Wislawa Szymborska: Nuk e di…

I vlerësoj shumë këto dy fjalë të vogla: “Nuk e di”. Të vogla, por të pajisura me krahë për fluturim. Ato na e zgjerojnë jetën në një dimension që nuk përshtatet me veten tonë dhe në madhësinë në të cilën Toka jonë e vogël qëndron pezull.

Nëse Isak Njutoni nuk do të kishte thënë me vete “Nuk e di”, mollët në kopshtin e tij mund të binin ende si breshër dhe ai, në rastin më të mirë, thjesht do të përkulej për t’i marrë dhe për t’i ngrënë.

Nëse bashkatdhetarja ime Maria Sklodowska-Curie nuk do të kishte thënë me vete “Nuk e di”, ajo ndoshta do të kishte qëndruar si mësuese kimie në një shkollë për vajza të reja nga familje të mira dhe në këtë punë, padyshim shumë të denjë, do t’i kishte shkuar jeta, pa u njohur. Por ajo vazhdonte të përsëriste “Nuk e di” dhe pikërisht këto fjalë e sollën dy herë në Stokholm, ku çmimi Nobel u jepet njerëzve me shpirt të shqetësuar dhe në kërkim të vazhdueshëm.

Edhe poeti, nëse është një poet i vërtetë, duhet të përsërisë vazhdimisht “Nuk e di”. Me çdo varg ai përpiqet të përgjigjet, por në momentin që vendos pikën e fundit, e sulmojnë dyshimet dhe kupton se përgjigja e tij është e përkohshme dhe në asnjë rast të kënaqshme. Atëherë, përpiqet vazhdimisht, në mënyrë që shenjat e njëpasnjëshme të pakënaqësisë së tij me veten, historianët e letërsisë t’i mbajnë me një kapëse letre të madhe për t’i quajtur “Vepra”.

(Në shqip Bajram Karabolli)

ObserverKult


Lexo edhe:

WISLAWA SZYMBORSKA: PO SIKUR E GJITHA KJO TË NDODHË NË LABORATOR?

Po sikur e gjitha kjo
të ndodhë në laborator?
Ditën nën një llambë të vetme
dhe nën një miliardë llamba natën?

Mos ndosha jemi thjesht një brezni-test?
Të derdhur nga një epruvetë në tjetrën
të tundur nëpër distilatorë
të vëzhguar me diçka më shumë se syri,
gjithsekush më vete
të kapur me pinceta?

Ose ndryshe:
Pa asnjë ndërhyrje?
Mos ndoshta evolucioni
ndjek udhën e tij sipas planit?
Dhe gjilpëra e grafikut ravijëzon ngadalë
zigzaget e parashikuara qysh më parë?

Mos ndoshta deri këtu asgjë e jashtëzakonshme?
Monitorët kontrollues i ndezin rrallë?
A ndoshta vetëm gjatë një lufte jo të vogël,
gjatë fluturimesh të largët jashtë ngastrës tokësore,
a gjatë shtegtimesh mes pikave A dhe B?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KETU:

ObserverKult