Xhubleta e ngushtë po rrezikon të zhduket e harrohet- gjendja është alarmante

Në pasurinë tonë kombëtare është dhe varianti i xhubletës së ngushtë. Por në ditët e sotme kjo pasuri po rrezikohet.

Studiuesi i njohur Jaho Brahaj thotë se është detyrë e institucioneve shqiptare, që ta ruajnë këtë pasuri me vlerë. Sipas tij, veshja e xhubletës së ngushtë është një nga pasuritë që zë vend si thesar.

“I drejtohem institucioneve kulturore, dhe arsimore Bashkia Fushë Arrës, intelektualëve, afaristëve, biznesmenëve dhe gjithë banorëve në zonë e emigrantë nga fshatrat e Bashkisë Fushë Arrës.

Është detyrë e ruajtja pasurisë dhe etnokulturës së të parëve tonë, dhe përcjellja tek brezat që vijnë. Një nga pasuritë që zë vend si thesar në traditën tonë, në pasurinë tonë kombëtare dhe vlerë për Ballkanin dhe Europën është edhe variant i veshjes së parardhësve tona xhubleta e ngushtë”, shprehet studiuesi Brahaj.

Shqetësues për studiuesin e njohur Jaho Brahaj është fakti që gjendja është alarmante kur janë pak ekzemplarë të tillë. Sipas tij, xhubleta është pasuri, por që rrezikohet dhe nga harresa.

“Në ditët e sotme kjo pasuri po rrezikon të zhduket e harrohet. Gjendja është tepër alarmuese, kur mendojmë se ruhen vetëm pak ekzemplare dhe këto jo të plota dhe të pa publikuara e të studiuara. Pasuria që ka në dekoracione, ornamente, qëndisje, forma dhe të tjera ka vlerë edhe për kultet, mitet dhe mitologjinë e ruajtur në mijëravjeçarë nga të parët tonë”, vijon studiuesi Brahaj.

Aktivitetet që mungojnë

Studiuesi Jaho Brahaj thotë se pjesët e stolive të kësaj veshje-thesar janë me motive dhe forma të moçme dhe të përngjashme me artefakte të kulturës së Komanit dhe me pasurinë arkeologjike Iliro-Arbërore. Me rëndësi sipas tij, janë dhe aktivitet që mund të zhvillohen për këtë pasuri me vlerë në trashëgiminë tonë.

“Prandaj mendoj se duhet të organizojmë një ekspozitë me ato pak relike (të plota dhe fragmentare), që ruhen. Më e përshtatshme është që ky aktivitet të organizohet në Iballë, qendra e zonës (krahinës etnografike), ku gjalloj në mijëravjeçar ky thesar, edhe për faktin se Iballa po bëhet pioniere e fillimit të turizmit paraalpin në këtë periudhë. Ekspozita mundet të shoqërohet edhe me biseda studimore për këtë thesar e thesare të tjera të etnokulturës së zonës”, vijon më tej studiuesi Brahaj.

Në reagimin e tij, studiuesi Brahaj vijon më tej se e bën këtë thirrje dhe për të gjithë banorët, që sot banojnë në këto fshatra dhe për ato që janë shpërndarë në vend dhe nëpër botë.

“Që të ketë një periudhe të domosdoshme për përgatitjet mendoj se koha më e përshtatshme është vera e vitit që vjen, 2022”, thotë Brahaj.

Ministria e Kulturës e Shqipërisë përgatiti dosjen për futjen e xhubletës në listën e trashëgimisë kulturore botërore, të ruajtura nga UNESCO. Studiuesi Brahaj këtë e quan sukses, por thotë se ka dhe të tjera detyrime.

“Ministria ka detyrime, që jo vetëm të bëjë dosjen që t’ia çojë atyre në UNESCO. Por unë pyes çfarë aktivitetesh bëhen këtu? Ministria mbylli dosjen dhe mbaroi. Unë e kam thënë, që kjo punë u harrua”, shprehet Brahaj. Xhubleta sipas studiuesit Jaho Brahaj është një pasuri e jashtëzakonshme me rrënjë, që nga lashtësia./Sot/

LEXO EDHE: Lugina e Arvanit në Francë, atje ku gjendet xhubleta e Shqipërisë