Voskopoja mes pandemisë dhe shpresës për rikthimin e turistëve (Foto galeri)

Roland Beqiraj / Fotoreporter

Në fshat të sheh syri aty këtu ndonjë vendas, që merret me punët e bujqësisë.Të tjerët, shfrytëzojnë hapësirat e kopshteve dhe bahçeve për të kaluar orët e gjata të izolimit. Fshati, që vitet e fundit u kthye në epiqendrën e turizmit malor, i frekuentueshëm në të gjtha stinët, sot duket bosh dhe i shkretë.

Kohë pandemie, por banderolat e vendosura në çdo rrugicë të kujtojnë se është java e Pashkës. Kishat dhe manastiret, që mahnitin vizitorët me artin dhe  kulturën bizantine janë të mbyllura. Por besimtarët e gjejnë mundësinë,që të ndezin një qiri shprese edhe jashtë dyerve të tempujve.

Turistët dhe vizitorët kanë anuluar totalisht prenotimet prej fillimit të marsit deri në shtator. Mbi 40 hotele bujtina dhe shtëpitë pritëse, kapaciteti i të cilave shkon deri në 300 shtretër, janë mbyllur pa afat. Disa prej tyre janë në shitje ose jepen me qira. Më shumë se gjithçka, pandemia ka goditur turizmin e Voskopojës, i cili edhe në 97 -ën , thonë vendasit nuk ka njohur ditë më të zymta se këto. Diku në qendër të fshatit, afër një restoranti të mbyllur, sheh  punëtorë, që po hapin themele. Ka qenë një shtëpi,që të zotët e kanë prishur, për të ndêrruar një bujtinë.

Kanë shpresë se do ta ndërtojnë dhe venë në punë deri në shtator, kohë kur besojnë se pandemia do marrë fund dhe gjithçka do t’i kthehet normalitetit. Vit pas viti, voskopojarët u  investuan fort në turizëm, duke ndërtuar apo vënë edhe shtëpitë e tyre, në funksion të vizitorëve,të cilët kalonin jo ditë, por edhe stinë në fshatin rrethuar nga gjelbërimi i përhershëm,që priste çdo vit mbi 30 mijë vizitorë./balkanstimes