Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Arjola Zadrima.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Me i buzëqeshë jetës, dhe me shijue gazin e fëmijëve.
Cila është frika juaj më e madhe?
Vdekja, më ngushtohet gjoksi kur e mendoj, kam ende kaq shumë me dhanë.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Babën, më ka udhëheqë edhe në ditë të vështira.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
At Zef Pllumi, na ka kallzue ftyrën e klaneve dhe të ithtën e sistemit komunist, edhe na kena fort çka me u kallzue brezave.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjaknxehtësia.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Jokorrektesia.
Në cilat gjëra e teproni?
Amëlcinat.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Kur njerëzit presin shumë nga unë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Ecja buzë lumit Bunë, më përngjet fort ky lum, kur del prej shtratit merr para çka gjen.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Hej Zot” dhe “më kallzo se po të kallzoj “ .
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk e kam shkrue ende një libër kushtue familjes së tim eti, gjyshit tem të pushkatuem. Kanë kalue kalvare të gjata fort. Dikush duhet me marrë guximin me i kallzue.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Fëmijët e mi, nuk më kujtohet ma jeta pa ata të dy.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Mendja një kokërr grunit asht, e tham shpesh, kam ndjesinë se çmendunia asht destinacioni i radhës hahah.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Mendimi i tepruem, të kaluemen e kam kthye në kult, duhet ecë përpara pa e kthye kryet mbas.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Energjinë pozitive, kam kuptue që shpërndaj energji positive, ma kande kët’.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk më pëlqen me e kthye kohën, nuk besoj se mundem me i përballue çka kam kalue.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
E ke parasysh perëndimin e diellit mbi liqen, në një ditë të qetë, ajo e kuqrremta më pëlqen me kene.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Vetvetja, ah sa më ka kushtue me kenë dhe me mbetë e tillë.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Vetminë, të krijon një boshllëk që nuk e mbushin sendet.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Ne ishullin e Kurrkundit me Peter Panin .
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Dëshirën që brenda një gruaje me i gjete të gjitha.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Lirinë, asht e bukur fort.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Alda Merini, Leo Tolstoy, Viktor Hygo, Ernest Heminguej, Martin Camaj e shumë të tjerë…
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Fëmijët e mi.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Me i ra kitarës, më magjeps dhe ka nje duo fantastike me poezinë.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Në një varkë që lëkundet në det, por edhe po nuk ndodhi kështu due që hinin tem ta shpërndajnë në det.
Cila është motoja juaj?
Buzëqeshi jetës që të shndritë dielli fort./ObserverKult