Xhabir Ahmeti: Luran, gjithçka përfundoi me pikëllim të thellë pasi të humbëm Ty…

xhabir ahmeti - për luraninn
Luran Ahmeti

Përkujtim: TETË MUAJ PA DJALIN TIM TË MIRË, LURANIN

Nga Xhabir Ahmeti


“Myzhde, myzhde, se t’u shtua një pushkë”! më tha me shaka një infermiere me të folmen e bukur të Rekës. Ajo sigurisht më ka njohur, se nuk ishte hera e parë që isha para derës së maternitetit javën e fundit. Pastaj m’u kthye maqedonisht, sepse ishte kohë e asimilimit intensiv të shqiptarëve ortodoksë: “Dil jashtë e shiko kah dritaret”! shtoi dhe hyri brenda. Dola me emocionet që gëlonin. Qëndroja në këmbë duke shikuar lart me ato ndjenja të pashpjegueshme që të mbushin me magji e shkëlqim dhe të çlirojnë nga prangat e përditshmërisë. Sepse atë ditë u linde Ti, djali im. Lurani im.

Ka qenë verë me vapë, 31 korrik. Atë ditë i lashë të gjitha punët, e harrova betejën me orkestrën e errësirës që i ndiqte hapat e mi si te Kafka dhe iu dorëzova krenarisë. Ishte çasti më i lumtur për mua, kështu që në ato çaste koha u ndal. Dhe, më në fund ja më erdhi dhurata e shumëpritur: doli nëna Jote me Ty në krah.
“Djalë”! më tha ajo.

E shikuam njëri-tjetrin dhe të dyve na lidhi një rreze gëzimi. Hapësira e përhimët rreth maternitetit tash u dominua nga blerimi që derdhej nga akaciet dhe drunjtë tjerë pranë rrethojës. U bë një pamëni tjetër rreth maternitetit, e mbushur me ekzaltim e dritë.

Të shikoja ashtu të vogël dhe e ndjeja se do të bëhesh një djalë i mençur dhe i bukur. E këtillë më sillej hija jote dhe endej në shpirtin tim e në imagjinatën time, e cila i hapte shtigjet që premtonin një të ardhme të shkëlqyeshme për Ty, biri im.

Ishte një gëzim që shpejt e pushtoi edhe hapësirën kah më rrokte syri, nga materniteti e deri te Mali i Krojeve. Rreth e më rreth thuajse gjithçka u prarua. Vapa e korrikut tretej e s’e ndjeja fare nga lumturia. Pastaj u shfaq era e butë, e cila i lëvizte gjethet e drurëve që i kisha pranë. Filloi loja gazmore e rrezeve të diellit me hijet e gjetheve. Diçka e mrekullueshme kishte ndodhur për mua. Kisha një vajzë të këndshme, tash u bëmë edhe me djalë. Nisi edhe bari me barishtet të luajnë baletin magjik nën thuprën dirigjuese të erës. Gjithçka u vu në shërbim të festës sime.

I ndjekur nga shkëlqimi të cilin e përshkonte një vijë e rrëmbyeshme hareje, u ktheva në shtëpi. Ku ditë e natë na vështronte syri i padukshëm. U ula në ballkonin pa parmakë dhe nuk ia varja fare syrit të fushës e as veshit të gardhit që venerojnë e m’i matin hapat me peshore barnatoreje çdo fjalë që e them e që e shkruaj! Atëherë e dëbova edhe pasigurinë që ishte pjesë e përditshmërisë sime.

Bota kësaj dite ndryshoi, ishte e përcjellë nga notat e çuditshme që i prodhon kozmosi. Kisha festën më të madhe të jetës sime.
Doja të festoj në shtëpi me atë që kisha. U nisa kah kthina që na shërbente si kuzhinë, por sa e bëra hapin e parë, nga kuzhina doli gjyshja Jote. Nga patosi që s’më lëshonte më kishte dalë mendsh se ajo e para kishte ardhur për Ty. Duke e ditur se nuk kisha ngrënë, ajo ma shtroi sofrën me bukë e djathë e një copël pjepri.

“Këto i gjeta”, tha.
“Si për mbret”, ia ktheva.
Ajo pastaj, nuk më kujtohet kush e shoqëroi, u nis për në maternitet. Sa e mbylli derën prapa saj, m’u përhi se qëndronte para dritareve të maternitetit. Dhe, të priste ta përshëndesësh me një gugatje. Ndoshta kjo më vinte nga ndërdija që ta mbaj të gjallë atmosferën dhe pamëninë e bukur kur doli Nëna Jote te dritarja me Ty. Rrija në karrige para tryezës duke i dhënë hapit të fantazisë. Kujt i shkonte mendja për bukë! I fërkoja duart dhe heshtja. Ishin çaste kur vetmia nuk guxonte të më afrohet. Unë kisha festë!
Para meje kisha derën e madhe dhe oborrin e djerrë. Megjithatë i gjithë oborri e bashkë me të edhe rrethoja e dera e madhe, bar e barishta, u kthyen në një skenë lumturie. Se ishte festa ime.

I shikoja bletët që ishin mbledhur rreth coplës së pjeprit që kishte mbetur mbi tryezë. Ato me lëvizjet që bënin duke thithur sheqerin nga lëngu i pjeprit dukeshin se po luajnë një balet gazmor. Edhe bari më dukej më i shëndetshëm dhe mbi të fluturat që fluturonin e bënin një pikturë të paparë. Sepse ishte kjo festa më e dashur për mua.

Dola nga shtëpia, të marr harxh se tash do të vije Ti, anëtari më i ri i familjes. Një princ për ne dy prindërit e rinj. Atëherë do të shpërthejë kënga nga radioja. Sa po shkoja drejt dyqanit që është larg nja pesëmbëdhjetë minuta, dukeshin cuklat e vapës si dridheshin në ajër dhe e shtonin intensitetin e të nxehtit të korrikut. Pamja e Nënës Tënde me Ty nga dritarja e maternitetit ishte gurëcuar dhe pushonte në mendtë e mia. Ishte kjo një pikturë të cilën mund ta realizojë vetëm Mikelangjeloja. Dhe ajo do të më shoqërojë deri në frymën e fundit.

U ktheva i ngarkuar me ushqime e gjera të tjera, por s’e ndjeja as vapën as peshën. Sa e shtyjva derën e madhe për të hyrë, e shoh një vazo me lule të bardha në ballkonin e ulët. E dija se është dhuratë, një shenjë e bukur se ka edhe njerëz të tjerë që mendojnë për ne. Që janë gëzuar si ne. Afrohem. Gladiola.
Gëzim. Gëzim. Gëzim.

Mezi prisja që në derën tonë të hyjë djali im të na përshëndesë me notat e shpresës së madhe të vajit të foshnjës.
Sa rrija aty duke pluskuar në gëzimin që më rrethon, u hap dera e madhe, e cila nuk mbyllej kur me çelës a me dry:
“Urime, urime”! thanë dajët dhe tezja Jote që hynë bashkë me harenë rinore në këtë shtëpi me ballkon pa parmakë, me mure të plasaritura dhe me cungje të derdhura e të shpërndara andej e këndej, që është parajsë për hithrat dhe barishtet. Po me frymën e ngrohtë të dashurisë. Flisnim e ngatërroheshim nëpër galdimin që na përshkonte si përroi i vrullshëm tegelin e malit që derdhet diku si ujëvarë duke bërë plot ylbere.

“E paç me jetë të gjatë djalin”!
“Bashkë me ju! ua kthej.
Kjo panoramë është pjesa më e bukur e jetës sime. Është ngjarje madhështore. Festë që nuk përshkruhet.
Dhe, Ti biri im, u bëre ashtu siç thoshte ëndrra ime nga çasti kur të pashë me Nënën Tënde në dritaren e maternitetit. U bëre një djalë që na deshe pa kufi, u bëre një artist që ta kishin lakmi. E ngrite të lartë oxhakun e familjes sonë.


* * *
Po tash, kur u bënë tetë muaj që s’të kam pranë, në vatrën tonë, aty ku shkonte flakë gëzimi dhe festa, tash aty i ka hapur krahët e vet zbrazëtia dhe dhembja. Gëzim s’ka më për ne. Gjithçka përfundoi me pikëllim të thellë pasi të humbëm Ty! Oxhaku ynë u thye! Shtëpia jonë është më “anija e dehur” e cila ka mbetur pa direk, kurse unë jam Nuhu ose Noa i plagosur. Dhe, dëshpërimi do të na ndjekë deri në amshim.
Me Ty iku edhe ëndrra jonë për ta kaluar lumturinë e moshës së vjeshtës pranë Teje. Me largimin Tënd humbëm gjithçka. Tash nga sytë tanë të përlotur buron shpresa dhe dashuria për Arbën, bijën Tënde të vogël, që aq shumë e doje e që vazhdimisht më thoshe me krenari: Babi, shiko, u rrit Arbushi! Po u rrit dhe ajo ka filluar të krenohet me ty edhe pse është vetëm një nxënëse e klasës së parë
Të duam pa kufi Lurani ynë!

LEXO EDHE: XHABIR AHMETI: O LURANI I BABIT, SOT U MBUSHËN DY MUAJ QË S’TË KAM NË SHTËPI