Visar Zhiti: Të biesh dhe të ngrihesh me gurin e kufirit mbi kurriz…

Të biesh dhe të ngrihesh me gurin e kufirit mbi kurriz… Agim Ramadani mes lajmëtarëve të Evropës

Nga Visar Zhiti

…shkuli gurin e kufirit, atë që ishte vënë për të ndarë Kosovën nga Republika e Shqipërisë, për të ndarë një popull, një gjuhë, një histori, për të ndarë njerëzit nga njerëzit, veten nga vetja.

E ngriti mbi kurriz atë gur sizifian, të rëndë e tragjik, të ngulur qysh në vitin 1913, iu avit një hu(b)nere dhe e hodhi…
Duhej sensibilizuar Europa, duhej ndrequr sa më parë që të ishte e mundur ai mëkat i saj ndaj shqiptarëve në fillimet e shekullit XX.

Çështja e Kosovës, si akt tjetër tashmë i çështjes shqiptare po merrte dhenë. SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Spanja, etj, gjithë NATO-ja po bëheshin gati për ndërhyrjen ushtarake në Jugosllavi.
Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, Bill Clinton, e flak mëdyshjen dhe firmos bombardimin e Beogradit, – …i kisha dhënë fjalën Nënë Terezës, – do të thoshte ai, – ma kishte kërkuar: “Ndihmojeni popullin tim!”
“Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, – do të dëshmonte botërisht Bill Clinton, – dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë.”

Në Kosovë, pas punës titanike të “Gandit të Ballkanit”, Prof. Ibrahim Rugovës, që me diplomaci e durim ia kishte bërë të njohur Çështjen e Kosovës Europës dhe SHBA-së, ishte formuar Ushtria Çlirimtare dhe kishte nisur lufta e pa barabartë.

**
…Agimi lindi në një familje juristi në fshatin Zhegër të Gjilanit me 3 maj të vitit 1963, dhe aty, në shkollën e fshatit të tij, mori mësimet e para, mbaroi filloren. Pastaj në Gjilan kreu të mesmen teknike, por i pëlqente poezia dhe piktura, megjithatë shkoi të studiojë në Zagreb në Akademinë Ushtarake.


Shërbeu me gradën nënkolenel dhe merrte pjesë në ekzpozita kolektive pikture, hapi dhe vetanake, kurse poezitë i linte andej- këndej, edhe redaksive të revistave të ndryshme.

Kur nisi lufta në Kroaci dhe po bëhej gati të plaste dhe në Bosnje-Hercegovinë, ai braktisi Armatën Jugosllave. I djegin shtëpinë dhe ai emigron drejt Europës, drejt ëndrrës.

Në Zyrih drejton qendrën kulturore të shqiptarëve, vazhdon pikturën, hap rreth 50 ekspozita, vlerësohet me çmime.
Merr statusin e emigrantit në vendin më të begatë, në Zvicër, bëhet qyetar europian dhe ashtu mbahet, shembull qyetarie.

Burrë i pashëm, si i dhëndërt gjithmonë, i gjatë, me fytyrën të mprehtë, flokët të zeza e të dendura, me mjekërr të zezë, të shkurtër dhe hollake, me vetullat e zeza e me sytë plot poezi, aq sa vështronin jashtë, po aq dhe brenda vetes, buzëqeshte lehtë edhe kur nuk buzëqeshte, me këmishën të bardhë sikur kishte vërshuar mirësia e tij nga gjoksi, sikur kishte mbajtur pëllumba, kostumi i errët, dukej sikur ishte veshur me natë… Me cilën natë?

Atdheu po thërriste bijtë e vet.
Dhe po atë vit që u bë Akademik në Artet Europiane, Agimi vendos të kthehet, atje, në tokën e tij, në luftë për çlirimin e vendit.

Lë në Zvicër tre fëmijët, dy djem, vajzën dhe bashkëshorten, zonjën Sh.
Ishin rritur bashkë, kishin qenë në një klasë dhe një ditë, – e kujtonin dhe qeshnin të lumtur, – kur ishte student, u fut në makinën e babait të së dashurës së tij dhe i thotë: e dua vajzën tënde, po nuk ma dhe, më mirë më vrit…

Vjehrri i ardhshëm, i befasuar, s’i mbetej tjetër veç të përgjigjej: Qoftë për mirë!

Agimi dinte të donte, por ai dinte dhe të sakrifikonte për dashurinë. Dhe ashtu bëri. Dashuria e tij ishte e madhe, europiane, mund të themi.

Para se të mbërrinte në luftë ndali në Tiranë, pastaj në Lezhë, stërvitjet e fundit me shokët dhe…

Strateg betejash, udhëheqës tamam, Katana e thërrisnin. Me uniformë dukej si më i hajthëm, mjekrra tani si muzg Kosove, vështronte me më vendosmëri, me një si pikëllim që sikur vinte nga yjet.

I dashur me shokët dhe me luftën… shkroi dhe himnin e komandosve. Nisi të merrej me përgatitjenë e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Dhe i pari shkuli piramidën-kufitare në Koshare.

Shpesh për maskim mbuloheshin me degë e gjethe dhe fytyrën e lyenin me baltë atdheu.
Marrshime të guximshme, të fshehta dhe beteja plot me “njësitet e kobrave”… drejt pozicioneve serbo-malazeze, kujdes, se ka dhe mercenarë rusë…

Te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, andej nga ana e Kosovës, ndalën. Komandant Agimi u ndau detyrat luftëtarëve të vet, dha urdhërin që të shpërndaheshin, me kujdes… ja pylli, shkëmbi, pllaja, më tej është… liria.

Të shkonin si fillim për atje ku ishin caktuar… me vrap, me kërcime… Dhe hidhej sa nga njëri tek tjetri pozicion duke dhënë udhëzime, detyra, por dhe moral. Thoshte dhe ndonjë poezi, nga ato që të shtojnë guximin. Pishat herë pas here shkundnin borën nga krahët e blertë.


Aq shumë bardhësi mbi tokë… këmisha e dhëndërisë… ç’bënin tani gruaja, fëmijët?… E pabesueshme që ka ende luftë…

Armiku dinte kur dhe kë të godiste. Po e vëzhgonte, e kërkonte me dylbi, tyta e armës drejtohej nga ai, ja kryet në rreth, prisnin.

Agimi ndjeu thellshëm plumbin, u kthye nga e djathta si për t’u shplodhur a që të merrte hov, por nuk lëvizi më. Shoku i tij i pozicionit shtiu pa ndërprerje andej nga erdhi plumbi. Dhe të tjerë sulmuan… Ashtu siç kishte porositur Agimi. Beteja u ashpërsua edhe më, u përgjak trualli… “Termopilet e Kosovës” e quajtën…

Ngritën trupin e komandantit… e shtrinë mbi një vig. Uniforma e ushtarit të lirisë kishte marrë ngjyrën e lulkuqeve të fushave të Dardanisë, të Flamurit Kombëtar.

Dhe ai u kthye shtatore në qytetin e tij, në Gjilan, në atdheun e çliruar. Rri kryelartë në sheshin para Pallatit të Kulturës, i bronztë në bulevardin ku dikur shëtiste modest, i njerëzishém, i dashuruar, i qeshur.

Te këmbët ka kurora me lule, por është dhe ai, guri tragjik i kufirit, absurd, i pakuptimtë, me ca shifra e shkronja të pakta, si jerm i ngrirë.

Duhet të mburresh me Agimin, – i thonë tani bashkëshoretes së tij, zonjës Sh.

Kur ai ishte, po, unë mburresha me të, – përgjigjet ajo, – tani që s’është, mburruni ju – dhe ndjen në gjoks nxehtësiné e një thike.

Dhe një ditë ajo më tregoi se Agimi i saj, ashtu si të gjithë ata që shkruajnë poezi, dëshironte të botonte një libër dhe atje, në Zvicrën e largët, i thoshte që do të kishte dashur që t’ja përgatisja… unë.

U drodha. Po, po vértet. Dhe s’ishim parë kurrë. Nuk e dija… Pse, pse, më ndjente vëlla në dhimbje, sepse… burgu… ah, duke m’u marrë fryma, shkruajtja fjalën hyrëse të librit të tij. Ja:

Një jetë tjetër për të gjithë.
Varret që ringjallin kombin-


Një plumb lufte, i nisur ndoshta njëmijë vjet më parë, godet në trupin prej poezish një njeri me emrin më të bukur që mbart me vete përjetësisht lindjen gjithë dritë të botës, Agimin.

Patjetër atë çast ka rrjedhur sërisht gjak plaga e pushkatimit të poetit Lorka në Spanjë, e poetëve të truallit tonë Gërvalla e Xhagjika, po, po, edhe plaga e largët në trupin e Pushkinit, atje në vendin nga na zbritén barbaritë dhe e gjithë poetëve të vrarë për lirinë a të zhdukur nga diktatura kudo, kudo.


Qe përsëritur krimi i llahtarshëm në vitin e fundit të mijëvjeçarit në prag të një ëndrre të madhe, kur bota çlironte Kosovën.
Vranë poetin Agim Ramadani. Ah!


Në drejtim të kundër me plumbin e vdekjes niset një grua si në balada. Lë malet e Zvicrës, mjegullën dhe dritat moderne dhe mbërrin te malet e ashpra të Tropojës tonë. Lufta që bëhej matanë kufirit të dhunshëm, vjen dhe këtej.

Gjëmojnë gjëmimet e gjëmës së bombave. Gruaja shkon tek një varr i ri. Shtang. Luftëtarët përreth qajnë dhe ledhatojnë dheun e varrit mbuluar me flamur. Ishte gruaja e Agimit, dashuria e tij. Ka ardhur të dëgjojë amanetet nga ky gur varri, që të tjerët nuk mund t’i dëgjojnë dot.

Armët e Agimit, ditarin e përgjakur ia kthejnë asaj. Që të mos pushojë arma e Agimit, ajo ia jep luftëtarëve të tjerë. Pastaj, kur të vijë liria, t’i çojmë në muze, thotë.

Mbas vdekjes vjen shtegtimi.
Kam përpara gazeta të ndryshme shqiptare e të botës, që kanë shkruar për Agimin, intervista, poezitë e Agimit, lënë dorëshkrim, të cilat poeti ynë i madh, Ali Podrimja, i bëri libër “Një jetë tjetër”.

Agim Ramadani lindi në majin e dashurisë, 1963 dhe vritet në prillin e trimërisë, siç thotë populli, më 1999.
Qe laureuar për inxhineri në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Por ai armët i donte kundër armëve dhe luftën kundër luftës. Donte dashurinë, fëmijët dhe Kosovën bashkë me to. Donte kombin dhe botën. Dhe vizatonte copa nate që po i praronte drita. Dhe pranohet në një tjetër Akademi, në atë të Arteve Europiane, ku merr dhe Medaljen e Artë.

Ndërsa e vrasin, mua më duket sikur dhe pikturat nëpër galerira qëllohen me breshëri plumbash. Bie e përgjakur Mona-Liza në Luvër.

Agimi shkruante dhe poezi. Edhe libra, doracakë për luftën, kur nga Zvicra ku kishte mërguar, shkon në Kosovë, rreshtohet, rreshtohet në UÇK- në e të gjithëve, bëhet komandant dhe më pas brigada 138 merr emrin e ndritur “Agim Ramadani”. Dhe të vjen té besopash se UÇK do të thotë edhe Universi Çlirues Kulturor, etj, etj.

Lotët nuk të lënë të lexosh dot poezitë e tij. Më ikin nga duart në ajër si copa drite, si fasha, më mbulojnë të gjithin si rënkime, si flatra dhe befas bëhet terr. Terri i tanishëm.
Por si një abazhur ndriçon plaga e poetit dhe unë e kuptoj se drita vjen prej gjakut të derdhur në luftën për liritë e Njeriut që është dhe komb.

Futem në një tjetër jetë të Agimit, në atë të poezisë. Ai ka shumë jetë tani. Dhe atë të pavdekësisë.

Tiranë, shkurt 2000

Libri iu përkthye dhe në anglisht. Më pas dolën monografi, studime për Agimin, përsiatje, letrat, ditar, poezi të tijat, që i kushtoheshin atij, në tre vëllime, ekspozita, etj, etj, por një vend pikëllues plot dritë shpirti zënë vargjet e së shoqes.

Mbi degë të rënduara malli
Loti rrjedh drejt eshtrave të tua.
Inde të padukshme ëndrrat
Tokë e qiell m’lidhin
E në damarët e fëmijëve tanë
Gjaku yt vrullshëm lëviz..

Sjell agime ai gjak, të ëndërruarit. Agimi është vërtet një agim i përhershëm…
Pas atij viti, që ishte i fundit i jetës së tij, erdhi shekulli tjetër, mijëvjeçari i ri, koha më e mirë për shqiptarët, koha europiane. Agimi i gjallë…

A mjafton pritja

A mjafton
Të presim vetëm
E të shikojmë
Duke larguar perden
Për të parë si na vjen liria
(Tetor, 1994)

Nëse

Nëse e dashuron diellin
Ma jep pak zjarr

Nëse e dashuron hënën
Më jep pak dritë

Nëse e dashuron lulen
Më jep pak shpresë

Nëse e dashuron pranverën
Më jep pak jetë

Nëse e dashuron ylberin
Më jep pak rrugë

Nëse e dashuron shiun
Më jep pak dashuri

Nëse më dashuron mua
Zemrën ta fala

Idriz Seferi


Oshëtima ende është gjallë
Damar i tokës vetë
Ai
(Janar,1994)


Pikturale


Trëndafili i tharë
Në kornizë te dritares
Dhe një cep pëlhure
Që njomet
Në të paavulluarën
E gotës se kujtimeve
Në horizontalen
E matur të penelit
Më shteren ngjyrat
Në kavaletin
E së kaluarës

M’u shtershin sytë


M’u shterrshin sytë nëse pushoj
Lirinë tënde me ëndërrue
mallkue qoftë gjaku im
nëse m’vrasin pa luftue

(1996)

Në mungesën time

Tani unë jam hi dhe hije nuk kam
Se kam ndërruar jetë askush nuk e di
Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur
Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë
Nuk jam tretur…
———————————
Agim Ramadani ra heroikisht në 11 prill 1999, 25 vjet më parë dhe filloi përjetësia e tij.
(Nga libri “Lajmëtarët e Europës”, nga Visar Zhiti, Botimet “Omsca-1” & “Uetpres”,
2014)

ObserverKult


edhe ëndrrat lodhen poezi nga visar zhiti
Visar Zhiti

Lexo edhe:

VISAR ZHITI TREGON SI ZGJIDHESHIN POETËT QË DËNONTE DIKTATURA: VAZHDON ENDE REVANSHI…

Shkrimtari dhe poeti i njohur, Visar Zhiti, ka treguar sesi zgjidheshin poetët që dënonte diktatura. Në një letër përgjigje për dy bashkëqytetarët e tij, ai thotë se nuk është dënuar nga shokët, por u dënua për poezitë që ai bënte nga shokët e partisë-shtet të diktaturës komuniste.

Sipas tij, vazhdon ende revanshi kundër “poezisë së burgjeve”, por në mënyrë të ndryshme.

“Poezia ishte dënimi im dhe mbrojtja ime, qëndresa ime dhe hakmarrja ime. Dhe vazhdon ende revanshi kundër “poezisë së burgjeve” me shumë mënyra, harresë, dredhi, shtrembërime të të vërtetave, duke lartësuar vetet e dikurshme kot, me tekste e media, etj, etj. Por ne vazhduam të bëjmë poezinë e lirisë. Rëndësi ka jeta në poezi”, shprehet Zhiti.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult