Ypi: Shqiptari biçikletën e dashuronte. I puthte zilen. I përkëdhelte shalën…

Edison Ypi

Biçikleta ishte një rraqe metalike e domosdoshme që blihej, shitej, falej, këmbehej, vidhej, flinte, ëndërronte, zgjohej, punonte, lodhej, rënkonte, sëmurej, qante, shërohej, por kurrë nuk vdiste.

Nga Edison Ypi


Biçikleta ishte aq e vjetër sa askush s’e mbante ment kur dhe kush e kishte blerë të re. Biçikleta ishte sendi më i lakmueshëm për tu vjedhur. Vjedhja e biçikletës ishte fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të pllakosnin. Për ta lidhur biçikletën pas ndonjë shtylle për mos ta vjedhur përdorej një lukuni me dryna, kavo, litarë, zinxhirë.

Nëse ndodhte që po atë ditë kur ta vidhnin biçikletën të vidhnin edhe antenën dhe ndonjë rrobë që e kishe varur në tel për ta tharë, kupa e helmit të durimit derdhej, jeta sterrosej. Një herë e një kohë, sipas përvojës së ndritur të shokëve sovjetikë dhe vëllezërve kinezë, biçikleta kishte targë. Shqiptarin barkzbrazur dhe surratnxirë me një biçikletë përdore duke u endur nëpër Tiranë askush nuk e pavdekësoi në mermer.

Nga Rusia prej ku vinin të shumtat e hekurishtave nuk erdhën kurrë biçikleta. Biçikleta e parë quhej “Diamant”. Çonin në Gjermaninë Lindore domate e kastraveca, merrnin Diamanta. Pastaj sollën Mifa, e ngjajshme me Diamant-in por jo aq e fortë. Ca kohë qarkulloi një biçikletë vietmeze. Ishte e dobët. U zhduk shpejt.

Provuan të prodhonin biçikleta “me forcat tona”. Dështuan me sukses. Biçiketat kineze që i sollën me shumicë në vitet 70-80 kishin të pikturuara ca gjarpërinj, nuk kishin emër. Quheshin të gjitha “biçikletë kineze”. Biçikletat ishin dy llojesh;

“Me hekur”, të cilës nuk mund t`i hipnin femrat se u dukeshin brekët, dhe bëhej hataja.

“Pa hekur”, demek tip Vespa, që mund të përdorej pa frikë nga femra e meshkuj, edhe pa brekë.

Mirëmbajtja e biçikletës s’ishte problem. Për mirëmbajtjen e biçikletës zbatohej me sukses parimi leninist “kam te puna”. Nëse duke ndrequr biçikletën “te puna”, ndodhte që andejpari kalonte brigadieri, shefi, drejtori, ata jo vetëm s’të pengonin, por të shihnin me dashamirësi. Ndonjëherë biçikleta ishte shpëtimtare.

I thanë njërit;  Mbete me biçikletë a ditëzi. E ke që e ke një kushuri në Greqi. Thuaji të sjelli një motocikletë?

Ua priti miku; Jo. Kurrë. Tani që lëviz me biçikletë, më vënë nga pas një spiun me biçikletë, dhe janë të qetë që nuk do arratisem. Po të marr motoçikletë, unë me motoçikletë, spiuni im me makinë, është shpenzim i tepërt për një përkujdesje që nuk e meritoj, dhe më degdisin në Spaç.

Disa biçikleta kishin një fener elektrik për tu ruajtur nga trafiku inekzistent. Varkat, gomonet, komardaret, krahët fluturues si të Ikarusit, mjete arratisjesh këto, dalë me tërsëllëmë nga truri i ndezur gjatë delireve nokturne me sytë në tavan, me gjithato pedale, timona, zinxhira, rrotëza, ishin të frymëzuara nga biçikleta.

Nga pjesët e biçikletës, më e famshmja ishte “shala” ku rehatohej bytha. Ngaqë prej shpikësave dhe racionalizatorëve të panumurt askush nuk pati fantazi të mjaftueshme për të shpikur një mekanizëm që të evitonte nguljen e tubit të shalës në brimën e bythës, në memorjen kolektive të shqiptarëve shala ishte dhe mbeti një “rehati mikroborgjeze” e pa evitueshme. Në zgarën e biçikletës mbahej ajo që quhej “bukë me vete” e mbështjellë me Zërin e Popullit. Burri mbante mbi zgarë gruan. Ndodhte që gruaja binte nga zgarra.

Burri kuptonte ç’kishte ndodhur kur hynte në shtëpi dhe gruaja i mungonte. Disqet, telat, zinxhiri, pedalet, kontrapedali, etj. sado të vjetër e difektozë s’ishin problem. Problem ishin komerdaret dhe kopertonat. Por u bëhej dermani. Kamerdaret mbusheshin me pulla mbi pulla si arna mbi arna për shumë vite. Kopertonat arnoheshin nga brenda dhe qepeshin me spango.

Aq e dashur, e urtë, besnike, ishte rraqa biçikletë, sa edhe në filmat e luftës imagjinare nacional çlirimtare, halabakët atentatorë nëpër rrugica nuk paraqiteshin kurrë mbi kuaj, apo gomerë, apo makina, vetëm mbi biçikletë.

Shqiptari biçikletën e dashuronte. I puthte zilen. I përkëdhelte shalën.

Shqiptari dhe biçikleta që u divorcuan kur u derdhën nëpër ambasada dhe u ngjitën nëpër trageta, u martuan përsëri para pak kohe mbi korsitë e dedikuara.

ObserverKult

________________________

Lexo edhe:

AGIM XHAFKA: SONTE MË MUNGON NËNA! IKE E PAGJUMË, E MIRA IME…