Aktorja e njohur Yllka Mujo ka dhënë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeçare të aktorit dhe regjisorit të njohur, Pirro Mani.
“Njohja me Pirro Manin ishte dritarja, nga ku hynte drita”, shprehet Mujo, e cila shton se: “Energjia dhe pasioni i tij të bënin ta adhuroje”.
“Unë u rrita me të, u formova me të dhe sot ia dedikoj një pjesë të rëndësishme të arritjeve të mija, këtij artisti gjigand”, shkruan Mujo në statusin në rrjetet sociale.
Ajo e mbyll me fjalët: “Sot, Teatri mbeti i zbrazët, ndonëse simboli i Pirro Manit do të jetë vula që do të përjetësojë emrin e tij në të gjitha kohërat”.
Statusi i plotë i aktores Mujo pa ndërhyrje:
Shkoi kollosi , shkoi emblema, artisti, frymëzuesi, i mençuri, shpirti djaloshar, ëndërrimtari, bujari, bohemiani, i palodhuri, gazploti!
Shkoi ,duke na lënë si dhuratë të fundit-Dashurinë- dimensionin më të artë njerëzor.
Në fron i lavdishëm mbeti, pa zhurmë, pa bujë, dashnor i pa lodhur i të bukures, i të mirës, i sublimes, idealisti që na ushqeu me art, me dashurinë e pafund për teatrin, tempulli që lufton injorancën, të shëmtuarën, vulgarën.
Dhimbje e thellë! Fjalet e zbehin përjetimin…
Kur vajzë e re u emërova në teatër, gjeta një grup aktorësh të shquar. I kisha parë në skenë dhe më mrekullonte loja e tyre. Më shoqëronin ëndrra pa fund që lidheshin me atë tempull, ku pata fatin e madh të luaja shumë e shumë role që më bënë të eksploroja qenien time si artistë dhe si njeri.
Njohja me Pirro Manin ishte dritarja, nga ku hynte drita.
Energjia dhe passioni i tij të benin ta adhurojë këtë figurë, sepse ajo që buronte prej tij ishte dashuri, dashuri për teatrin, për aktrimin, për skenën, për njerun, për ëndrrën.
Pirro Mani ishte burim i pashtershëm, ishte festa e shpirtrave tanë, ishte pranvera ku shpërthenin të gjitha ngjyrat dhe aromat, ishte kopështi ku dorëzohesha në misterin dhe magjinë e këtij profesioni sa human aq edhe të bukur.
Unë u rrita me të, u formova me të dhe sot ia dedikoj një pjesë të rëndësishme të arritjeve të mija, këtij artisti gjigand.
Kam qenë aktore e tij në shumë vepra si tek” Cuca e maleve”, “Përmbytja e madhe”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Epoka para gjyqit”, ” Prometeu”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ”Kush e solli Doruntinën” etj…. etj….
Atë entuziazëm që ai i dhuronte aktorit nuk e kam hasur tek asnjë regjisor tjetër.
Pirro Mani, në skenë, ishte përherë i ri, energjia e tij të rrëmbente dhe të jepte krahë.
Mençuria e tij, aftësia që kish për ëe hulumtuar botën shpirtërore të ç’do aktori, sinqeriteti gati fëmijnor dhe kryesisht kreativiteti i tij artistik ishin xhevahirë të rralle për mua dhe me kanë bërë kjo aktorë që jam.
Sot, Teatri mbeti i zbrazët, ndonëse simboli i Pirro Manit do të jetë vula që do të përjetesojë emrin e tij në të gjitha kohrat.
Shkoi Pirro Mani dhe mori me vehte të gjithë dashurinë, mirënjohjen, përulësinë tonë.
Sonte zemra ime është një qiri që percjell lutjet e mija për shpirtin e tij mbushur dritë!