Pas suksesit të trefishtë të arritur në festivalin ndërkombëtar të filmit “Sundance Film Festival”, për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u.d. Presidentja Vjosa Osmani e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave regjisoren Blerta Basholli, thuhet në njoftimin nga Zyra e Presidencës.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, u.d. Osmani e përgëzoi Bashollin për suksesin e arritur në një prej festivaleve më prestigjioze ndërkombëtare. Si dhe për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në skenën ndërkombëtare të filmit.
“Puna që e keni bërë ju dhe kolegët tuaj ndër vite për tregimin e historisë së Kosovës përtej kufijve tanë është për t’u admiruar. Të gjithë në Kosovë krenohemi me të arriturat tuaja. Ju falënderohemi për kontributin e veçantë që po e bëni drejt krijimit të një imazhi të ri për vendin tonë”, ka thënë Osmani.
Osmani po ashtu theksoi që mbështetja për komunitetin artistik do të zë një vëmendje të veçantë. Dhe që puna, angazhimi dhe zelli i komunitetit artistik duhet të jetë referencë edhe për politikbërjen në vend.