Xhamia Mbret ose Xhamia e Sulltanit, një nga xhamitë kryesore të Beratit ndodhet në qendër të qytetit si pjesë e një kompleksi arkitekturor ku veç saj janë dhe teqeja Helvetive me gjithë konakët, si dhe ajo e Sheh Qerimit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rubrikën e tij “Shqipëria e bukur”, publikoi pamje nga restaurimi që po kryhet në këtë monument kulture.
Në kuadër të programit të Ministrisë së Kulturës “Rrugët e Besimit”, Xhamia Mbret i është nënshtruar ndërhyrjeve restauruese, të financuara nga Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA) dhe e mbikëqyrur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Projekti i restaurimit është hartuar në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të xhamisë.
Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I i shpallur që në vitin 1948. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit XV./ATSH