Xhabir Tabaku: Shkodra âsht poezi. Loçkë âsht…

xhabir tabaku shkodra asht

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

______

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Xhabir Tabaku.

Nga: Xhemazije Rizvani

Ç’ka skandaloze në ju?

Nuk e di. Ndoshta keqkuptimi ose moskuptimi. Marrëdhania e detyrueshme me një idiot mbase. A ndoshta gjendja absurditet në të cilën më duhet me veprue jashtë vullnetit tim.

Cilat andrra ju bëjnë të marrë?

Zakonisht andrroj bukur. Por shoh ândrra të marra tasheparë… ndoshta këtu âsht edhe përgjigja për pyetjen e parë. Po këtu âsht . Andrrat e marra më skandalizojnë deridiku. Por s’ndalem gjatë në ândrrat skandaloze. Nuk u zâ besë. Më pëlqejnë ândrrat që dua. Ândrra poetike, e romantike. Ândrra me bregdet, me ekskursione mendore bohemiane. Pra: ândrrat s’më bâjnë të mârrë. Kajherë rrealiteti po. Ândrrat e mârra janë material i mirë për tregime fiksionale. Pra ândrrat s’më bâjnë të mârrë, jo!

A është vendi më tragjik Shkodra, pasi ngrihet mbi gjoksin e një gruaje, sipas jush?

Kur flas për Shkodrën nuk mundem me qenë tamam i besueshëm. Jam i ânshëm ‘ndaj. Shkodra âsht frymore për mua. Nuk âsht qytet, ndërtesa, parqe, lumej a liqen.  Âsht mâ shumë koncept. Po, Shkodra duhet të konceptohet. Tragjike? Jo, jo, jo. Ndoshta pak e trishtë, por a s’më pëlqen trishtimi? -sa të duash! Ngrihet mbi gjoksin e një gruaje Shkodra ime, po. Kjo s’e ban tragjike atë. E ban dashnore. Dashnore e qytetarëve të saj… lozonjare âsht Shkodra e na e llastojmë pa prâ. A s’të thashë në krye të herës se âsht frymore! Shkodra âsht frymë pra, shpirt. E unë jam biri i saj i përvûjtë.

A të duket sikur poezia ka lind në Shkodër? Ç’kanë të përbashkët këto dyja?

-Oh! -sa pyetje e bukur. Poezia e Shkodra. Sa gjatë mundet me folë njeriu për ketë temë. Teknikisht jo, nuk ka lindun në Shkodër, por kush po pyet për teknikën! Shkodra e poezia tashmâ janë sinonime. Janë të dyja si lule – në do thirri “Lulebora” a në do “Lulemanjola”. Nuk besoj se ndonjë qytetarí tjetër a ndonjë grup tjetër poetik i ka thurë mâ shumë vargje ndonjë qyteti se poetët shkodranë Shkodrës. Kur shkoj në Shkodër, e shetis qytetin më kâmbë përgjatë natës. Ashtu rrugët bosh më thithin e më bajnë nji me qytetin… aty lajthis, më duket vetja poet. A s’të thashë dikund mâ nalt se kur vjen fjala për Shkodrën jam i ânshëm? Shkodra asht poezi. Loçkë âsht.

Grija e kujt është? E JETËS APO …?

E kam marrë këtë pyetje nga shumë miq. Sidomos mbas publikimit të vëllimit tim të parë me poezi me titullin “Gri”. Âsht pak e paqartë edhe për mua, por do të mundohem në pak rreshta me e qitë disi mendimin e ndjenjën mbi gri-në time. Për shumëkênd ngjyra gri asht në rastin ma të mirë neutralitet i errët, po të kemi në konsiderim se “bezha” âsht neutralitet i hapët. Tek unë âsht koncept, “koncepti gri”. Âsht qartësi, temperaturë e kontrolluar. Âsht frymë e freskët, mendim i kthjellët. Ofshâmë e lëshuar në heshtje. Âsht pak shi, pak errësinë… pra privatësi. Trishtim e frymëzim. Memorie e nostalgji. Poezi. A s’vij prej një qyteti me shi e vranësina? Pra âsht jetë. Âsht e jetës pra. Po, gri-ja âsht e jetës dhe e dua.

Cili është kujtimi më i hidhët?

Vdekja e babës. Njeriut që kam dashtë mâ shumë në jetën time. Dhe “fatkeqësisht” âsht kujtim i përditshëm e i përsëritshëm përditshmërisht. E filloj ditën me një lutje Zotit për shpirtin e tij dhe e mbylli po kështu. Pra dita që baba im, shok, mik e vëlla u nda nga jeta tokësore âsht për mua dita mâ e dhimbshme dhe me ketë ditë lidhet kujtimi mâ i hidhur. Kisha sytë në sytë e tij, gishtin në pulsin e tij dhe të dyja u ndalën njëherësh… therje në shpirt. Dy pika lot e të dy iu dorëzuam Allahut. Baba shpirtin, unë babën. El Fatiha!

Çfarë kohe është ajo që s’është as primitive, as moderne?

Lajthitjeje ndoshta. A mbase boshllëku. Boshllëk shpirtnor, mungesë qytetarie. Krizë identitare. Por me siguri ka edhe anën tjetër. Në kësi kohe dikush shpërthen genin dhe plas shpirtin. Gjithçka shpërthen vullkan dhe, voila! – poezi. Poezi gri, të trishta, rê të errëta bri tokës, dhe shí.

A është i tepërt ky dehumanizim?

Nuk besoj fort në rregullimin a derregullimin njerëzor. Mendoj se pakashumë kështu ka qenë përherë gjatë së shkuarës njerëzore. Përherë e shkuara âsht mendue si mâ humane se e tashmja. E ardhmja âsht pa me frikë e pasiguri. Mua s’më pëlqen frika. Nuk e dua as në pikpamje poetike. Nganjëherë trishtohem por nuk frikohem nga ajo ndjenjë. Në fakt e dua trishtimin. Âsht poetik dhe frymëzon. Nëse më pyet në lidhje me dehumanizimin nga kandvështrimi poetik, jo. Nuk më duket alarmant. Ka përherë vend për optimizëm. Në çaste pesimizmi – shkruaj poezi.

Si duket vetmia jote?

Fantastike. Mâ shumë poetike se jetike. Fluturake. Bohemiane e aspak arrogante e vrastare. Mâ shumë e shoh dhe e ndjej si dashnore vetminë. Në vetmi baj si dua vetë. Kam botën time krejt hermetike. Âsht universale por e përkëdheli në formë minimaliste; e llastoj. Pra, nuk vuaj nga vetmia, e pëlqej atë, sikur pëlqejmë zakonisht atë që s’e kemi. Pra, s’jam i vetmuar. Kam pasë disa vite gjatë së cilave kam qenë vetëm nëpër botë por s’jam ndjerë vetmitar. Zâ miq kollaj, përgjithësisht megjithë të metat që kam në karakter njerëzit më pëlqejnë, me duan. Kjo më ban me u ndie mirë. Pra, përjetoj vetmi imagjinare. Për atë shkruaj hera-herës. Vetmia fiksionale pra, âsht vetmia ime.

Cila është pasiguria më e madhe?

Nuk kam siguri në asgjâ. Pasiguria âsht në natyrën tonë për vetë faktin që nuk e dijmë dhe as mund ta projektojmë vetë të ardhmen tonë. Nuk ndaloj shumë në ketë çështje. I besoj Zotit dhe mendoj se sido të jetë e ardhmja ime, do të jetë pakashumë siç âsht projektue nga Ai dhe vullnetin e tij e pranoj me lehtësi. Por e di se janë do fatura për t’u pague për gabimet që bajmë, e unë bâj plot të tilla. Pasiguria ime mâ e madhe? Me një fjalë do të thoja – gjendja mendore. Shëndeti mendor asht për t’u pasë kasavet. Duhet mirëmbajtë.

Kë e lexoni më shpesh?

Po mendoj se Anna Akhmatova ndoshta. Camaj…

A është jeta e bukur?

Po. Unë s’mund të kem përgjigje tjetër- absolutisht. Mua më pëlqen edhe âna vulgare e jetës. Âna e saj e errët. Më pëlqejnë ekstremet dhe nuk kufizohem kollaj as me ekstremet majtas as me ata djathtas. Po pra, jeta asht e bukur. Edhe kur s’âsht me të vërtetë e tillë.

Cilët shkrimtarë ju frymëzojnë?

Anton Chekhov, Guy de Maupassant, Stefan Zweig.

Tre libra që i keni të shenjtë?

Nuk i shoh si të shenjtë librat letrarë. Secili ka diçka për ty. Të pëlqyeshëm? Disa. Hajt po i them dy a tre! Ana Karenina, Konti i Montekristos, Etër e Bij, Idioti, Xha Gorio, Manastiri i Parmës etj. Por, nëse me “të shenjtë” po mendoni vërtetë të shenjtë, atëherë padyshim vetëm një: Kurani.

Poetët më të dashur?

Do i ndaja në shqiptarë e të tjerë. Ndër shqiptarë më pëlqejnë disa por ma të pëlqyeshmit për mua janë: De Rada, Migjeni, Camaj, Pipa, Rreshpja. Ndër të tjerë janë: Anna Akhmatova, John Keats, Sergei Yesenin, Ibn Arabi, Rumi, Emily Dickinson, Ezra Pound, Edgar Allan Poe, Sylvia Plath, Elizabeth Browning, E.E Cummings, Wiliam Blake etj.

Për çka jeni vonë në jetë?

Nuk jam vonë, sepse edhe kur isha në kohë e vakt nuk ia dola dot. Doja të behesha piktor. Përndryshe ndjehem mirë siç jam, mbasi më mungon natyrshëm ambicja.

Cila ndjenjë dominon në brendinë tënde?

Një buqetë me të tilla. Po të më duhej me veçue njërën do e kisha të zorshme… ndoshta “ndjenja se do vdes shpejt”. Por gjithsesi nuk kam përgjigje të qartë për ketë.

Ç’kuptim ka jeta?

Kisha me thânë se asht “provë” mâ shumë se “kuptim”. Ndoshta jena na që do duhej t’ia japim asaj kuptimin. Po, e gjeta; ka kuptimin që i japim na vetë.

Cilën poezi e keni shkruar me krejt qenien tuaj?

Mendoj se kur shkruhen, pothuaj të gjitha janë nga shpirti, por ma vonë vetë autori e ban dallimin, sigurisht edhe lexuesi. Por “bir i f’llanzës” më bie e para ndërmend. Pra, kjo ndoshta âsht poezia e zemrës deri sot :

bir i f’llanzës

u ça toka – u bâ lehonë,

leva unë; – prej rrâjëve të nji gruaje të

murosun

u rrita rrugëve me pluhun t’qytetit të lashtë, bri ujnash…

u m’kova me tambël t’gjinit të dy mjellmave;

mjellmës në mes të liqenit

e mjellmës në gem të shelgut

ajo e shelgut ishte f’llanzë

-jam biri i f’llanzës pra, dhe lot i shelgut

…rrugave të botës.

Kush është Xhabir Tabaku?

Formalisht kësaj pyetje të vështirë po i përgjigjem kollaj. Pa u futë veç në botën e tij të brendëshme mbasi aty do të vlonte mungesa e sinqeritetit. I lindun âsht Shqiptar nga Shkodra. Nacionalist shqiptar, musliman, monarkist. I interesuar në çeshtjet politike. Pëlqen letërsinë, notin dhe çiklizmin. 

Çfarë po shkon keq në botë?

E keqja, sikurse edhe e mira, asht relative. Çka asht e keqe për dike asht e mirë për dikend tjetër. Një ditë po mendoja sa mirë amerikanët që ndërhynë ushtarakisht në konfliktin shqiptaro-serb. Mandej pyeta veten: si do të mendonte Dragoja nga Beogradi në lidhje me ketë çështje?

ObserverKult

Lexo edhe:

VLORA ADEMI: KAM MËSUE ME VRAPUE PËRPARA SE ME E MËSUE ECJEN