“Në këtë botë, miqtë e sinqertë janë si faret e anijeve në netët e stuhishme”.
Shenja dalluese e stilit të Xhotos përmblidhet në disa figura mbizotëruese, të thjeshta dhe të vrazhda, të vendosura në hapësira abstraksioni. Anatomia dhe perspektiva u përdorën nga kryemjeshtri si burime të afta narrative. Por, a ishte pikturuar e gjithë puna e Xhotos, prej tij?
Xhoto di Bondone, lindur midis 1266 dhe 1276, në Vespignano, afër Firences, Itali, ishte piktori më i rëndësishëm italian i shekullit të 13-të dhe jo pak historianë të artit, punën e tij e konsiderojnë si pikë kthese në zhvillimin e arteve në Evropë. Pikturat novatore nxjerrin në pah stilin e Rilindjes, që u zhvillua një shekull më vonë. Për gati shtatë shekuj, Xhoto u nderua si ati themelues i pikturës evropiane dhe i pari i mjeshtrave të mëdhenj italianë. Për shumë studiues, atributet e punës së tij mbeten problematike dhe shpesh tepër spekulative, kjo për faktin se të dokumentuara nga jeta dhe puna ka fare pak, shto edhe vështirësinë e ndjekjes së kronologjisë stilistike.
Fillimet e Xhiotos
Pjesa më e madhe e biografisë dhe zhvillimit artistik të Xhotos, nxirret nga provat e veprave që kanë mbijetuar. Përkundër kësaj, shumë prej këtyre punimeve nuk mund t’i atribuohen me siguri mjeshtrit të madh. Pjesa më e madhe e historive për jetën dhe veprën e tij datojnë nga fundi i shekullit të 14-të. Giorgio Vasari, piktor dhe historian arti, e përshkruan Xhoton në librin e famshëm “Synimet e piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve më të mirë”. Viti i lindjes së Xhotos do të ishte 1266/67 ose 1276, mirëpo diferenca 10-vjeçare përbën rëndësi esenciale në vlerësimin e zhvillimit të hershëm të piktorit. Po ashtu, ndryshimi është vendimtar edhe për problemin e atribuimit të afreskeve në Kishën e Shën Françeskut në Asizi. Dimë se Xhoto vdiq më 8 janar 1337, siç tregon kronika e Villanit, ku thuhet se Xhoto vdiq në moshën 70-vjeçare.
Gjithmonë është supozuar se Xhoto qe nxënës i artistit të shquar Cimabue, piktori më i rëndësishëm në Itali në fund të shekullit të 13-të. Cimabue u përpoq të thyejë, si asnjë artist më parë, me fuqinë e realitetit dhe forcën e imagjinatës, format e stilizuara të artit mesjetar. Xhoton e frymëzoi fuqia vizatuese dhe aftësia e përfshirjes së tensionit dramatik në tablotë e tij. Në pikturat e tij, qeniet njerëzore janë subjekti ekskluziv në kontekstin e dramës së krishterë të sakrificës dhe shpengimit. Xhoto prishi traditën bizantine dhe i dha vendin emocionalitetit të qasjes françeskane ndaj krishtërimit.
Problemi i Asizit
Në studimet e Xhotos ekziston një problem themelor: atribuimi i afreskeve të Asizit. A pikturoi vërtet Xhoto në Asizi dhe, nëse po, çfarë pikturoi? Nuk vihet në dyshim fakti që ka punuar në Asizi, pasi tradita e gjatë letrare, që daton prej përpilimit kronologjik të Riccobaldo Ferrarese në 1319 dëshmon se e ka bërë këtë gjë. Dëshmi të veprave të Xhotos i gjejmë në kishën e madhe të Shën Françeskut. Disa afreske në kishat superiore dhe inferiore i atribuohen Xhotos, por e rëndësishme është cikli i 28 skenave nga jeta e Shën Françeskut të Asizit të pikturuara në nefin e kishës superiore. Përveç kësaj, “Virtytet” françeskane dhe afreske të tjera të kishës inferiore i atribuohen po atij. Shumica e këtyre skenave janë revolucionare në shprehjen e realitetit dhe njerëzimit. Theksi që vihet mbi momentin dramatik të çdo situate dhe realitetin e brendshëm të emocioneve njerëzore kapen intensivisht, përmes vështrimeve dhe gjesteve vendimtare. Megjithatë, në shekullin e 19-të, u vu re se jo të gjitha këto afreske, megjithëse ishin të ngjashme në stil, nuk mund të ishin të të njëjtit autor. Skepticizmi dhe besimi se afresket e Asizit dhe cikli i Shën Françeskut datojnë nga një periudhë pas vdekjes së Xhotos, vijojnë të përforcohen. Kuptohet menjëherës, se Xhoto, një i ri, ishte kaq i suksesshëm, sa mori porosinë më të rëndësishme për të pikturuar biografinë zyrtare të Shën Françeskut, shkruar rreth vitit 1266 nga Shën Bonaventura. Pjesa më e madhe e imazhit aktual të Shën Françeskut vjen nga këto afreske.
Xhotos i atribuohen tri vepra kryesore në Romë: mozaiku i madh i “Krishti ecën mbi ujë” (La Navicella), i vendosur mbi hyrjen e Shën Pjetrit, altari i pikturuar për Kardinalin Stefaneschi (Muzeu i Vatikanit) dhe fragmenti i afreskut të Boniface VIII, që shpall Jubileun, në San Giovanni në Laterano (Shën Gjoni dë Lateran). Çështje të ngjashme atribuimi lindin edhe për veprat romake. Gjatë kësaj periudhe, Xhoto mund të ketë bërë edhe Kryqëzimin në Santa Maria Novella dhe Madonën në San Giorgio dhe “Masimiliano i Shpirtit të Shenjtë” (të dy në Firence). Cikli i afreskeve në Kapelës së Padovës, e njohur si Kapela e Skrovenjit, është shembulli i zhvillimit të hershëm të Xhotos. Kapela u themelua në 1303 dhe u shenjtërua më 25 mars 1305. Në të shohim themeluesin që ofron një maket të kishës në Gjykimin e fundit, i cili mbulon gjithë murin perëndimor. Pjesa tjetër e kishëzës së zhveshur mbulohet me afreske në tre nivele, afreske që përfaqësojnë skena nga jeta e Joakimit dhe Anës, jeta e Virgjëreshës, Lajmërimi (në harkun e korit), jeta dhe Pasioni i Krishtit, duke përfunduar me Rrëshajët. Nën këto tre fasha narrative gjendet një i katërt, që përmban personifikimet në pikturë njëngjyrëshe të virtyteve dhe veseve. Afresket janë në gjendje relativisht të mirë dhe kanë një fuqi të madhe narrative.
Trashëgimia e Xhotos
Xhoto arriti famë të madhe gjatë jetës së tij. Dante e përmendi në “Komedinë hyjnore”, çfarë vulosi famën që do ta ndiqte në Italinë e shekullit 14-të dhe 15-të. Nisur nga kjo vepër filluan të kristalizohen jo pak legjenda rreth emrit të Xhotos. Xhoto konsiderohet piktori që u shkëput nga Mesjeta dhe nisi modernitetin. Vetëm në Rilindje, me Masaçio dhe Mikelanxhelo, u shfaqën pasardhësit e tij të vërtetë./Konica.al