Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Xhabir Tabaku.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
– Që i vogël fare, po të konsiderojmë letërsi edhe mësimin e abc-së. Më kujtohet edhe libri i parë që kam lexue. “Vizëbardha”, bëhej fjalë për një patë qe del nga fshati dhe bie në qytet. Aty ndeshet me rregullat e qarkullimit rrugor. Shklet nëpër vizat e bardha dhe polici ia tërheq vëmendjen.
Pastaj pata bahet mbikqyrëse e vizave të bardha dhe ndihmon të moshuarit e të vegjëlit për të kaluar rrugën mbi vizat e bardha dhe kësisoj merr nofkën vizëbardha. E kam lexuar me babën tek më mësonte shkrim e këndim. Kam qenë pa hy në shkollë. Baba më lexonte përnatë. Ja, kështu pak a shumë ka ngjarë… lexime përnatë, herë me babën herë me nanën. Ishin mësues të dy, dhe lexues të mirë.
Kur ratë në “grackën” e saj?
-Ma vonë u bana indipendent në të lexuar. Krijova ngadalë – ngadalë shijet e mia dhe mbi bazën e trashëgimisë familjare të bibliotekës fillova t’i jap asaj ngjyrat e mia. Sot i kam raftet plot. Nuk e di se si mund ta dalloj të rënit në “grackë”, por mund të them se vetëm për periudha të shkurtëra kam qenë jashtë “grackës”. Periudha ma e gjatë pa lexuar ka zgjatur 10 muaj. Isha në një kamp refugjat, s’kisha libra. Periudha që kam qenë i ngërthyer ma së shumti me lexim letërsie ka qenë gjatë shërbimit ushtarak. Sa isha ushtar lexoja tre libra në javë.
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-Oh, sikur ta dija ç’ishte pyetja e tretë s’do e filloja këtë bisedë me ju. Nuk e dija se e gjitha ngrihet mbi supozimin e të qenit shkrimtar. Mendova se si lexues do të isha i ulur në këtë karrike. Por e nisa dhe po e mbaroj me presupozimin e të qenit i tillë, pra shkrimtar. Nuk e di nëse ka një moment që edhe shkrimtarët e vërtetë ndjehen të tillë. Ma don mendja se asht nji proces në vazhdim.
Kam botuar dy vëllime me poezi “Gri” dhe “bir’ i fëllanzës”. Kur shtëpia botuese më solli kopjen e parë të librit të parë për shikimin e fundit ma solli djali im Abazi dhe më tha: -hej bab, tash mund të them se e kam babën shkrimtar. Ndonëse mendoj se jam i përvujtë në përgjithësi e në ketë drejtim hala ma shumë, më duhet me thanë se disi ndjeva të më përkëdhelej sedra. Por s’e quaj vedin shkrimtar, jo.
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimenzionale vetes “Pse shkruaj”?
– Po. Sidomos kur s’më shkon mbarë. Por e di përgjigjen. Shkruaj sepse që i vogël ndjehesha mirë mes shkrimtarësh. Ata ishin “idhujt” e mi. Shkruaj edhe pse ndjej se mund të tregoj diçka. Përherë më kanë thanë se i tregoj bukur ngjarjet. Edhe që i ndryshoj sa herë i tregoj ma kanë vu në dukje. Baba im ishte tregimtar i rrallë. E dëgjoja me vëmendje kur tregonte. Kishte humor të rrallë dhe atë e shkrinte natyrshëm me ngjarjen që tregonte. Po të kishte shkruar, do të kishte qenë shkrimtar i rrallë. Doja t’i ngjisja përherë.
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
-Nuk e di. Shkrimet e mia së shumti janë të pabotuara. Pjesa e botuar s’i është nënshtruar ndonjë kritike serioze, të gjerë e të thellë ndaj s’kam referenca që të më ndihnin në ndonjë konkluzion. Por po mendoj se ndoshta njëfarë origjinaliteti. Nuk di me thanë diçka konkrete vallah.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Nuk e di në të vërtetë. Ndoshta ngase hala jam në rrugëtim e sipër. Dua ta flas shpirtin e mendjen deri në thellësi. Nuk besoj se ndokush ia ka dalë para meje me mbërritë kënaqësinë e tillë, por prapë ndjehem mirë kur e nxjerr jashtë dhe e ndaj me të tjerët atë që ndjej e mendoj. Në ia paça dalë sadopak, asht tregues i mirë se diçka kam thanë. Ndoshta do të më ndihmonte sikur ata që kanë mirësinë me i lexue shkrimet e mia të më drejtoheshin me kritika ma shumë se me lëvdata, por kjo s’asht fort e aplikueme në kulturën tonë. Edhe unë vetë nuk kritikoj njeri – por lëvdata lëshoj. Ndoshta kështu asht natyra e jonë.
Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
– Shumë. Ndjej se kam shumë energji e ide dhe mendime. Kam disa projekte ne dorë e disa në mendime perspektive. Shpresoj që në fund të kem thanë diçka.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
– Natyrshëm, do të shkoja me muzën. Ashtu jam në karakter, impulsiv dhe sporadik. Por sa ma shumë shkruaj, aq ma shumë e kam kuptue se lypet punë e përsëritur dhe e palodhshme me mbërrijtë me nxjerrë një produkt ndaj të cilit s’ndjehesh borxhli. Mendoj se puna e muza duhet të jenë komplimentare të njëra – tjetrës. E ndryshe veç me punë s’i dilet kurse veç me muzë ia dalin vetëm gjenitë. Të tillë janë pak.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
– Nuk jam sistematik. Dhe nuk jam kambëngulës. Kam pesë novela në dorëshkrim. Kjo flet vetë.
Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
– Do të doja të isha i lirë me qenë e mos me qenë shkrimtar apo çkado tjetër. Liria vlen ma shumë se shkrimi a shkrimtari. Pa tè s’vlen send. Kemi raste shkrimtarësh oborrtarë…
E me qenë i sinqertë: Po. Do doja të isha shkrimtar – pse jo!
Më lejoni me shfrytëzue rastin që përmes kësaj bisede të falenderoj shumë portalin tuaj për bisedën dhe për publikimin e shkrimeve te mia që herët, që kur askush s’ma njihte shkrimin!
ObserverKult
Lexo edhe: