Viti i ri akademik në fakultetet publike do të fillojë në formë të kombinuar

Rektorët e Universiteteve Publike të Kosovës kanë shqyrtuar procesin e fillimit të vitit të ri akademik 2020/21, në situatën e vazhdueshme të pandemisë COVID-19, ndërsa u theksua gatishmëria e të gjitha universiteteve publike të Kosovës, që vitin akademik ta fillojnë më 1 tetor.

Për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, viti akademik do të fillojë në formë të kombinuar në formën virtuale dhe fizike.

Disa nga aktivitetet e procesit mësimor do të vazhdojnë të bëhen në formën fizike, si provimi pranues për studentët e ri, provimet dhe në të gjitha rastet universitetet publike do të respektojnë masat antiCOVID-19.

Ndërsa disa aktivitete të tjera, si ligjërata, konsultime, punime seminari etj. do të vazhdohen në formatin online.

Konferenca e Rektorëve konstaton se si rrjedhojë e shtyrjes së Provimit të Maturës për 29 gusht, studentët e vitit të parë do të pranohen me vonesë dhe mësimi për ta do të fillojë me një vonesë deri në dy muaj.

Pavarësisht nga kjo, Konferenca e Rektorëve angazhohet që semestri për këta studentë të jetë i plotë dhe pa asnjë dëmtim të rrjedhës normale të procesit mësimor./telegrafi