Nga Vjollcë Berisha
Shërbimi që mund t’i bëhet gjuhës shqipe është gjetiu.
Shqipja në Maqedoni është vetëm gjuhë e përkthyer. Teksti bazë, ai i interpretueshmi, është teksti në gjuhën maqedone dhe alfabeti i saj cirilik.
Provo ta kesh emrin Nol. Në shkrimin ndërkombëtar të tij do të qëndrojë Nolj, pasi referenca prore është varianti maqedonas (cirilik) i transkriptimit.
Provo të bësh një kërkesë për certifikatë nënshtetësie, formulari është vetëm në maqedonisht.
Provo të pranosh ndonjë aktvendim gjykate (gjobë trafiku, kundërvajtjeje e të ngjashme) nuk kupton gjë po s’dite maqedonisht, pasi as edhe një fjalë shqipe nuk e gjen në të.
Provo të mbushësh një fletëpagesë në bankë, prapë veç në maqedonisht do të jetë.
Provo të kërkosh një fjalë shqipe në faturat zhvatëse të energjisë elektrike, apo në kuponët fiskalë që të jepen përditë, do të dëshpërohesh keq…
Këta janë vetëm disa shembuj. Për të thënë se uniforma e policisë bie e fundit në radhë për nga e drejta për t’u lëvduar.
Gjuha shqipe dhe mbrojtja e saj kërkojnë të tjera kushte të njëmendta. Bie fjala, ato, veç të tjerash, kërkojnë përkthyes të përgatitur, mbrojtje institucionale që do ta evitonin shtrembërimin e shqipes deri në përqeshje.
Kërkojnë përdorim të shqipes kudo. Absolutisht kudo dhe në të gjitha nivelet.
Le pastaj që gjuha shqipe e shqiptarët kërkojnë gjyqësi të pakorruptuara, policë që s’do të arrestojnë të pafajshëm, gjyqtarë e prokurorë që s’janë në anën e proceseve të montuara, kërkojnë shtet që i mbron, polici mike, pa standarde të dyfishta.
Duam shtet që flet shqip, jo qëndisma uniformash.
—————————–
Lexo edhe:
VJOLLCË BERISHA: A VDESIM SONTE?
ObserverKult