
Xhamia e Ballies ka fituar çmimin e parë për “Arkitekturën më të Bukur Fetare në Botë” në konkursin ndërkombëtar “Building of the Year 2025” të organizuar nga ArchDaily, platforma më e madhe globale për arkitekturë dhe dizajn.
Vlerësimi vjen pas shpalljes si finaliste para disa ditësh, ndërsa lajmin e bëri të ditur Komuniteti Mysliman.
Përdorimi i materialeve autentike si guri, druri dhe bakri, ndriçimi natyror dhe detajet simbolike e bëjnë këtë objekt kulti një model inovativ dhe një vlerë të çmuar për trashëgiminë fetare dhe kulturore shqiptare.
Si i vetmi objekt kulti në Evropë që ka fituar këtë çmim, xhamia tashmë është vendosur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke dëshmuar se trashëgimia dhe arkitektura shqiptare kanë një vend të rëndësishëm në skenën globale.
Xhamia e Ballies është një ndër objektet më të lashta në Elbasan e cila u ndërtua nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit.
Regjimi komunist në 1967 urdhëroi prishjen e saj. Ajo ka qenë simbol i Elbasanit, nga më të bukurat dhe të vjetrat. Është quajtur ndryshe “xhamia blu” për bukurinë dhe madhështinë që ka pasur. Pas shumë vitesh Xhamia e Ballies u ringrit shumë më madhështore se e vjetra në qendër të qytetit të Elbasanit dhe është kthyer në identitet. Elementi më tërheqës i xhamisë së shkatërruar në kohën e regjimit komunist ishte minareja që konkurronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ origjinal të saj.
Sot xhamia e rindërtuar ka të përshtatur klasiken me modernen. Ka salla për abdesë, për faljen e grave dhe ambient për faljen e burrave. Kapaciteti është 1500 besimtarë vetëm brenda, por ka dhe hapësirë jashtë.
ObserverKult
lexo edhe:
Xhamia e Ballies në Elbasan është zgjedhur si një ndër pesë objektet më të bukura të kultit në botë






