Mary Wollstonecraft me të drejtë njihet si themeluese e asaj që sot e njohim si rrymë feministe kur në një periudhë revolucionesh (1792) ajo përpiloi dhe botoi traktatin e saj epokal me titullin “A Vindication of the Rights of Woman” (në shqip i përkthyer si “Një përligje për të drejtat e gruas”).
Nga Vlora Konushevci
Kështu Wollstonecraft krijoi terren të ri për arsimimin e grave, manifest që i qëndroi kohës duke qenë edhe sot, pas 200 viteve, një nga manifestet më të rëndësishme dhe elegante të historisë kundër shtypjes seksuale.
Wollstonecraft argumenton qartazi duke marrë një pozicion të pazakontë për periudhën në të cilën jetoi dhe duke u shndërruar në tabelë qitëse prej shumë përfaqësuesve të brezit të saj kryekëput patriarkal. Ajo argumenton mbi rëndësinë e lejimit të qasjes së barabartë të grave të reja në sistemin arsimor dhe pohon se gratë sikurse homologët e tyre burrat, duhet të përcaktohen nga thirrjet e tyre dhe jo nga partnerët e tyre martesorë.
Në pjesën e dedikimit Wollcraft shkruan: “Dashuria për racën njerëzore e bën stilolapsin tim të shigjetojë me shpejtësi në mbështetje të asaj që unë e quaj shkak i virtytit: dhe i njëjti motiv më udhëheq zellshëm për ta parë gruan në një pozitë prej të cilës ajo do të përparonte tutje”.
Në hyrje Wollstonecraft thekson qëllimin e manifestit: “Gjinia ime, shpresoj, të më falë, nëse i trajtoj ato si krijesa të arsyeshme, në vend se t’u bëjë lajka hireve të tyre magjepsëse dhe në vend se t’i shoh ato në një gjendje të fëmijërisë së përhershme, të paafta për të qëndruar vetëm. Unë sinqerisht dua të theksoj se ku qëndron dinjiteti i vërtetë dhe çfarë përmban në të vërtetë lumturia njerëzore. Dëshiroj t’i bindi gratë të përpiqen të fitojnë forcë, si të mendjes ashtu edhe të trupit, dhe t’i bindi ato, se frazat e buta, delikatesa emocionale, ndjeshmëria e zemrës dhe përsosja e shijes, janë pothuajse sinonime me epitete të dobësisë, dhe me ato qenie që janë vetëm objekte të keqardhjes që nxisin edhe dashuri të tillë keqardhëse, të cilat së shpejti do të bëhet objekt përbuzjeje.”
Duke vazhduar tutje argumentimin: “Fuqizoni mendjen femërore, zgjerojeni atë ngase vetëm kështu do t’i vie fundi bindjes së verbër; por, meqenëse bindja e verbër kërkohet ndonjëherë nga pushteti, tiranët dhe sensualistët kanë të drejtë kur përpiqen t’i mbajnë gratë në errësirë, sepse të parët duan vetëm skllave, dhe të fundit duan një lodër.”
Në përfundim:
“Lironi gratë dhe ato së shpejti do të bëhen më të mençura dhe më të virtytshme, paralelisht me njerëzimin, ngase përparimi duhet të jetë i ndërsjellë, ose drejtësia të cilës gjysma e racës njerëzore është detyruar t’i nënshtrohet, duke iu kundërpërgjigjur shtypësve të vet, do ta bëjnë virtytin e njeriut ta hajë krimbi, insekti të cilin e mban nën këmbët e tij.”
Ajo vdiq me 10 shtator 1979 dhjetë ditë pasi lindi vajzën e saj Mary Wollstonecraft Shelley shkrimtaren e romanit “Frankeshtajn”, e cila më vone u martua me poetin anglez Percy Bysshe Shelley.
ObserverKult