Listës së vlerave të trashëgimisë natyrore të Kosovës i janë shtuar edhe shtatë monumente të reja të natyrës.
Sipas një njoftimi në Facebook, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës gjatë vitit 2019 ka realizuar studimin e vlerave natyrore në territorin e komunës së Vitisë.
Gjatë punës në terren, ekipet e Institutit në bashkëpunim me zyrtarët për mjedis të Komunës së Vitisë kanë evidentuar për mbrojtje 7 vlera të reja të natyrës si: Trungu i Bungbutes (Quercus pubescens) në Zhiti, Burimi i ujit termomineral në Ballancë, Trungjet e Qarrit (Quercus cerris) në Binçë, Trungu i Qarrit (Quercus cerris) në Germovë, Pylli i Mllakes (Quercus sp.) në Sllatinë e Epërme, Kompleksi i Trungjeve të Dushkut (Quercus sp.) në Sllatinë e Poshtme si dhe Guri i Blinave në Gjylekarë.
Sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, lista e monumenteve të natyrës së bashku me studimet e përgatitura për secilën nga këto zona i janë dorëzuar për miratim Kuvendit Komunal të Vitisë me ç ‘rast dje me datë 27.02.2020 ky Kuvend Komunal ka marr vendim për aprovimin dhe mbrojtjen e këtyre vlerave të natyrës në territorin e kësaj komune.
“Me këtë rast listës së vlerave të natyrës së Kosovës i janë shtuar edhe shtatë objekte te reja duke e zgjeruar listën e zonave të mbrojtura të Kosovës në 217 zona të mbrojtura të kategorive të ndryshme”, thuhet në njoftim.