
Nga Vlora Konushevci
Ne jemi këtu për juve. Ju veç duhet me na tregu për çka keni nevojë, dhe brenda mundësive tona kemi me ju ndihmu. Çka të duhet ty me u ndje ma mirë?
-Nji lopë.
-Lopë?
-Po.
-Por ne ofrojmë kurse të llojllojshme!
-Nji lopë m’duhet.
-Me shit qumësht?
-Po…
-Mirë po e shkruaj për pavarësi ekonomike.
-Për bukë m’duhet. Për bukë t’gojës.
-Mirë, e ti?
-Nji laptop.
-Sa mirë, a të pëlqen teknologjia?
-Jo, haber s’kam për atë punë. Por kam me mësue, du me i vazhdue studimet. Si çikë e re i kam lanë n’gjysmë. Tash edhe pse jam ba gjyshe du me i bitis.
-Mirë fort. E shënova, Laptop. E ti?
-Djalin e kam lanë n’spital.
-Pse, asht i smutë?
-Jo, nuk e di… ndoshta edhe mundet me qenë, e kam lanë aty, n’spital.
-Po pse?
-Se burrin ma kanë vra në shkurt të 98-tës.
-Më vjen keq, por ne jemi në 2025?
-Po, e di, kam kalendar.
-E djali në cilin spital asht?
-Nuk e di ku asht tash, unë n’spital e kam lanë. Ai ka lind në shtator 1999. S’duhet me rritë farën e flliqtë, kështu m’kanë thanë. As sytë s’ia kam lëshu. Shpesh mendoj çfarë ngjyre i ka sytë. Nuk ia kam pa. As n’gji se kam shti. S’kam mujt me mbajt n’dorë. A mundeni ju me ma gjetë djalin?
-Mundemi me ofru mbështetje… Na kanë thanë që gratë e traumatizume gjejnë qetësi edhe në yoga.
-Yoga?! Çfarë marrinash! Kemi pas boll mbështetje. Disa na mësun me qëndisë. Disa me heshtë. Djalin a mundeni me ma gjetë?
-Mundemi me ju regjistru në programin e fuqizimit për gratë e margjinalizume.
-Jo, jo, boll me këso pallavra. Nuk du.
-Ka trajnime për ndërmarrësi, për mentorim…
-A mos e dini qysh e ka emnin djali jem?
-Jo, m’vjen keq, nuk e di. Mundem me provu me gjetë dikend që merret me…
-A e dijnë ata që merren me…. qysh e ka djali jem emnin?
-Nuk e di. Ndoshta me shku në spital, ndoshta ka ndoj informatë aty.
-S’ka.
-Në rregull.
-Në rregull s’ka qenë kurrë… Po hajt. Ditën e mirë.
ObserverKult
Lexo edhe:





