Zake Prelvukaj: Ne jemi gjeneratë e përvujtun, por s’jemi dorëzuar!

zake prelvukaj

Zake Prelvukaj, piktore dhe ligjëruese në Fakultet të Arteve, është një përfaqësuese e denjë e artit bashkëkohor shqiptar. Në shumë ekspozita individuale e kolektive, brenda e jashtë vendit, ajo tregoi shpirtin e saj prej artisteje duke thyer edhe barriera e tabu shoqërore.

Intervistoi: Zamira Rexhepaj

Jeni rritur në një ambient i cili gjithnjë ka qenë i lidhur me artin, si ishte Zakja në fillimet e saj?

– Po jam rritur në familje artistësh, duke ju falenderuar vëllaut Musa Prelvukaj (artist dhe profesor i artit) i cili ma krijoi ambientin për motivin e të qenurit artiste sot. Familja ime nga ana e dy prindërve ishin familje intelektuale kështu që çdo gjë që kisha nevojë sa i përket literaturës e të tjera i kisha afër. Po gjithmonë duke ju falenderuar prindërve të mi të cilët sakrifikuan për ne shumë vetëm të prosperojmë.

Keni potencuar në prononcime të ndryshme se inspiroheni nga çdo gjë që ju rrethon, në një kohë si kjo që po jetojmë, shpeshherë me kufizime të lëvizjes, cilat janë gjërat nga të cilat inspiroheni?

– Për nga natyra jam person që motivohem shpejt, kjo situatë i shuan por edhe i ngjallë artistët sidomos krijuesit e fortë. Mua ma ka dhanë mundësinë e kërkimit ndryshe në aspekt konceptual dhe ma ka vërtetua se të qenurit artiste është diçka e veçantë sepse çdo situatë ne e përballojmë duke rezistua përmes demonstrimit praktik.

Vitet e ’90-ta kanë qenë të veçanta për artin tonë. Çfarë arti u bë në këto vite që nuk mund të përseritet më?

– Vitet e ‘90-ta ishin vite të cilat për nga aspekti i llojit të vet konceptual dhe motivues nuk përsëriten kurrë më. Ato vite kanë qenë mund të them maja e artit të rezistencës, vite kur kanë krijuar artistë jashtëzakonisht të fortë dhe të qëndrueshëm të cilët janë dëshmuar me punën e tyre, pa pauzuar, pushuar se krijuari asnjëherë edhe sot janë në top formë, të gjithë jemi përafërsisht në një moshë. Atëherë kur gjenerata ime diplomoi Kosova ishte tmerrësisht në gjendje të keqe. Jetonim pothuajse ne artistët, tri jetë, e para: si të krijojmë, e dyta: si të ushqehemi dhe e treta si të mbesim gjallë.
Tjetër: si profesoreshë e re nga viti 1993 bashkë me kolegët e mi përjetuam gjëra të tmerrshme shkaku i situatës së paparë represion e dhunë. E mbanim mësimin gjallë duke ndërruar hapësira nga shtëpia në shtëpi sepse ishim në shënjestër i gjithë universiteti, kështu mbanim mësim në hapësira të improvizuara. Ndërsa me ekspozita na mbanin gjallë tri galeri të asaj kohe, Hani i Robertëve kafe galeri, kafe galeri Koha, dhe Galeria Dodona e financuar nga Soros. Ishim pa banesa, pa atele, pa material krijues ishim në atë kohë, pa telefon dhe internet çdo gjë ish si ma keq, këtë fat nuk e patën profesorët tanë sepse ata i kishin gëzuar këto të drejta. Ne jemi gjenerata ma pak e privilegjuar dhe fatkeqësisht edhe e mohuar nga të privilegjuarit e kësaj kohe të pasluftës. Është një fat i madh se personalisht e kam dokumentuar atë kohë dhe do të rijetësohet çdo gjë.

Përpos tjerash njiheni si njëra nga artistet e cila ka thyer tabutë në shoqërinë tonë posaçërisht përmes nudove tuaja, si kanë qenë reagimet e para?

– Po në vitin 1997 si studente e shkallës së tretë kam bërë performancë me trupin tim duke krijuar pelhura si vulë e trupit tim. Me konceptin të shoh ndër vite se si plakemi dhe ndryshon trupi ynë. Mandej radhë deri në këto vite pasojnë ekspot tjera pak më ndryshe si sekspozita dhe të tjera. Mos ta zgjas jam pritur shumë mirë nga publiku edhe pse kam rrezikua shumë sepse shoqëria jonë në atë kohë ishte shumë tradicionale. Para se të dal në publik me këtë motiv (punë), kisha disa miq e mikesha që thonin: mos, mos, s’të don ma për grua, do kërcënosh veten do etiketohesh me lloj-lloj fjale për të keq, dhe të tjera. Por unë e bëra dhe e realizova.
Arti ka edhe misionin e vet, vetëdijëson e ka politikën dhe ndikimin në shoqëri. Isha dalë nga shpija herët prindërit e mi e kuptonin profesionin dhe qasjen time, jetoja vetëm në atë kohë e vetëdijshme se jeta ime vetëm mua më përket ramjet dhe ngritjet ishin të miat mbijetesa edhe ajo ishte e imja, familja më kuptonte duke ju falenderuar atyre dhe duke jetuar vetun jeta më bëri shumë të fortë. Kisha ramjet por ngrihesha shumë shpejt. Kam pas gjithmonë vetëbesim dhe fare s’më ka interesua çka thotë kush. Kështu që edhe këto motive m’i mbështeti edhe nana dhe babai të cilët ishin shumë bashkëkohorë duke më njohur se unë çdo gabim apo fitore do e mbaj mbi supet e mia.

Sa mendoni se ka tabu në shoqërinë tonë sot dhe sa mund të ndikojë arti në thyerjen e tyre?

– E thashë më herët se arti me gjithë disiplinat then tabu, vetëm duhet me pasë vetëbesim. Shpesh është opozitë e politikës dhe gjërave tjera në shoqëri. S’ka edhe artistë edhe dymendjesh thyeje, bëje me një diplomaci vetëdijësuese. Ne i duhemi shoqërisë.

Në vitin 2021 realizuat ekspozitën “Rregullat e reja”, një ekspozitë më ndryshe, me më shumë ngjyra, ku përveç pikturës, kishte edhe fotografi e video. Si e shihni, është revoltë që po tjetërsohemi nga e reja apo ndoshta edhe pranim i të resë?

– Shkenca dhe ndërrimet në çdo aspekt po ecin me kohë marramendëse. Teknologjia po na sjell sa të mira aq edhe të panjohura, shkurt Rregulla të reja herë të dëshifrume herë jo prandaj kjo ekspozitë u krijua për një porosi se po tjetërsohemi… histori të padukshme po krijojmë… po ecim, rrugët i kemi hapur e stacionet s’po i shohim. Kështu që sipas kësaj ekspozite s’ka revoltë ka vetëm vëmendje dhe përqendrim në zhvillimet e kohës deshtëm apo nuk deshtëm ne.

A mund të jetë piktura thirrje drejt një kauze?

– Po natyrisht në shumicën e rasteve jo vetëm piktura por të gjitha shprehjet (mediumet) artistike. Mendoj që gjithmonë ka qenë.

Vendet shqipfolëse tashmë kanë një traditë të pikturës. Sa merrni nga tradita?

– Unë shumë marr nga aktualiteti ynë po edhe nga temperamenti ballkanik nga ndjeshmëria ime si individ dhe si grua në shoqëri. Por nëse motivet tradicionale dimë t’i fusim në konceptet tona, për t’i përdorë në film, pikturë, muzikë, në arte, duke i dhanë një dozë të fortë të shijes dhe imagjinatës në komunikim me kohën dhe teknologjinë e tashme, me siguri se mund të jemi origjinal dhe të qëndrueshëm, të pranueshëm nga bota, mendoj se atëherë vërtetë e kemi prek pikën. Mendoj që në fillim të karrierës aty këtu jam mundua ta prek edhe traditën për koncept në baza arkeologjike. I kam disa vizatime ku kam krijuar një personazh të ngjashëm me Hyjneshën në fron por me kthetra dhe detaje të shtuara. Kisha deshirë ta bëj strip me motiv tonin Zbritja e Hyjneshës në tokë – të jetë motiv lokal por edhe global, i kapshëm për çdo njeri pa marrë parasysh nacionalitetin etj.

Interesimi i audiencës për pikturën, për ta blerë atë, ka shënuar rritje apo është e kundërta nëse e krahasojmë me disa dekada më parë.

– Në vitet ‘90 kam përfundua Bachelor, atëherë ishte koha ma e vështirë për Kosovën, ekzistenca jonë materiale varej nga shitja e pikturës.

Kam pas fatin me audiencën e kanë dashur punën time, por mendoj se artisti duhet të ballafaqohet edhe me menaxhimin e punës së vet. Mos me qenë i heshtur me hulumtu tregun, kuratorët, menaxherët, artisti duhet mësuar për ta plasuar punën e vet, fatmirësisht sot kemi shans të komunikojmë dhe të shesim përmes rrjeteve sociale web -faqeve etj., ka shitje në Kosovë dhe jashtë Kosove, tani shijet për artin janë edhe pse situata e ka bërë të veten megjithëse është një krizë besoj kaluese shkaku i pandemisë.

Pasi jeni edhe ligjëruese në universitet dhe keni kontakt me studentë thuajse në baza ditore. Kanë talent të rinjtë e sotëm?

– Kemi student jashtëzakonisht të mirë, sidomos tetë vitet e fundit. Janë vetëhulumtues, studiues përveç planprogramit tonë ata janë të zgjeruar edhe përtej kësaj. Fatmirësisht flasin anglishten rrjedhshëm shumica prej tyre, e jona është të krijojmë raporte të mira të cilat edhe i krijojmë sepse kemi mësim individual, s’kemi shumë numër të madh të studentëve shkaku i specifikës së punës.

Lirisht mund të them se studentët tanë kanë treguar suksese në bienale dhe prezantime tjera nëpër botë. Jam krenare me shumicën prej tyre. Besoj shumë edhe në këto gjenerata të viteve të fundit.

Çfarë i dallon të rinjtë nga gjenerata juaj, pasi përveç gjeneratës edhe kushtet dhe terreni për ta shprehur talentin dallon…

– Ne jemi gjenerata më e përvujtun me çdo gjë, por s’jemi dorëzuar. Kjo gjeneratë ka dyert e hapura për hulumtime qasje në muzeume, galeri dhe aktivitete ndërkombëtare kudo ka qasje në literaturë e të tjera. Ndihmohen edhe nga shteti, ministria, komuna, shoqata dhe kuratorë të ndryshëm nga AAVK shkojnë nëpër koloni dhe e kanë lirinë, shpresoj që edhe vizat t’i kenë sa më shpejt.

Cila mendoni se është nevoja më e madhe dhe e paplotësuar e artit dhe kulturës në trojet shqiptare?

– Së pari po flas për Kosovë. Një shtet është shumë i mangët nëse nuk ka institucione të mirëfillta kulturore. Së pari objektin e Fakultetit të Arteve, Muzeun e Arteve Bashkëkohore, GKK-në, Galerinë e Kryeqytetit, Shtëpinë muze për Artistë, ta kemi një objekt për krijues të gjeneratave të ndryshme klub të artistëve, e jo objekte të improvizuara siç i kemi tani disa prej tyre. Ministria e Kulturës është duke punuar në këtë drejtim për disa nga këto. Dhe definitivisht të shkëputet njëherë e përgjithmonë kultura nga ndikimi i politikës.

Cilat janë planet tuaja për këtë vit, ku do të jeni e fokusuar më tepër?

– Këtë vit jam e përqendruar në projektin Shtëpi Muze të Artistëve Kosovar të  përgjithshëm, jo vetëm të arteve figurative dhe aplikative të cilin e kam lajmërua përmes mediave të shkruara dhe elektronike nga viti 2007. Do provoj ta gjej mënyrën nëse mundem për realizim. Mendoj se ky projekt është dokument kulturor ma i nevojshmi për këtë shtet sa nuk na janë zhduk materialet. Është i menduar të jetë virtual dhe fizik. Kam edhe plane tjera për ekspozita, por çka është ma e rëndësishmja po punoj në studio ma shumë se kurrë ma parë.

ObserverKult

______________________

Lexo edhe:

SHENGYL ISMAILI: ARTI YNË KA TREGU SE KU ASHT KOSOVA…