e menjes
dhe vrapon për të dalë
në shpellën prej mishi
mes lumit të gjakut
të vdekjes pa vdekje.
Ja edhe pak. Dhe do të shtrydhësh diellin
si gjirin tënd. Dhe yjet
si luleshtrydhe.
Sa fort godet brenda në bark
ajo këmbë
e zjarrit të parë të botës.
ObserverKult
———————–
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: INVICTUS, HISTORIA E NJË POEZIE TË PËRBOTSHME
Invictus, historia e poezisë- nga Visar Zhiti
A ka autor? Patjetër që po. Cili është? Anonim, kolektiv, biblik? Tamam si në një skenë teatri më bëhej errësira, kur bie perdja dhe mes duartrokitjeve të shumta kërkohet të dalë autori e ai vonon.
“Invictus” – nga latinishtja “I pamposhtur” – është dhe titulli i një poezie që kujtohet në botë, për forcën, për kumtin e saj, më saktë, ka një kushtrim të brendshëm, përbashkues, që të përballesh të keqen me dinjitet. Duket si e derdhur në bronz, si një medaljon për këdo.
E rimora ndër duar, ndoshta nga që në vendin tim po flasin për poezinë këto ditë, në media, pa poezi, jo duke u bashkuar, – sa fjalë ideale duket kjo, e largët, – por duke u grindur e ndarë, një realitet i prekshëm, i rëndomtë yni.
Poezia “Invictus” nuk duhet harruar, thashë me vete, kur, në fakt po harrohet poezia, jo thjesht ajo e shkruara, por poezia e jetës si një mirëkuptim hyjnor.
“Invictus” ka frymëzuar shumë në jetë. Prandaj iu riktheva. Ka dhe një metaforë tjetër që del prej saj dhe merr tjetër domethënie, – do ta tregoj, – duke u bërë pjesë veprimtarish në realitete të ndryshme duke rihyrë sërish në art. Risjell copa bisedash, rrëfime, gjetje të miat për këtë poezi. Në një film të hershëm të kohës së luftës, Casablanca, citoheshin dy vargjet e fundit të poezisë. Dëgjo, në një film tjetër, ku luan dhe Ronald Reagani, që do të bëhej president i SHBA-së, recitohen dy strofat e para të poezisë. Vërtet? Po, po… Po edhe Presidenti Franklin D. Roosevelt thoshte se ishte një nga poezitë që donte më shumë…
Tekstin e plotë e gjeni KETU
ObserverKult