Kritiku i artit, Vittorio Sgarbi, është nën hetim për vjedhje të pasurisë kulturore. Lajmin e bëri të ditur fillimisht “Il Fatto Quotidiano”, sipas të cilës hetimi lidhet me një pikturë që i atribuohet Rutilio Manetti-t, e vjedhur nga Kështjella e Buriasco-s në 2013, e cila është rishfaqur në Lucca në vitin 2021 si “e pazbuluar më parë” dhe në pronësi të Vittorio Sgarbit.
Vetë Sgarbi ka hedhur poshtë çdo pretendim:
“Edhe një herë Il Fatto gënjen, duke përdorur informacione konfidenciale krejtësisht të panjohura për mua dhe avokatin tim. Nuk kam marrë asnjë njoftim për hetim. Nuk di si mund të hetohem për një vjedhje që nuk e kam bërë”.
Duke iu referuar detajeve që ka publikuar gazeta, Sgarbi gjen rastin të sqarojë: Nga sa lexova, vepra rezultonte e prerë keq. Ajo që kam unë është në kushte të mira dhe me një shtresë boje të ruajtur dhe uniforme.
“Çdo vlerësimi që t’i bëhet veprës, ajo e vjedhura është qartësisht një kopje, si gjithë të tjerat që ruheshin në atë kështjellë për të cilën nuk i binte ndërmend njeriu. As nuk besoj se është krim t’i bësh një fotografi një vepre të cilës të gjithë ekspertët ia kanë parë origjinalin të ekspozuar në Lucca”.
Sgarbi, kritik arti, historian dhe shkrimtar i njohur në Itali, mban detyrën e nënsekretarit të Shtetit për Kulturën. Por publikimi i këtij rasti mund t’i kushtojë atij postin që mban.
Lëvizja 5 Yjet ka nisur ndërkohë punën për largimin e tij. Në Senat pritet të paraqitet një mocion për Sgarbin, ndërsa kryeministres Meloni i është dërguar një letër me të cilën i kërkohet masë për zyrtarin që “ka cenuar nderin e institucioneve”.
ObserverKult
Lexo edhe: