Xhirimet me Rikard Ljarjen, aktorët e nxjerrin “zbuluar”- prapaskenat e filmave

Në një intervistë të gjatë të bërë në Arkivin Shtetëror të Filmit në Shqipëri me titullin “Perballë, Rikard Ljarja” secili nga ne mund të ndjejë, të flasë zemra e artistit të madh, shumë nga afër. Bisedë intime me një trajektore te shpejtë nga A-ja tek Zh-ja e punës së tij si një talent i madh i ekranit të filmit shqiptar.

Rikard Ljarja, aktori që e ka rrëmbyer dashurinë e publikut, që në rolin e parë deri tek i fundit. Duke u ngulitur kështu thellë në zemrat e të gjitha moshave. Por, veçanërisht të brezave, që e përjetuan ”bumin” e shpërthimeve të tij. Në ekranin e madh te kinemave dhe në ekranin e vogël të televizorit, në vitet ’70-’80-të. Abaz Hoxha, historiani dhe Studiuesi i kinemasë thotë për Rikardin, duke folur në telefon, me Marjetën, kolegen e bashkëshorten e Aktorit të madh!

“Qaj me ngashërim të madh, për vdekjen e Rikardit. Ishte i sëmurë kohët e fundit, por duket sikur do bëhej përjashtim për të. Vdekja do vononte, jo ta merrte kaq shpejt… Ishim miq dhe Rikardi nga natyra ishte shpirt që, të bënte për vete, menjëherë….Do na mungojë shumë”. Unë dëgjoj zërin e ëmbël të Marjetës, që përmes një dëshpërimi të thellë thotë fjalë të zgjedhura të bashkëshortes, të koleges, të nënës e gruas së përkushtuar!

“Shkoi në një paqe të madhe, Angjelina… Ishte i sëmurë rëndë, por edhe ai e shpërfillte, dhe ne që i rrinim te koka…gjithashtu…oh, nuk e besojmë dot”. Fjalët tona ngushëlluese sikur nuk kanë vlerë në këto çaste të një dhimbje të madhe! Një humbje e madhe, si të shumë mjeshtërve e aktorëve të shquar të magjisë së Filmit, që nuk janë më në mesin tonë!

Kolegë të tij, aktorë, regjisorë, skenaristë, njerëz dashamirës të artit të tij të mrekullueshëm, mbushin lajmet, portalet, facebook-un. Ka ikur një pjesëtar i familjes sonë, shkruan një moshatar i tij. Shumë epitete, i madh, gjigand, madhështor, i paharrueshëm, etj., mbushin komentet e shumta. Aty shprehet admirimi për Rikard Ljarjen. Ai vlerësohet jo vetëm si aktor, regjisor, skenarist, piktor, muzikant. Mbi të gjitha si njeri me paqe të thellë të brendshme!

Me fjalë të zgjedhura flasin regjisori dhe kolegu i ngushtë Saimir Kumbaro, me bukuri mendimi flet aktorja e mrekullueshme, partnere e Rikardit, Roza Anagnosti, në krah të regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti që duket shumë i tronditur. Për yllin e kinemasë shqiptare flasin kolegë të tij, Mevlan Shanaj e Natasha Lako. Skenaristët e poetët Kolec Traboini e Luan Rama. Regjisorët, Leka Bunga, Kujtim Gjonaj e Esat Mysliu.

Për Rikardin e madh flasin të gjallë e të vdekur, që ngrihen nga varri, për të parë një dashuri e respekt të madh të familjarëve të dashur. I gjithë populli, që merr pjesë në këtë varim në kohë kolere! Kam qenë ne Athinë kur u nda nga kjo botë, Melina Mërkuri… Rrugët e Athinës u mbushën plot për të nderuar Artisten e madhe arvanitase, greke!

Me këtë përfytyrim i shoh rrugët e Tiranës e të Shkodres, të mbushura plot me njerëz, në nderim të aktorit të madh të filmit shqiptar, Rikard Ljarja! Abazi si duke lexuar mendimet e mia, vazhdon me zë të lartë. Ishim me një shërbim në Pogradec. Aty takuam Rikardin me Ruzhdi Pulahen, që bënin stazhin për njohjen me jetën, siç ishte në atë kohë…

Njerëzit, sa shihnin Rikardin, vinin pranë, e përqafonin, e përgëzonin pafund, majtas, djathtas…, në çdo rrugë ku kalonim, çdo lokal ku uleshim për të pushuar. Aty u njoh dhe me Marjetën, më duket…”
“Jo, vazhdoj unë, me Marjetën u lidhën tek filmi “Në pyjet me borë ka jetë..”

Vazhdon Abazi: “Rikardi kishte dhe humor të veçantë, kur fliste e komunikonte. Ishte karakter i hapur, me çdo njeri, që kishte pranë… Mbaj mend kur bëheshin xhirimet për filmin “Ilegalët”… Ishte film me regjisurë të përbashkët me Saimir Kumbaron, ku unë kisha shkruar skenarin! Ishim tre, kur Rikardi lëshoi batutën: “do ta bëj të pëlcasë ai dreq inxhinier Tosti, do i vë dhe një mizë t’i vertitet në fytyrë e në trup, para se të jap shpirt, në bodrum…”

Rikardi ka luajtur përgjithësisht role pozitive, por e qau me lot edhe këtë rol negativ. Përkushtimin e pasionin e tij absolut e kam parë, nga afër edhe tek filmi ”Rrugicat që kërkonin diell”. Kam qenë dëshmitar i realizimit të skenave masive të demostratës së bukës. Edhe ky film i realizuar në bashkëpunim me Saimirin.

Krahasuar me gjithë aktorët e tjerë, Rikardi ishte i prerë për kinemanë, veshtrimi i tij, buzëqeshja e tij, ecja e tij, lëvizjet e tij. Në çdo film, gjithmonë me një bashkpunim të ngushtë me të gjithë grupin realizues, ai bëhej një me kompozitorin, operatorin, piktorin, me skenografin, me montazhin. Ishte shumë i plotësuar si karakter krijues. Ishte natyrë e butë dhe e vendosur njëkohësisht”…

Unë vazhdoj me kujtimet e mia nga procesi i diskutimit në kolektivin krijues, të kryeveprës, së Viktor Gjikës, filmit ”Rrugë të bardha”, ku Rikardi krijoi kryerolin e tij, Dedën, fillrojtësin! Filmi u ndoq me interes të jashtzakonëshëm, të gjithë sikur mbanim frymën, çfarë do të ndodhte me Dedën, aq simpatik, njerëzor, punëtor, njeri aq i ngrohtë… Të gjithëve na kishte përfshirë, magjia e filmit shqiptar, me në qendër njeriun e thjeshtë, në profesion aq të veçantë e të vështirë në kohë stuhie e suferinë dëbore…

Mbas shfaqjes, një heshtje pak e frikshme… Papritur ngrihet e diskuton vetë skenaristi, Vath Korreshi, me atë zërin e kadifejtë, për të bërë një koment të parë, për të paraprirë valën e rezonancës kritike… Pas tij, fola unë, folën dhe të tjerët dhe u duk se gjithçka ishte në rregull. Por kritika inkandeshente u shfaq…, si të vdesë heroi… Vdiq, apo nuk vdiq, po muzika se çfarë ka, që të ngjallë frikë, po edhe montimi i zhurmave… Mos po e bëjmë si Krisht…?!

Kundër këtyre manierave ekstremiste, filmi “Rrugë të bardha” u shfaq me sukses të madh në publik, duke shënuar kthesë në filmin shqiptar drejt rrugës realiste, me karaktere të thjeshta njerëzore nga jeta e vërtetë, nga miqësia e vertetë. Për herë të parë u dhanë skena të vërteta dashurie, me bukën e djegur të Zanës, me fjalët dhe heshtjen e dashurisë së pashprehur, në sfond të muzikës së mrekullueshme të Limoz Dizdarit!

Poezi më vete, zërat e ngrohtë të njerëzve, që i lidhnin telat e Dedës… Dyert e kinemave u thyen për të parë filmin e regjisorit te madh, Viktor Gjika, që solli në kinema një hero ndryshe, një hero, në zemrën e të cilit ishin shokët, Zana, puna e bukur e fillrojtësit, që lidhte edhe në mes të suferinës së borës, zemrat e njerëzve të dashur,…

Unë e ndërpres kujtimin tim, se përballë në ekran, nga realizimi i Dixhitalbit per serinë e emisioneve me aktorët e shquar, flet vetë Artisti i madh, Rikard Ljarja… Ai tregon si hyri në film, e quan fat të madh atë çast… Një çast ishte, që i dha kthesë të madhe jetës së tij! Që kur ishte i vogël e kish pasë andërr, të bëhej aktor! I ati nuk e mbështeti por as dhe e kundërshtoi. I tha: “Ti ke marrë dëftesën e pjekurisë tani e duhet të vendosësh vetë.”

Rikardi në Tiranë, rendte të realizonte ëndrrën e tij, për t’u bërë aktor. Që 6 vjeç, prindërit e kishin nxitur ta afronin me muzikën. I ri i binte bukur fizarmonikës dhe shoqëronte si muzikant, muajt e verës, grupet e vogla të aktorëve shkodranë që shkonin me dhënë shfaqje në fshatra… Mbas gjimnazit i doli e drejta e studimit për matmatikë fizikë, mori vesh që kishin mbetë pa u plotësu disa vende tek Instituti i arteve, dega për aktor, vajti u paraqit dhe fitoi, duke recitu poezi nga Ndre Mjeda… Sa bukur, qartë dhe me një zë të jashtëzakonshëm, zë “Rikardi”… dëgjojmë nga ekrani vargjet margaritarë… /aktoret/

_______________________

Lexo edhe:

PUBLIKOHET RRËFIMI I RRALLË AKTORIT RIKARD LJARJA

ObserverKult