Producenti nga Kosova, Yll Uka, është në mesin e 20 producentëve të përzgjedhur për programin “Producers on the move” të rrjetit ndërkombëtar për promovimin e filmit, “European Film Promotion”. Lista përfshin fitues çmimesh të njohura, si Monica Hellstrom nga Danimarka, producente e dokumentarit “The Distant Barking of Dogs” të Simon Lereng Wilmont, që ishte pjesë edhe e listës së ngushtë për “Oscar” vitin e kaluar apo gjermania Tanja Georgieva-Waldhauer, producente e filmit “Another Reality” të Noel Dernesch dhe Olli Waldhauer, që fitoi çmimin e publikut në “Münich International Documentary Film Festival”.
Producentët që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës do të takohen online dhe do të prezantojnë projektet e tyre, e po ashtu do të bisedojnë me ekspertë të fushës së kinematografisë në këtë program, që për herë të parë mbahet online dhe do të zgjasë pesë ditë. Këtë vit ani pse programi do të mbahet në datat e planifikuara, prej 11 deri më 15 maj, do të jetë ndaras prej Festivalit të Filmit në Cannes, në kuadër të të cilit u mbajt për dy dekada. Edicioni i 73-të i festivalit prestigjioz është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit ashtu sikurse edhe ngjarje të tjera madhore.
“Priducers on the move” ka për qëllim që producentët e rinj evropianë me partnerë të mundshëm për bashkëprodhim të forcojnë lidhjet e tyre në industri dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë një platformë të qëndrueshme dhe të dukshme për këtë brez të ardhshëm të kineastëve. Pjesëmarrësit i nënshtrohen një procesi të rreptë të përzgjedhjes.
Drejtoresha menaxhuese e EFP-së, Sonja Heinen, në komunikatën për media, ku janë bërë të ditur emrat e pjesëmarrësve, citohet të ketë thënë se “Producers on the move” është bërë një brend i rëndësishëm në industrinë e filmit në këta 21 vjetët e fundit. Ka shtuar se të qenit pjesë e këtij programi për producentët është një nder dhe siguron njohje ndërkombëtare.
“Është shumë e rëndësishme për EFP-në që të vazhdojë mbështetjen, promovimin dhe lidhjen e njerëzve kreativë dhe premtues në këtë moment me gjithë kohët sfiduese. Ne u jemi mirënjohës programit ‘Evropa kreative’ të Bashkimit Evropian dhe organizatave anëtare të EFP-së” e instituteve ndërkombëtare për promovimin e mbështetjen edhe këtë vit në versionin tonë online, në një mënyrë fleksibile dhe aspak burokratike”, ka thënë ajo.
Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve kanë prezantuar realizimet e tyre në festivale të njohura ndërkombëtare. Producentja Andrea Queralt kishte prezantuar në Festivalin e Filmit në Cannes filmin “Fire Will Come”, produksion i vitit të kaluar, përderisa në Festivalin e Filmit në Venecia ishte prezantuar puna e producentit irlandez John Wallace në filmin “Rialto” dhe ajo e producentit italian Giovanni Pompili me filmin “Sole”, të dy filmat produksione të vitit të kaluar.
E në “Karlovy Vary International Film Festival” ishte prezantuar puna e producentit nga Republika Çeke, Mikuláš Novotný, me filmin “Journey to Rome”, produksion i vitit 2015, ndërsa puna e producentit Yll Uka ishte vënë në pah me filmin “Exil” të regjisorit kosovar Visar Morina, në shkurt të këtij viti, në edicionin e 70-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, “Berlinale”, në kategorinë “Panorama”. Ky produksion midis Gjermanisë, Belgjikës dhe Kosovës premierën botërore e kishte pasur në “Sundance Film Festival”. Regjisori Morina me “Exil” ishte kthyer për herë të dytë në “Berlinale”. Për herë të parë ishte bërë pjesë e festivalit me filmin “Babai” në edicionin e 66-të të “Berlinales”, më 2016.
Përzgjedhja në mesin e 20 pjesëmarrësve për “Producers on the move”, për producentin Yll Uka nuk ka qenë aspak e lehtë. Ka thënë se kërkesat kanë qenë shumë të larta e ndër to edhe ajo për të qenë pjesë e së paku një bashkëprodhimi ndërkombëtar e që ka pasur premierë në festival të kategorisë A./koha