Viti 2023, viti i Petro Markos- organizohen aktivitete të shumta

Petro Marko

Ky vit shënon 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko. Poeti ishte një figurë shumëdimensionale, që spikati që në fillimet e viteve ’30 të shekullit XX si poet, prozator e publicist.

“Poeti Petro Marko u përball me stuhitë e kohës, duke mbetur përherë rebeli dhe një zë i veçantë në letrat shqipe”. Kështu është shprehur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e ka shpallur këtë vit, “Viti i Petro Markos” dhe do të shenjohet nga aktivitete për nder të tij.

Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës. Ai ka botuar me 1 mars 1936 numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”.

Atë vit mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Ndërkombëtare.

Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”. Por kjo revistë doli vetëm dy numra.

Më 1940 u detyrua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika, në detin Tirren.

Me tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua nga komunistët dhe u burgos në Tiranë.

Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë.

Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë, 1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Ai vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.

Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Hasta la vista”, 1958; “Qyteti i fundit”, 1960; “Rrugë pa rrugë”, 1964; “Nata e Ustikës”, 1989 etj./ATSH

ObserverKult


petro marko valë

Lexo edhe:

PETRO MARKO RRËFEN HISTORINË E TRISHTË TË GAZETËS ABC

Nga: Petro Marko

Ideja ishte e Asimit dhe e Demirit. “Të botojmë një revistë”.

Këtë ide e pranuan edhe shumë shokë të tjerë, sidomos Skënder Rusi, Zef Mala, Vasil Shanto, Vasil Kushi, Reshat Këlliçi, të cilët më vonë u bënë edhe si kolegjium i redaksisë.

Të tjerët, që pretendojnë të kenë qenë në këtë nismë dhe në këtë kolegjium, as që e dinin se ku qe redaksia e “ABC”-së dhe as që i pamë ndonjëherë.

E vërteta është se unë u kërkova të gjithëve bashkëpunim, por thirrjes sonë iu përgjigjën menjëherë vetëm Dhimitër Shuteriqi dhe Shevqet Musaraj. Të tjerët nuk na dërguan asnjë shkrim për numrin e parë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult