Vjen reagimi nga Ismail e Helena Kadare: Kush është kjo shkrimtare që fitoi Nobelin?

helena kadare

Çmimi Nobel për Letërsinë 2022 i jepet autores franceze Annie Ernaux “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”. Ernaux ishte ndër favoritët për të fituar çmimin.

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare ishte i katërti në listë mes 11 pretendetëve kryesorë. E përzgjedhur nga Akademia Suedeze, e një grup prej 18 anëtarësh, mes të cilëve, shkrimtarë, gjuhëtarë, studiues të letërsisë historianë e juristë të shquar, shkrimtares iu dha ky vlerësim në moshën 84-vjeçare.

Annie Ernaux është një shkrimtare dhe profesoreshë franceze e letërsisë. Vepra e saj letrare, kryesisht autobiografike, mban lidhje të ngushta me sociologjinë. Ajo e filloi karrierën e saj letrare në 1974 me Les Armoires vides (Cleaned Out), një roman autobiografik.

Në vitin 1984, ajo fitoi çmimin Renaudot për një tjetër nga veprat e saj autobiografike La Place (Vendi i një burri), një rrëfim autobiografik që fokusohet në marrëdhënien e saj me të atin dhe përvojat e saj duke u rritur në një qytet të vogël në Francë dhe procesin e saj të mëvonshëm të lëvizjes në moshën madhore dhe larg vendit të origjinës së prindërve të saj, transmeton ‘noa.al’.

Historia e një gruaje, Vendi i një burri dhe Pasioni i thjeshtë u njohën si librat e saj më të mirë nga “New York Times”. Ajo u nominua për Çmimin Ndërkombëtar Booker në 2019 për librin e saj “The Years”. Shumë prej veprave të saj janë përkthyer në anglisht dhe janë botuar nga Seven Stories Press.

Si e komentuan Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij çmimin?

Shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, e ndoqi në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë me bashkëshorten dhe miqtë e tij ndarjen e çmimit. I pyetur nëse ishte zhgënjyer që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim, Kadare u përgjigj se nuk kishte asnjë lloj përjetimi.

“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha,”- tha Kadare.

Ndërkohë bashkëshortja e tij, Helena Kadare u shpreh se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin, madje nuk kanë dëgjuar edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë.

“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.


Lexo edhe:

ANNIE ERNAUX FITOI NOBELIN PËR LETËRSI 2022

ObserverKult