Zana Çela i përgjigjet Inva Mulës: Akuza më e rëndë për t’u përtypur! E thirrëm disa herë, na injoroi

Zana Çela i përgjigjet Inva Mulës pas akuzave që i bëri kjo e fundit…

Mbrëmja gala e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, tashmë i rikonstruktuar, përtej anës artistike, u shoqërua me shumë akuza dhe kundërakuza, kjo për shkak të një deklarate të sopranos Inva Mula.

Kjo e fundit ka pretenduar se nuk ka pasur një ftesë për të performuar në këtë skenë. Madje as si spektatore, por për drejtoreshën Zana Çela kjo nuk është aspak e vërtetë. Duke theksuar se kjo akuza ka qenë më e vështira për ta përtypur.

Çela shkruan se i kanë dërguar ftesa, por si përgjigje kanë marrë heshtjen.

“TKOBAP jo vetëm ka ftuar Znj. Mula për të performuar në këtë event, por ka thyer edhe protokollin moral të dinjtetit tonë kombëtar. Duke e përsëritur ftesën në drejtim të saj disa here pa marrë asnjë përgjigje”.

“Znj. Mula është ftuar dhe mbajtur në dijeni të modifikimit të datave të inaugurimit për shkak të forcave madhore si tërmeti dhe pandemia. Si në mënyrë zyrtare ashtu edhe shoqërore deri në përcaktimin e datave përfundimtare, por nuk dha kurrë një përgjigje”. 

“Ofendimi personal nga arroganca e mospërgjigjes është kaq i vogël dhe i parëndësishëm. Ashtu siç është edhe pretendimi absurd pas shfaqjes për mosftesë. Ajo që vret është cenimi i dinjitetit të këtij institucioni nga mospërgjigja si injorim i kësaj ftese”, shkruan Zana Çela në reagimin e saj në Facebook.

Lidhur me akuzën se TKOB-ja s’bëri homazhe për prindërit e saj, Nina dhe Avni Mulën, Çela tha se ai dokumentar kishte të bënte vetëm me rikostruksionin e godinës dhe jo historisë së institucionit.

“Kryefjala e këtij mini-dokumentari ishte metamorfoza e këtij shndërrimi historik, jetësor për brezat aktual e ato që do të vijnë. Që në hyrje të tij, ky dokumentar shprehte se nuk merrte përsipër të bënte historinë 65-vjeçare të TKOBAP por fokusohej vetëm tek rikonstruksioni”, përfundon Çela.

Reagimi i plotë në Facebook

LEXO EDHE: Inva Mula revoltohet: Nuk mund të jem spektatore