Visar Zhiti: Po t’i kishte një popull tjetër poetët tanë do mburrej, ne i mohojmë…

Visar Zhiti

Kur Visar Zhiti i shkruante bashkëvuajtësit dhe shokut të tij të burgut, Maks Rakipaj, në faqen e tij në FB:

I dashur Maks,

Shqetësimi yt është i drejtë, paraqitur me qytetari e guxim, edhe me art. Poezia eshte perkthyer shkëlqyer. Nisur nga komentet dua të shtoj dy gjera:1- Jo vetëm qe nuk e ngrinte dot zerin askush, kur diktatura denonte poetë e shkrimtarë, por ata u dënuan dhe nga poetë e shkrimtarë të tjerë, të cilët bënin denoncimet dhe akt-ekspertizat në shërbim të Sigurimit vrastar të shtetit. Pra, u dënuan intelektualë edhe nga intelektuale të Realizmit Socialist.

2- DISIDENCA. Është bërë zakon (i padrejtë) të thuhet se te ne që s’kishte disidencë, nuk lejohej, ndryshe do pranohej qe diktatura ishte e butë, e arsyeshme. Dakort, kjo eshte gjysma e të vërtetës, por në Shqipëri u bë më shumë dhe më heroikisht: disidenca ishte klandestine, e fshehtë. Ti e di mirë, ne ishim bashkë në burg, e njohëm, e prekëm, u bëmë pjesë…

Pra kishte realisht disidente, kundërshtare, martirë.
Po shkrimtarët e Klerit Katolik qe u pushkatua e u burgos ç’ishin? Po Musine Kokalari, shkrimtarja e parë? Po poeti Trifon Xhagjika qe shkruante poezi kunder dhe në gjyq tha: “më jepni nje top, t’i bie Komitetit Qendror, sistemit tuaj!”. Po Lazer Radi? Po Kasëm Trebeshina, po romancieri tjetër i shkelqyer Astrit Delvina? Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Zyhdi Morava, Maks Velo, etj?

Poetët e rinj te Librazhdit Blloshmi dhe Leka? E Havzi Nelen qe e varen, qe e kishim në Spaç e kemi shtyre vagona si skllevër ne miniere? Po poezitë tona qe i kemi fshehur bashkarisht? Po poetet Zef Zorba, Frederik Reshoja, etj, etj. T’i kishte një popull tjetër do të mburrej, ne i mohojmë. Ne e dimë pse, nga që s’ballafaqohemi dot me mëkatin… Unë i kam trajtuar në librat e mi dhe gjeresisht në botimin me të fundit “Kartela të Realizmit të Denuar”, ku eshte dhe kartela jote.
E çmoj shumë punën Tuaj, vazhdimin e qendresës me shpirt dhe mendje dhe perkushtimin, përkthimin “e disidencës” edhe në poezi, në aktin më siperan.

Të jemi bashkë, qoftë dhe vetëm… E vërteta mjafton!

Me dashuri,
Visar Zhiti

*Titulli i origjinalit: “PËR DISIDENCEN SHQIPTARE”


Lexo edhe:

SPIUNI ANALFABET QË NDIQTE PROFESORIN EQREM ÇABEJ: LEXOJENI RAPORTIN!