Nga Edita Kuçi-Ukaj
Romani “Mbrojtja e Hoffmanit” i shkrimtarit suedez Kjell Espmark, të cilin e kam përkthyer nga suedishtja në shqip porsa është botuar nga Shtepia Botuese OM.
Këtë roman shkrimtari i madh dhe nobelisti Tomas Tranströmer e konsideronte veprën më të mirë të Espmarkut.
Kjell Espmark është poet, prozator, dramaturg dhe kritik letrar suedez. Ai ka punuar si profesor i Letërsisë Krahasimtare në Universitetin e Stokholmit në Suedi dhe nga viti 1981 është anëtar i Akademisë Suedeze.
Vepra e tij letrare, në poezi e prozë, si dhe ajo në fushën e kritikës letrare konsiderohet klasike në Suedi.
Kjo vepër në qendër ka shkrimtarin E.T.A. Hoffmann, gjeniun e shumanshëm të romantizmit – kompozitor dhe dirigjent, karikaturist, tregimtar, por edhe jurist. Ai pas rënies së Napoleonit ishte një gjykatës me integritet të pa korruptuar, atëbotë kur shtypja përshkonte shtetet e frikësuara europiane dhe sistemi i drejtësisë pritej të hidhte në burg çdo njëri me mendim të pavarur.
Ky roman është unik për mënyrën sesi historia letrare i shërben mrekullueshëm autorit për të krijuar një vepër tronditëse, prekëse – me sfond historik dhe gjithmonë aktuale.
Autori me një sens gjenial letrar, Espmarku e rikthen një personazhi të vërtetë letrar, gjermanin E. T. Hoffman në subjekt të fiksionit letrar, për ta përbashkuar fiksionin dhe të vërtetën në një vepër plot mesazhe, ku thumbohet ashpër çdo pushtet absolut e lartësohet krijuesi i papërkulur dhe që lufton me peripeci të mëdha për të mbrojtur deri në fund dinjitetin dhe lirinë e njeriut.
Espmarku duke u bërë mbrojtës i Hoffmanit, ai bëhet mbrojtës i madh i lirisë së dhe dinjitetit të njeriut, kritik i ashpër i pushteteve abuzive, kurse duke e lartësuar figurën e Hoffmanit deri në piedestalin më të lartë, ai në të vërtetë e lartëson estetikën kundrejt politikës.
LEXO EDHE: “KUR GJITHË UJI I BOTËS SHNDËRROHET NË LOT” I TUA FORSSTRÖM VJEN NË SHQIP