Xhabir Ahmeti: Viti i ri pa djalin tim të mirë, Luranin

xhabir ahmeti - për luraninn
Luran Ahmeti

Biri im, Lurani im,

Është viti i ri i parë që ne jemi pa harenë të cilën e sillje ti, sepse ti ishe djalë që do t’ia kishin pasur lakmi të gjithë prindërit. Drita që rrymonte me Ty e mbushte çdo kënd këtu, sot është e plogësht. Tash këtë dritë s’e kemi, tash jemi të lidhur me kujtimet e shumta herë të zymta herë të ndritshme. Mua më kujtohet ora e murit e gjyshit tim që me tiktakun e saj na bënte me dije se koha na mban për dore dhe na çon me shpejtësi kah Fushat e Elizesë. Ajo orë s’ishte për ta dashur, por ajo kishte rend. Po, ja që jeta nuk përputhet me orën e gjyshit, jeta ditka të bëjë përjashtime. Ndodhka që ta djegë drurin e njomë para drurit të moçëm.

Atmosferë e papëlqyeshme është, por ne e ndjejmë praninë Tënde, biri im. Dhe, vazhdojmë të presim që Ti të shfaqesh dhe me shkëlqimin e buzëqeshjes Tënde ta përkëdhelësh këtë shtëpi dhe të bëhesh gati të shkosh të festosh me Edlirën, si atëherë kur dilnit me shoqëri e para se të shkonit, na thoshe: “Po ju lëmë vetëm”, me një ton i cili e shprehte sinqeritetin se të vinte keq që ne do të mbeteshim në shtëpi. Po, ne gëzoheshim, biri im, që dilje me shokë, gëzoheshim që ju shihnim bashkë me Edlirën, që ju shihnim me mendime të kthjellëta dhe me ambicie të shëndetshme në profesionet tuaja, Ti si aktor e Edlira si kostumografe e skenografe. Kur e hapje derën të dilni e ktheje kokën kah motra jote, Linda, i thoshe: “Lindush, pse s’erdhe edhe ti? Nuk do të mund të kënaqem sepse s’do të jem i qetë që ti natën e Vitit të ri po e kalon në shtëpi”. Pastaj, para se të shkonit, ktheheshe prapë në dhomë, e përqafoje nënën Tënde dhe kështu ishte çdo ndarje. Në ato çaste yjet që shndrinin në qiell, ndaleshin dhe e drejtonin shikimin kah dritaret tona dhe shikonin. Ti edhe kur shkoje në hotelin ku do të festoni na thërrisje në telefon: “Si ju kam, babush?”, na pyesje. Natë, por drita e krenarisë na shpërlante atëherë sepse Ju kishim juve. Na pushtonte një ndjenjë thuajse dielli në pikë të natës është futur brenda në dhomë të na qerasë me shkëlqim t’i ndjekë copat e territ që binin jashtë ndërtesës sonë me ndihmën e pushtetit.

Kështu i kaloje Ti festat e vitit të ri.

Kur të pyesnim ne: si kaluat?

Si gjithmonë… viti i ri si viti i ri… na thoshe.

Nuk doje asnjëherë të na lakmosh. Ishte ky kujdes i skajshëm për ne se na doje pa masë.

Kjo ishte jetë…

Në fund të këtij viti të mallkuar ne u plakëm për një vjet, Arbushi u rrit për një vjet, kurse Linda dhe Edlira ia shtuan moshës së tyre edhe nga një vjet. Vetëm Ti mbete përgjithmonë i ri, biri im. Pas Teje mbetën shkretëtira dhe përpjekjet tona t’ia kompensojmë Arbës pak nga ai gëzim kozmik që ia falje ti. Kjo është detyrë e vështirë, sepse Arbushit i duhet zëri yt ta dëgjojë para bredhit që ajo vet me nënën Tënde e stolisi që të na befasojë. I duhen dhuratat që ia blije Ti. Arbushi e mirë dhe e mençur nuk harron kurrë të thotë: “Këto stoli m’i ka blerë, babi”… Globin që është edhe abazhur e kam dhuratë me porosinë e babit tim…”. Dhe, këto fjalë e sjellin magjinë e Arbës që për çdo ditë sjell nga pak pranverë në këtë shtëpi tash të ngrysur, në parkun e së cilës, para hyrjes, qëndron një shelg i përvajshëm, qëJo vetëm drita, por verë dimër në gjethet e tij ka pika lotësh. Janë lotët e nënës, të motrës dhe të Edlirës që filluan të rrjedhin nga çasti kur ti u bëre yll e s’ndalen as tash kur ti u shndërrove në meteor, duke e shtangur dritën Tënde në kujtesën tonë. Jo vetëm drita, por çdo gjë është gurëcuar para nesh, sepse pa Ty ka humbur kuptimi dhe kënaqësia që ishin shtylla të rëndësishme të këtij oxhaku që e ngritëm bashkë me mundime.

Vetëm Arba Jote e vogël e sjell me grusht gëzim, e shpërndan nëpër dhomë dhe e largon heshtjen e rëndë që na ka pushtuar. Dhe, di ta heqë këtë tis.

Arba është vetë shkëlkqimi lëbyrës kozmik që na e ke lënë neve ta ruajmë siç është ruajtur dikur drita e Olimpit. Duket qartë se providenca e ka vendosur mirësinë Tënde te kjo vogëlushe e dashur, te bija Jote dhe Edlirës dhe mbesa jonë dhe e Lindës.

Sivjet as u hap dera, as ishe Ti duke dalë. Ishte vetëm pritja jonë që të mbyllet dera pas Teje kur shkoje me hapa solemn, por me një zbrazëti në zemër për ne dhe pritja jonë që të kthehesh nga festimi të na përqafosh, se e dije që vetëm kështu ne rehatohemi dhe shkojmë të flemë. Kur ktheheshit Ju, Edlira e Ti, na pyesnit për Arbën: “A e zuri gjumi herët Arbushin? A qau”?… Përgjigja jonë ka qenë gjithmonë: “Arbushi u kënaq duke lozur. Arbushi është fëmijë i mbarë! Edhe ne u kënaqëm me të”. Ju pastaj shkonit në dhomë ta shihni. Pastaj Ti dilje e thoshe: “Fle si qengj “cunci i vogël”. Pastaj uleshe në vendin Tënd të preferuar dhe na tregoje si keni kaluar, duke mos harruar të na pyesësh neve: “Po ju, si kaluat ju”? Kështu ka qenë viteve që i mori shakullina, por sivjet është ndryshe. Koha është ndalë për Ty nga 25 marsi i vitit që iku, ndërsa për ne me shpejtësi rritet dhembja që s’të kemi. Në shpirt na digjet nga një qiri, por shpresa se Ti do të paraqitesh me atë gjallërinë Tënde është e pashmangshme. Se, neve nuk na besohet që Ti s’je e s’do të na besohet deri në frymën e fundit.

Zinxhirin e ditëve të vështira e shoqëron vesa e lotëve. Bisedat e zëshme e gazmore, plot humor që kemi pasur, i ka zëvendësuar pëshpëritja që u jep fytyrave tona pamje të pikturave të dëshmorëve të flijuar. Kështu do të rrjedhin ditët tona plot pikëllim.
Sa të duam biri im, sa të duam. Emri yt e shkrin nga pak akullin e pasigurisë për të ardhmen e dritës sonë, Arbës sonë, e largon pushtetin barrierave dhe e hap shtegun e ëndrrës se Arba do të bëhet ashtu siç deshe ti! Djali im i mirë!

ObserverKult


Lexo edhe:

O DJALI IM, O SHPIRTI IM, O LURAN, VËSHTIRË E KEMI PA TY, BIR! SHUMË VËSHTIRË!