Viti i ri na jep shpresë…

Nga Kujtim Mateli

Fill pas saj,
Një fjongo e kaltër ditët e vitit mbështjell,
Ditë të mbushura me shqetësime njerëzish,
Mbushur me shira, me fruta, me diell.
Ndihet një parfum vjeshte në tavolinat tona,
Është tretur në ajër një zënkë e pak çasteve më parë,
Një trishtim që na vinte rrotull është tulatur diku,
Një gëzim i porsa lindur qoshen e bisedës ka marrë.

Ndjejmë nevojën për të folur më shumë,
Diçka e pathënë merr udhë dhe bëhet temë e bisedës.
Është çasti kur e duam më pranë njëri-tjerin,
Pyesim më shumë për njëri-tjetrin,
Gëzohemi më shumë për njëri-tjetrin.

Ato që s’mundëm t’i bëjmë nuk janë pak,
Njeriu gjithmonë është i penduar,
Gjithmonë e ka patur një shteg që s’e ka gjetur dot,
Ka patur një ftesë që s’e ka vlerësuar,
Në të njëjtin vend është rrotulluar kot.

Njeriu pendohet për çfarë nuk bëri mirë,
Po Viti i Ri na jep shpresë,
Na ndan nga e djeshmja si fëmijën nga nëna dhe na thotë:
Është një yll që njeriut duhet t’i prij,
Gotat ngrejmë dhe vështrojmë njëri-tjetrin:
A e ka gjetur secili yllin e tij?

ObserverKult