Xhelozia na ndan nga jeta, na pengon ta jetojmë atë…

Nga: Carlos Fuentes

Xhelozia vret dashurinë, por jo dëshirën. Ky është ndëshkimi i vërtetë i pasionit të tradhtuar. Urren gruan që prishi paktin e dashurisë, por vazhdon ta dëshirosh, sepse tradhtia e saj qe prova e vetë pasionit të saj. Xhelozia tregon se një lidhje dashurie nuk mbaron me mospërfillje. E dashura që na braktis duhet të ketë zgjuarsinë për të na fyer, poshtëruar dhe sulmuar egërsisht që të mos e harrojmë e të tërhiqemi me durim, që të vazhdojmë ta lakmojmë në emrin zvetënues të atij vullneti erotik që është xhelozia.

Norman Miler thotë se xhelozia është galeria e portreteve, ku xhelozi është administratori i vetë muzeut. Unë vlerësoj se xhelozia është si një jetë brenda jetës tonë. Mund të marrim avionin e të kthehemi në qytetin tonë apo në një qytet të huaj. Mund të thërrasim miqtë e, ndonjëherë, të falim armiqtë. Po tërë kohën, jemi duke jetuar tjetër jetë, që, megjithëse brenda nesh, me ligjet e veta, është e veçantë.

Ajo jetë brenda nesh është xhelozia e cila manifestohet fizikisht dhe, siç thotë një shprehje meksikane, na i bie zorrët në fyt. Një valë e tërbuar, e hidhur si shafran, që egërsohet, ngrihet e ulet nga zemra tek zorrët dhe nga zorrët tek seksi i paralizuar; një seks, tashmë, i pavlefshëm, i kthyer në invalid lufte.

I shkreti organ, të vjen t’i varësh një medalje! E më vonë, një kurorë funebre. Por, kjo valë xhelozie nuk gëzon asgjë, dhe, për shumë kohë, nuk ndalet në asnjë pjesë të trupit. E përshkon trupin si një lëng i helmët dhe objektivi i tij nuk është ta shkatërrojë, por ta mbërthejë e ta shtypë, në mënyrë që një pjesë e atyre lëngjeve të ngjiten deri në kokë, të mbërthehen, ashtu të gjelbra e të forta si luspa gjarpri, në gjuhën tonë, në shpirtin tonë, në vështrimin tonë.

Xhelozia na bën të ndihemi të përzënë nga jeta, sikur të na kishte vdekur një qenie e dashur. Veçse dhimbjen për një vdekje mund ta shfaqim. Përkundrazi, dhimbja që shkakton xhelozia duhet konsideruar e zezë dhe e helmët. Ndryshe nuk evitohet dhimbja dhe grotesku i saj.

Një xhelozi e ekspozuar i bën të tjerët të qeshin me ne. Është si të kthehesh në mituri, në atë moshë fatkeqe ku gjithçka që bëjmë publikisht – të ecurit, të folurit, të shikuarit – mund të jetë objekt gazi për tjetrin. Mituria dhe xhelozia na ndajnë nga jeta, na pengojnë ta jetojmë atë.

Përktheu: Bajram Karabolli

——————————————–

Lexo edhe:

MISTERI I FOTOS NË VARREZA, TË BËRË NË SHQIPËRINË E VITIT 1940