Diçka të poshtër bashkë me ty pata bërë dhe unë një ditë… Poezi nga Dritëro Agolli
Nga vrimë e kujtesës sime të mjegullt
Ti dole dhe mua më solle në mendje një zhabë,
Kur shfaqet nga plasjet e dheut dhe hidhet mes pellgut.
Vërtet s’e prisja të delte vjedhurazi prapë
Ajo e fshehura kokë nga vrimë e kujtesës sime,
Nga vrimë e mbuluar prej kohësh me napë.
Dhe gjëja e fshehur kur del të sjell pështjellime,
Të sjell një ankth e trishtim të paparë,
Të bën në ndërgjegjen e lodhur zhbirime,
Të zhyt në govatën me myshk të palarë,
Ku laheshe ti mes leckash të ndyra
Dhe ndyje të tjerët tek hiqeshe zvarrë.
Kërceu e pështirë nga vrima fytyra
Me sytë e tu kuqalashë e cinikë,
Ah, më parë ti nxore flokët e zverdhur nga lyra.
Dhe unë, i patremburi, u drodha fundosur në frikë,
Diçka të poshtër bashkë me ty pata bërë dhe unë një ditë
Dhe ti më nxore nga vrima një zhabë të fshehtë e të ligë,
Një zhabë që bën kua-kua në llum të kujtesës së mpitë…
Maj,1995
*Titulli i origjinalit: “Në vrimën e kujtesës”
ObserverKult
——————————————————————————————
LEXO EDHE: Vëllai i Dritëro Agollit tregon debatin e fundit me Ismail Kadarenë
Të flasësh për një prej njerëzve më të dashur, nuk është edhe aq e thjeshtë. Ke kaq shumë për të treguar, saqë nuk di ç’të tregosh mes tyre.
Në librin me kujtime “Ky është Dritëroi im”, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro”, Tajar Agolli, vëllai i Dritëroit, tregon për lidhjen me të vëllanë që në vitet e fëmijërisë, lidhjen me gjyshërit, prindërit, fshatin, shkollimin, deri te jeta e përbashkët në Tiranë, në një shtëpi 1 dhomë e një kuzhinë.
Tajari tregon për dramën e Dritëroit, atë të ndarjes nga bashkëshortja e tij ruse, e cila u largua drejt Bashkimit Sovjetik bashkë me të birin 7-vjeçar. Ai tregon shkaqet e largimit dhe si e përjetoi Dritëroi.
Më pas erdhi emërimi i tij si Kryetar i lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, deri te Kongresi X i PPSH-së, një situatë jo e thjeshtë për Dritëroin, të cilit iu vunë kundër edhe miqtë e dikurshëm. Tajar Agolli tregon edhe për lidhjen e Dritëroit me Ismail Kadarenë dhe arsyen e ftohjes së tyre.
TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU