Filmi “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit, dhe ai “Exil”, nën regji të Visar Morinës, janë në mesin e 21 filmave që plotësojnë panoramën e filmave më të mirë në skenën ndërkombëtare. Kështu janë cilësuar nga kuratorët e kategorisë “Widescreen” të festivalit ndërkombëtar të filmit në Zelandë të Re, “Whānau Mārama”.
Imazhi i kinematografisë evropiane nuk është më i plotë pa regjisorët nga Kosova. Kështu po del të jetë për festivalin ndërkombëtar të filmit “Whānau Mārama” në Zelandë të Re, transmeton ‘koha.net’. Në kategorinë “Widescreen” të festivalit janë përfshirë edhe filmi “Exil” i regjisorit Visar Morina e “Zana” i regjisores Antoneta Kastrati. Regjisorja nga Peja, e cila jeton në ShBA, në këtë festival, me filmin e saj hyn edhe në kategorinë “Voices of Women in Film”, që sjell perspektivën e regjisoreve evropiane në botën e filmit. Edicioni i sivjetmë i “Whānau Mārama” nis më 24 korrik dhe përfundon më 2 gusht. Festivali do të shtrihet në tetë qytete të Zelandës së Re, përfshirë Aucklandin, Wellington, Christchurch dhe Dunedin.