Xhabir Ahmeti: E mbante në mend mirë pamjen e burrit që tash u tret thuajse nuk kishte qenë fare aty…

dashurisë admirimi

Nga: Xhabir Ahmeti

Doli jashtë dhe e mbylli derën me rrëmbim. E dëgjoi përplasjen; s’i bëri përshtypje kjo, por kërcëllima e mërziçme që t’i çon flokët përpjetë. “Uh” bëri ajo “m’i marrsh të ligat” dhe sahora u gjet në park. Një burrë rrinte vetëm atje. I gjatë me hundë shkabe dhe me vetulla të trasha prej të cilave nuk mund të dallohej ngjyra e syve të tij të vegjël, qëndronte mbështetur për trungun e mështeknës së re. Asaj iu duk se iu drejtua me emër: Oj Martë!

Marta e përbiu pështymën, pastaj për disa çaste e ndjeu se gojën e kishte të thatë. Ishte e marrshme dhe e druajtur. Nuk mundi të përgjigjet menjëherë. Njeriu të cilin e pa Ajo ndoshta nuk ishte i bukur, mirëpo e kishte njëfarë fuqie të ofrojë mbrojtje gjë të cilën e duan shumica e grave. Dhe, dikur ajo u përgjigj: “Urdhëroni!” E mbante kokën lëvarur dhe shikonte në tokë duke pritur që ai të paraqitet pas përgjigjes së saj. Një amshim i tërë ra mbi të. Dhe heshtje.

Kur e ngriti kokën Marta e pa blerimin e paskajmë të parkut. Kurorat shumëngjyrëshe të drurëve ishin të pagojë. Qetësia e shurdhër e mbulonte hapësirën para saj. Pastaj ajo vërejti dy zogj si luftojnë mes vetes për vend në një degë. Kurse dielli lëshohej ngadalë prapa mali.

Një grua e trashë nga ballkoni i një shtëpie pranë parkut i shkundte thërrmitë prej çarçafit.

Martës nuk i kujtohej pse kishte dalë jashtë. Të ulet në park, të blejë diçka apo të shkojë te fqinja e saj për të pirë kafe pas dite. Por e mbante në mend mirë pamjen e burrit që tash u tret thuajse nuk kishte qenë fare aty.

*Titulli i origjinalit: “Njeriu në park”

ObserverKult

nga xhabir ahmeti
Xhabir Ahmeti

Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: O SA NA KA MARRË MALLI PËR MËNGJESET ME TY…