Xhevahir Spahiu mori çmimin për vepër jetësore “Teuta”

Poetit dhe akademikut Xhevahir Spahiu i është dorëzuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë çmimi për vepër jetësore “Teuta”. Ai u shpall fitues në edicionin e 8-të të manifestimit letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”.

Komunikata e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë:

Për dorëzimin e këtij çmimi u mbajt në godinën e Librit Akademik të ASHSH-së në Tiranë një ceremoni modeste, për shkak të Covid- 19.
Çmimi iu dha akad. Xhevahir Spahiut me motivacionin: “Skalitës i shkëlqyer i fjalës dhe i zbulimeve të papritura të thellësive të saj, si rrënjë dhe qiell në botën shqiptare ‘edhe në lëvizjen e saj nga një pikë e vdekur’, siç thotë vetë një varg i poetit. Poezia e Xhevahir Spahiut, shoqëron breza të tërë si shprehës i mbijetesës dhe i modernizmit, si shpirt dhe krenari për të qenë bir i një toke të përndritur nga bukuria njerëzore. Adhuruesi i tekstit poetik dhe teksteve të këngës së Xhevahir Spahiut do të ndiejë gjithmonë fuqinë për ta transformuar fjalën dhe për të arritur së bashku me poetin në majat e artit poetik të shqipes.”
Laureati i mëparshëm, akad. Zyvdija Hoxhiq Berisha i dorëzoi çmimin “Teuta” akad. Xhevahir Spahiut në praninë e kryetares së shoqatës, Ajetë Beqirajt, poetëve Bardhyl Londo e Sadik Bejko, prof. Emil Lafes, bashkëshortes së poetit akad. Xhevahir Spahiut, si dhe të të birit dr.Orges Spahiut.
Akademik Zyvdija Hoxhiq Berisha u shpreh se çmimi “Teuta” erdhi vërtet në duart e duhura.
“Përshtypjen se ‘Teuta’ kësaj radhe ka rënë vërtet në duart e duhura e pata kur lexova poezinë e çmueshme të Xhevahir Spahiut. Dhe, po ashtu, akademiku Jevrem Brkoviç dhe shumë të tjerë në Mal të Zi kanë vlerësuar se kjo poezi duhet të lexohet”, tha akademiku Hoxhiq Berisha në fjalën e tij, duke shtuar se “çdo poet i mirë pavarësisht nga cili komb vjen është i çmueshëm për të gjithë, sepse poezia është universale. Sigurisht ai mbështetet në traditën sikur heroi antik Anteu, i cili fiton forcën sa herë vë këmbët në tokën mëmë. Ajo forcë ndihet edhe te miku ynë Xhevahir Spahiu, ndihet ajo lidhje e ngushtë me traditën, por në një mënyrë moderne. Dhe unë jam tejet i lumtur që një poezi e tillë sot flet edhe në gjuhën malazeze dhe jam shumë i nderuar që më është dhënë mundësia të jem redaktor i librit “Moji dugovi” (“Borxhet e mia”) dhe sot t’ia dorëzoj çmimin “Teuta” Xhevahir Spahiut”, tha Zyvdija Hoxhiq Berisha.
Poeti Bardhyl Londo u shpreh se me vlerësimin e poezisë së Xhevahir Spahiut vlerësohet e gjithë letërsia shqipe, “sepse Xhevahiri është ndër emrat më të mëdhenj të letërsisë sonë. Ndërsa ‘Teuta’, jo vetëm që po bën një punë të jashtëzakonshme ndërmjet shqiptarëve dhe popujve të tjerë, por ajo di të zgjedhë me shije dhe kulturë autorët”, u shpreh poeti i mirënjohur Bardhyl Londo.
Prof. Emil Lafe u shpreh se gjuha dhe letërsia janë të pandashme: “Sepse, poetët dhe shkrimtarët janë ata që mbrujnë brumin e gjuhës letrare dhe na japin neve, gjuhëtarëve, lëndën e parë. Gjuhë letrare pa letërsi nuk mund të ketë, por punën e mirë që bëjnë letrarët, për fat të keq, jo rrallë e prishin disa nga gazetarët”, tha prof. Lafe.
Për poezinë e akad. Xhevahir Spahiut folën edhe poeti prof. Sadik Bejko dhe shkrimtari nga Podgorica Dimitrov Popoviq, që u shpreh se çmimi “Teuta” u është dhënë figurave më eminente të letërsisë shqipe dhe malazeze.
Kryetarja e shoqatës, Ajetë Beqiraj tha se falë kontributit të miqve të saj, shkrimtarë dhe dashamirëve të letërsisë në treshtetësinë Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, “Teuta” ia doli manifestimit “Muzat e Alpeve”, duke sfiduar pandeminë COVID-19 dhe kurorëzoi me sukses edicionin e 8-të.
I biri i poetit, dr. Orges Spahiu u shpreh: “Në emër të mbarë familjes për gjithë këtë punë që keni bërë dhe këtë gëzim që i sollët babait tonë me këtë libër të përkthyer në gjuhën malazeze, kam dhe një falënderim gjithashtu për vlerësimin e poetit me çmimin Vepër Jetësore nga shoqata “Teuta”, i cili gjithashtu krijon ura bashkimi shpirtërore dhe fizike, për më tepër kur jemi në periudhë “covidiane”, ku solidariteti dhe ushqimi shpirtëror për njerëzit është shumë i rëndësishëm.” Ai përfundoi me fjalët: “Uroj që kjo udhë të jetë ashtu siç thotë babai im, ‘diell për të gjithë ne”.
Në fund të ceremonisë, akad. Xhevair Spahiut i dorëzohet edhe libri i përkthyer në gjuhën malazeze “Moji dugovi” (Borxhet e mia)”, botim i “Teutës”, i përkthyer nga Nikollë Berishaj, me recension dhe redaktim të akademikëve Jevrem Bërkoviq dhe Zuvdija Hoxhiq Berisha.

Laureatë të çmimit për vepër jetësore “Teuta”

Jevrem Brkoviq (Rugovë 2013); Dritëro Agolli (Risan 2014); Ramiz Kelmendi (Bajram Curri 2015); Mirash Martinoviq (Junik 2016); Moikom Zeqo (Tuz 2017); Nazmi Rrahmani (Krujë 2018); Zuvdija Hoxhiq Berisha (Prizren 2019), dhe së fundi poeti akademik Xhevahir Spahiu (Petnjicë 2020) në edicionin e 8-të të manifestimit letrar trekufitar “Muzat e Alpeve”, i cili është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, Komuna e Pejës dhe Komuna e Petnjicës.