Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se hyrja në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit dhe punimet në rrugë të cilat ai i quajti ilegale, “rrezikojnë njërën nga shenjtoret më të mëdha serbe dhe se ky akt është në kundërshtim me themelet evropiane të civilizimit dhe shkelë rregullat të cilat i ka nënshkruar vetë Prishtina”.
Presidenti i Serbisë ka shtuar se në takimin e ardhshëm në Bruksel, do të kërkojë nga përfaqësuesit Prishtinës dhe ndërmjetësuesve evropianë që të ndalen menjëherë punët ndërtuese në këtë zonë të mbrojtur, në një deklaratë të lëshuar nga presidenca, transmeton Koha.
Vuçiqi ka shtuar se Serbia i sheh këto punime si, “presion ndaj Serbisë dhe si porosi që trashëgimia kulturore dhe fetare serbe është peng i dëshirave të shqiptarëve”.
“Pres që BE-ja t’i bëjë trysni të madhe Prishtinës që të ndalet kampanja e rrezikimit të shenjtoreve serbe në Kosovë, ngase ato janë në të njëjtën kohë edhe monumente të çmueshme të kulturës krishtere në Evropë, dhe çfarëdo sulmi ndaj tyre është sulm ndaj vlerave themelore evropiane”, ka shtuar ai, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidencës serbe.
E rreth kësaj çështje ka reaguar edhe kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili e ka quajtur “të çmendur” përfaqësuesin e Manastirit të Deçanit, Igumeni Sava Janjiq.
“Kur i “çmenduri” udhëheq Manastirin e Deçanit, çmenduritë sa vijnë e shtohen për komunën tonë. E sidomos kur të çmendurit i dëgjohen dëshirat rezultatet janë më tepër se shoviniste. Kam arsyetuar e argumentuar shumë, që objektivat tona janë krejtësisht paqësore”, ka thënë Ramosaj.
Ramosaj ka shtuar se ndërtimi i Rrugës R-108, e cila kalon në zonën e veçantë të mbrojtur, në thelb e ka “vetëm konceptin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, vetëm kaq!”.
“Me pasurinë që zoti ia fali kësaj komune duam t’i rrisim fëmijët tanë me një standard më të lartë ekonomik. Në këtë përpjekje nuk do të ndalem, derisa të jem në punë si kryetar i komunës”, ka shtuar Ramosaj.