Historia e Sef Xheladin Bajraktarit, treguar nga e bija, Qamilja dhe djali i saj, Halim Lika. Si u vra dhe u keqtrajtua trupi i Sef Bajraktarit, i cili u bë mbrojtje që kushëriri i vet, Muharrem Bajraktari të largohej me 30 njerëz dhe më vonë të mund të kalonte kufirin duke mbetur në historinë e diktaturës një nga të paktët që e sfidoi dhe i shpëtoi asaj. Edhe pse la pas shumë dhimbje, ndërsa te të afërmit e mbetur gjallë, barrën e persekutimit
Rrëfimi i plotë i Qamile Bajraktarit për kujto.al
Intervistoi: Arta Çano
Jam familja e Sef Xheladin Bajraktarit, kushëri me Muharrem Bajraktarim. Unë jam Qamile Bajraktari Lika. Baba im është rritur jetim, e ka rritur kushëriri i vet. Pa babë e pa nanë. Ai ka qenë me pushkë në krah qe kur ka bërë 18 vjeç deri kur është vrarë. Unë jam ’29-a, datëlindja ime. Ditën e lindjes sime, që ka qenë koha e Zogut, baba ime ka qenë nëpër malet e Shqipërisë e Veriut.
Si e kujtoni babanë tuaj?
Unë babën e kujtoj gjithmonë me gjithë të këqijat që janë bërë. Një herë ka luftuar bashkë me Zogun, pastaj ka luftuar kundër Zogut. I pandalur. Pastaj me Italinë, pastaj me gjermanin. Ata pak, kalimtarë qenë, por dhe kundër tyre ka luftuar. Ka luftuar me të gjitha këto regjimet që kanë ardhur. Prapë se prapë, nuk u bashkua me komunizmin. Ai kishte qenë më i keq se italianët e gjermanët. Ai kishte qenë më i poshtri dhe më i keqi. Luftë 20 vjet, në malet e gjithë Shqipërisë së Veriut. Krejt me gjak është larë mali, se kishin një lidhje me Muharremin, nuk ishte veç baba im, por baba im nuk iu nda, se e kishte rritur, se ishte jetim dhe e rriti mixha, se nuk pati kush ta rriste dhe ta bënte burrë.
Muharrem Bajraktarin e mbani mend?
E mbaj mend shumë mirë. Që në kohën e Zogut e mbaj mend, sikur ta shihja sot. Veç në luftë. Nuk ka hyrë brenda. Me babën tem. Iu vranë djemtë, iu vra vëllai.
Si ndodhi vrasja e babait tuaj?
Si iu vranë djemtë, iu vra vëllai, Muharremit, prapa iu vunë babës tem. U vra dhe baba im. U vra në Majë të Vogël, në stanet e Lumës. Në Majë të Vogël, ishin 30 vetë me Muharremin në ato stanet dhe baba im dilte përherë e shihte se “po na rrethojnë” e “po na gjen gjë”.
Ai kishte dalë te uji dhe kishte parë që ishin rrethuar, qark rrethimi. Kishin rrethuar krejt, por jo nja dy, por rrethim i madh, që t’i mbanin dhe ky kishte shtënë lart që të dëgjonin që ishin rrethuar. Kanë dalë me pushkë që të shkojnë pas tij. Katër që shkuan u vranë. U bënë katër bashkë me babën tim. Muharremi doli me 30 vetë, ky mbeti i vrarë me tre… Këta të tre, të nesërmen, i kanë prurë me hajvanin e barrës, në kalë, e kishin vënë tre xhenazet në kalë dhe i kanë prurë në Bicaj. Ata kanë shkuar prapë e kanë marrë babën tim, e kishin bërë me thikë, thela-thela dhe për së vdekmi e kishin pushkatuar prapë.
E pushkatuan për herë të dytë?
E kanë mbajtur tri ditë në Lumë, ta shihte populli. E kishin pasur shumë inat, se vrau shumë komunista dhe e pushkatuan për së vdekuri.
Si e morët vesh që e kishin vrarë babain?
Ne nuk kishim as shtëpi për ta qarë, sepse shtëpinë na e kishin djegur, ishte vetëm një kasolle me kashtë, e mbuluar me gjethe mali për krye se shtëpinë na e kishin djegur komunistët. Isha vetëm unë me një mixhë timin dhe plakën e vjetër. Vetëm ne të tre ishim. Çfarë të bënim? Erdhën na thanë nxënësit e shkollës se Sefën vetë i katërt janë duke e prurë në Lumë se janë vrarë dhe më pas kam shkuar unë me gjithë mixhën dhe plakën atje.
Dhe pastaj tri ditë e kanë mbajtur ta shikonin njerëzit, të pushkatuar. Pastaj shkuam në atë kasolle, se nuk kishim as shtëpi, se shtëpia ishte djegur, as petka veshur nuk na lanë, se petkat i bënë grumbull aty, i vunë gaz dhe e dogjën shtëpinë. Dhe s’kishte mundësi për ta ndrequr.
Si mundët ta varrosnit?
Kufomën e morëm. Nuk kishim asnjë njeri, as në rrugë, as në shtëpi, as për ta shëntë në dhe. E kemi shtënë në dhe me dy gra dhe një burrë, natën.
E kemi mbledhur me çarçaf dhe e kemi shtënë në dhe. Nuk kishim qefin, nuk të jepnin qefin me e shtënë në dhe, nuk kishim ku ta merrnim. E kena shtënë në dhe dy gra dhe kemi shkuar të nesërmen për të ndrequr varrin, për ta bërë varr.
Po me Muharrem Bajraktarin keni pasur kontakt më pas?
Jo. Ai pasi u vra baba im, iku. Iu plagos vëllai në kufi. E morën të gjallë, e shëndoshën. I bën gjyq, e dënuan, e pushkatuan.
Ju ju internuan në Berat më pas. Si ishte internimi atje?
Ka qenë i keq shumë. Me vuajtje. Ku ishte puna më e rëndë, atje na çonin. Ku ishte më keq, të internuarit shkonin. Keq shumë!
Kur dëgjoni tani për komunizmin, pas asaj që keni kaluar, si ndiheni?
Familjet tona komunizmi i shkatërroi, me fëmijë të vegjël, me të mëdhenj. Edhe bukë me ngrënë nuk na la, edhe shtëpi me qenë nuk na la, edhe petk me vesh’ nuk na la. Komunizmit i humbtë fara, mos u duktë më kurrë!
Për shkak të moshës së thyer të znj. Qamile, historinë e familjes e tregon i biri, Halim Lika:
Unë quhem Halim Lika nga Zall-Dardha e Dibrës. Nip, nga baba, i Halim Likës, patriot dhe luftëtar, i dekoruar. Nga nëna, prapë kam kënaqësinë se jam nip i Sef Xheladin Bajraktarit, kushëri i parë i Muharrem Bajraktarit.
Daja Muharrem dhe baba i nënës, Sef Bajraktari, kushërinj të parë, njerëz ideatorë, njerëz që kanë luftuar deri kur sistemi komunist bëri të vetën dhe prapë se prapë daja Muharrem, nga gjithë të tjerët që kishin dalë në luftë kundër komunizmit, që të vendosej demokracia, ishte i vetmi bajraktar në Shqipëri që nuk u dorëzua dhe nuk mundën ta vrisnin punonjësit e Sigurimit të shtetit dhe të regjimit komunist të asaj kohe.
Dy pjesë djemsh, u rritën jetima dhe gjyshi im nuk iu nda dajës Muharrem deri në vdekje, për mos të përmendur histori që në kohën e Zogut, kundër Zogut, në kohën e milicisë fashiste, kundër milicisë fashiste, në luftë kundër gjermanëve, u vranë dy djemtë e dajës Muharrem në Kukës dhe pas luftës me gjermanin nuk u bashkuan me idenë e komunistëve të asaj kohe, por luftuan dhe nuk i hoqën asnjë herë armët kundër komunizmit që në Shqipëri të vendosej demokracia që ëndërronte daja Muharrem, që kishte mbaruar shkollën në Perëndim.
U shkollua në Vjenë të Austrisë, në shkollën akademike dhe ishte një oficer i përgatitur, me gradën dhe luftoi deri në vitin 1946 derisa me një çetë të vogël, që ngelën në fund, iu vra vëllai, u vra baba i nënës, gjyshi im, janë vrarë lumianë, janë vrarë burra të zotë, derisa ai u largua nga forcat e Sigurimit të shtetit, ndoshta i gjallë, por i dëmtuar me njerëzit, me kushërinjtë, me vëllezërit, me lumianë, me gjithë popullin e Lumës dhe nuk e lëshuan deri në momentin e fundit se janë dënuar, e pushkatuar, e internuar e burgosur me dhjetëra kuksianë, lumianë për dajën Muharrem.
Baba i nanës që u vra në 1946-ën, në rrethimin e fundit, shpëtoi çetën e vogël dhe dajën Muharrem. U vra bashkë me një njeri të vetin, nga Bicajt, Rexhep Bilalin. Të dy kufomat i kanë çuar në Bicaj dhe i kanë masakruar, i kanë zhveshur dhe i kanë vrarë për së dyti, i pushkatuan për të parë populli, që të terrorizohej, që të trembeshin dhe mos të dilnin kundër Sigurimit, ndjekjes të asaj kohe.
Dhe në ’46-ën që u vra baba i nanës, i varrosur nga 2-3 veta, për fat të keq të nënës sime, ajo në një moshë të re, varros me duart e veta babën e vet. Një fëmijë adoleshent, nën presionin e Sigurimit dhe të shtetit dhe të celulave komuniste të asaj kohe. Mbas regjimit komunist, Sef Xheladin Bajraktari, u vlerësua si “Martir i demokracisë”, me vlera të padiskutueshme dhe në krye të këtyre vlerave, qëndron pa diskutim xhaxhai i nanës, Muharrem Bajraktari, që vdiq pa e parë të vinte demokracia në Shqipëri.
Jam krenar, si nip i kësaj familjeje, se edhe pas vrasjes së tyre, nuk u bënë kontigjent i shtetit komunist asnjë nga fisi i nanës sime dhe i dajës Muharrem. Mirënjohje dhe respekt për figurën e dajës Muharrem, babën e nanës dhe gjithë ata burra të Lumës që e dhanë jetën për dajën Muharrem duke mos llogaritur bindjet e asaj kohe se bindjet i kishte vetëm daja Muharrem që kishte mbaruar shkollën në Perëndim dhe nuk u bashkua me komunizmin. Jam mirënjohës për gjithë ata burra që dhanë jetën për dajat e mi.
Daja Muharrem me çetën e tij, me njerëzit më të afërt, që i mbajti pas vetes dhe pjesën më të madhe i largoi që mos të dëmtoheshin, familjet e tyre i internuan në internimet e para të Beratit dhe pas Beratit, i çuan nëpër vende të ndryshme, në Lushnjë, në Fier, në Tepelenë dhe janë liruar me ardhjen e demokracisë, kur kanë dalë nga kampet dhe burgjet dhe një pjesë e madhe e tyre janë pushkatuar, kanë bërë dhe burgje. Njerëz të kësaj shtëpie. Me ardhjen e demokracisë u liruan si gjithë të tjerët dhe jetojnë jetën e lirë në demokraci, jashtë shtetit, në Amerikë, në Bruksel, nëpër Evropë, janë dhe në Shqipëri.
Çfarë dini për jetën në internim për njerëzit e familje suaj?
Internimet e asaj kohe ishin si burgjet famëkeqe. Këta nuk gëzonin asnjë lloj të drejte dhe sidomos në internimet e ’46-ës, vdisnin njerëzit për bukë. Në Maliq, në Berat, në Tepelenë janë varrosur njerëzit, fëmijë të vegjël, gra për copën e bukës së gojës. I torturonin, i masakronin, me apel tri herë në ditë paraqiteshin, rreshtoheshin, nëpër kasolle me plastmasa, duke tharë moçale, duke punuar në ferma, duke bërë punë të rëndomta krahu dhe kanë qenë gjithmonë nën tutelën e rregullave dhe ligjeve të asaj kohe, rregulla dhe ligje çnjerëzore, ku kanë vuajtur me qindra dhe mijëra gra dhe fëmijë. Sidomos te elementi femër, që nuk ka shtet diktatorial në botë që kanë vrarë, kanë helmuar fëmijë dhe gra, si regjimi i asaj kohe.
Edhe sot e kësaj dite, nuk kemi varret e fëmijëve të vëllezërve tanë, sikur të ishin gjallë sot, të baballarëve tanë, të nënave tona që varroseshin për dheu në mënyrën më barbare, pa asnjë lloj mëshire, me rregulla jashtëzakonisht çnjerëzore. Nuk dihen as sot e kësaj dite ku janë varret e të afërmve tanë në kampet e internimit të asaj kohe.
Keni një mesazh për rininë e sotme për sa i përket së kaluarës komuniste të vendit tonë?
Amaneti im për rininë e sotshme, për brezat pas nesh është që komunizmi i kohës që shkoi të ndëshkohet dhe mos të pranohet kategorikisht ai regjim. Se nga gjithë regjimet komuniste, si në Bashkimin Sovjetik që ka pjellë komunizmin, ish-Serbia, edhe Kina që është sot komuniste, komunizëm më të egër se komunizmi shqiptar, që ka ngrënë njeriu, njeriun e vet, kanë vrarë e kanë prerë, nuk ka pasur.
Dhe u bëj thirrje mos të pranohet regjimi komunist sikur të shuhet edhe kombi shqiptar. Vetëm të triumfojë demokracia, rregullat demokratike, demokraci paçim gjithmonë dhe të bëhen demokracitë shembullore se populli ynë shqiptar, akoma vuajnë, që nuk njohin as sot demokracinë, prej 30 vitesh!/kujto.al
*Ky shkrim u publikua më 9 mars 2020
——————
Lexo edhe:
Si vdiq Hatija, shoqja e Nexhmije Hoxhës, nën torturat e Sigurimit të Shtetit (dokumenti)
ObserverKult