Visar Zhiti: Sikur pemët të ishin shqiptarë ç’do të thoshin mes tyre…

visar zhiti

Mê pëlqen të dal, edhe pse ka borë rrugëve dhe është ftohtë e shpesh jam i vetmi që endet këtej.
Pemët dimërore se si më duken, si skica fatesh njerëzore, me një madhêshti të dhembshme, gjithë dinjitet të heshtur.
Janë të zhveshur drurët gjithandej në peizazhin dimëror, por më magjepsin disa prej tyre, që nëpër degë si midis krahëve mbajnë një fole, megjithëse zogjtë nuk janë më aty, kanë mërguar andej ku stinêt janë të ngrohta. E kanë rrëzuar gjethnajën e tyre pemët të gjithë, por foletë, edhe pse nuk i kanë të vetat, i kanë mbajtur si një amanet. Se zogjtë do të vijnë në shtëpizat e tyre prej shkarpash e bari dhe me plot shqetësime jete e cicërima të argjendëta. I ngritën me mund dhe ua besuan pemëve. Jo të gjithave, e dinë ato se kë zgjodhën dhe pse.
Teksa eci dhe fotografoj fole me duart e mardhura, fantazoj sikur pemët të ishin njerëz, madje shqiptarë dhe ç’do të thoshin mes tyre:
PEMA I: Po ajo pse mban fole, më e mirë nga ne është?
PEMA II: S’i ka as të vetat! Zogjtë bëjnë qejf andej nga plazhet e ngrohta…
PEMA III: Zogjtë janë të qiellit, le t’i bëjnë foletë në qiell.
PEMA I: Ajo na ka tradhëtuar, merret me qiellin. Le që është dhe me biografi të keqe…
PEMA II: Që i raftë rrufeja, e rrëzoftë ndonjë stuhi!
PEMA III: Po zogjtë, se na çmendën, edhe me qiellin edhe me tokën dhe ato, budallaçkat, u ruajnë foletë.
PEMA IV: Do ta kenë ndonjë interes patjetër…
Pemët, me foletë si zemra, heshtin. Mbase shohin në ëndërr blerime dhe flatra, yje dhe avionë me zogj…

*Titulli i origjinalit: “Pemë dimërore me nga një fole ndër krahë…”

ObserverKult


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: SA PAK DIMË TË LEXOJMË, SA SHUMË DIMË TË URREJMË…