Në Shqipëri mungonte shkolla e filmit të animuar. Krijuesit zgjodhën rrugën e eksperimentimit si mjet për të rritur mjeshtërinë dhe pasuruar idetë me forma interesante. Kartoni u bë teknika e preferuar për regjisorët
Nga Artur Dauti – Regjisor/ Piktor
“Zana dhe Miri” njihet si filmi i parë i animuar shqiptar. Në vitin 1972, regjisori Mithat Fagu ka realizuar filmin e animuar “Lulëkuqja”, i pashfaqur. Në fillim të vitit 1975 u xhirua me konceptin e një filmi pjesa teatrale me kukulla, “Vajza me pata”, e regjisorit Esat Musliu. Rreth vitit 1974 lindi ideja e prodhimit të filmit të animuar edhe në Shqipëri.
Një vit më vonë, në dhjetor të vitit 1975, u realizua filmi “Zana dhe Miri”, mbas një specializimi disamujor në Rumani, të dy krijuesve, Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso. Ky vit njihet si data e lindjes së filmit të animuar në Shqipëri. Vlashi dhe Tomi njihen si pionierët e filmit të animuar. Më vonë, në studio erdhën Bujar Kapexhiu, Tonin Vuksani, Boris Ikonomi dhe shumë të tjerë, të cilët i dhanë emër dhe vlerë filmit të animuar kudo.
Vitet 1975 – 1996 janë vitet ku prodhimi i filmit të animuar u investua nga shteti. Krijues të talentuar erdhën nga Instituti i Lartë i Arteve dhe punuan si piktorë apo animatorë pranë regjisorëve, e më vonë, si autorë të pavarur. Nga realizimi i 3 – 5 filmave në vit, prodhimi do të shtohej në 12-16 filma, me një total prej 250 titujsh.
Në Shqipëri mungonte shkolla e filmit të animuar. Krijuesit zgjodhën rrugën e eksperimentimit si mjet për të rritur mjeshtërinë dhe pasuruar idetë me forma interesante. Kartoni u bë teknika e preferuar për regjisorët. Shumë filma, si “Pika e Ujit”, “Pipiruku”, “Dy gosti”, “Festa e pranverës”, “Kau dhe ujku”, “Stop Kundravajtje”, “Bredhi midis nesh”, “Busti”, “Nevoja të ndihmon”, “Dimri dhe fëmijët”, “Ditë korrjesh”, “Krimbi”, “Abetarja dhe zogjtë e Oltës”, “Kush e meriton”, “Gjëra që nuk ndryshojnë” etj., u realizuan me këtë teknikë dhe u pëlqyen nga publiku.
Bujar Kapexhiu do të provonte teknikën e celofanit në filmin “Shkaravinat”, teknikë që e vazhdoi Vlash Droboniku, Robert Qafzezi, Esperanca Konomi, Boris Ikonomi, Artur Dauti, Gëzim Qendro, Artan Maku, Mithat Fagu, Sokol Xhahysa etj. Regjisori Vlash Droboniku do të eksperimentonte në teknikën e kuadrove të kombinuara në filmin “Lufta për jetën”, 1981 dhe filmin me kukulla te seritë e Pushverdhit. Boris Ikonomi dhe Artur Dauti punuan me një zhanër të vështirë, legjendën tek “Ilira” dhe “Zëri i gjakut, zëri i tokës”, Esperanca Konomi tek “Omeri i ri”, të cilët mbeten filma me vlera të arrira eksperimentale, falë punës krijuese të operatorëve Vangjush Valla dhe Tomi Vaso.
Filmi me kukulla u vazhdua dhe u pasurua nga krijues të tjerë, si Boris Ikonomi, Shaqir Veseli në filmin “Merimanga dhe brumbulli”, Jani Zhonga në filmin “Lodrat dhe Miri”, Artur Muharremi e Vlash Droboniku në filmin “Kërpudha”, si dhe Gjin Varfi me Telman Morinën dhe Artur Dautin, të cilët e vazhduan dhe e pasuruan këtë teknikë.
Nga mesi i viteve ‘80 në studio vizionohen disa filma të animuar, fitues në festivalin e Ansisë (Annecy), Francë, filma në teknika të ndryshme dhe mjaft interesante. Ata i dhanë një hov punës së krijuesve të studios, sepse u bë si një shkollë e vogël për ta dhe ndikuan jo pak në krijimet e mëpasshme.
Vizatimi në letër do të tërhiqte regjisorin Gazmend Leka në filmin “Plumb ballit”. Kjo teknikë, e cila bëhet dominante, aplikohet nga krijues, si Artur Muharremi, Artan Maku, Artur Dauti, që sollën mjeshtërisht ndjeshmërinë e lapsit dhe pastelit mbi letër, duke realizuar filma të suksesshëm dhe pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare.
Plastelina. Dy krijues të rinj të talentuar, Stefan Taçi dhe Jani Zhonga, të dashuruar me plastikën dhe formën, realizuan filma me vlera artistike me këtë teknikë, si “Veza e rrallë“ 1988 dhe filma të tjerë në vite, teknikë që u vazhdua edhe nga Artan Maku etj.
Kjo periudhë prodhimi dhe eksperimentimi rriti nivelin cilësor të filmave, duke formuar veçantitë dhe tiparet individuale e stilistike për regjisorët dhe piktorët. Pjesë e pandashme e këtyre arritjeve është puna krijuese në përsosjen e mjeshtërisë së xhirimeve të operatorëve Tomi Vaso, si operatori i parë i filmit të animuar, Diana Diamanti, Beqir Vaqarri, Vangjush Valla, Faruk Basha, Jovan Kondakçi, Leonard Dorri, Sonja Mamaqi, Ened Tufa, Petrit Rexha, Spartak Papadhimitri etj.
Një tjetër atelier që ka përballuar këtë punë kolosale është grupi i piktorëve ekzekutues, të cilët, vizatim pas vizatimi, modelim pas modelimi të kukullave, prerje pas prerjeje të kartonëve e mijëra celofanëve me vizatime që duheshin ngjyrosur, duke u dhënë formë e ngjyrë personazheve të filmave. Vajza e djem të mrekullueshëm të palodhur, si Natasha Vodica, (si piktorja e parë) Elefteria Lepuri, Zamira Buxheli, Alma Devolli, Beti Kumi, Lejla Llazani, Bledar Gërcalliu, Diana Hoxha, Ana Arapi, Zana Thaçi, Halime Dinja, Andon Ikonomi, Mentor Muça, Fatmir Mevlani, Lindita Çapuni, Elda Pishtari, Milto Çarka, Thanas Shyti, Fatmir Mevlani, Mirela Polloshi, Bledar Tirana, Vehap Kokalari, Anila Alibali e të tjerë që erdhën më pas.
Filmi, si të gjitha artet, kishte drejtimin dhe orientimin e kohës, por skenaristët dhe redaktorët kanë ditur ta kalojnë edhe këtë. Skenarët diskutoheshin në këshillin artistik që drejtohej nga regjisori z. Kristaq Dhamo dhe me redaktorë, skenaristë të afirmuar si, Luan Rama, Gazmend Leka, Vllasova Musta, Stavri Pone, Adelina Balashi, Gjikë Kurtiqi etj.
Skenarët dhe subjektet e filmit të animuar, apo bazuar në vepra të shkruara, kanë emrat më në zë të letërsisë shqiptare. Filmat e parë ishin për fëmijë, por më vonë realizuesit kërkuan të trajtoheshin edhe filma për të rritur. Tematikat ishin nga tema e ditës te përrallat, fabulat e legjendat. Ka edhe filma që trajtojnë tema më të përgjithshme e universale.
Shumë krijues të arteve pamore debutuan me sukses në këtë gjini, si Suzana Varvarica, Josif Dobroniku, Niko Anagnosti, Xhovalin Delia, Bujar Erebara, Shaqir Veseli, Blerta Xhomo, Ergys dhe Ardit Faja, Agron Mesi, Ardian Kokona, Telman Morina, Albert Malltezi, Rikarda Nova, Teuta Dudi, Bertrand Shijaku, Elton Vogli, Megi Karaj etj., një pjesë e të cilëve vazhdon të kontribuojë edhe sot.
Filmi i animuar shqiptar pati tentativa dhe arritje edhe në filmat me seri. Ato filluan me filmat “Zogu pushbardhë” i Vlash Drobonikut, “Pipiruku” i Bujar Kapexhiut e Gëzim Qendros, “Jo kështu Piku” i Artan Makut, dhe “Robinsoni” i Sokol Xhahysës.
Në historinë e animacionit shqiptar, pjesë e suksesit janë kompozitorët. Emra si, Limoz Dizdari, Robert Radoja, Aleksandër Lalo (Pipiruku), Çesk Zadeja, Aleksandër Peçi, Ferdinad Deda, Gjon Simoni, Diana Demi, Maksim Shehu, Gazmend Mullahi, Jani Papadhimitri, Fatos Qerimaj, dhe shumë të tjerë.
Regjisorët e montazhit, operatorët e zërit dhe formuluesit e muzikës i dhanë vlera të veçanta filmit të animuar. Emra si Elsa Bushati, filmi i parë, “Zana dhe Miri”, Atalanta Pasko, Mimoza Nano, Nazmie Gazheli, Neriman Furrxhi, Elda Xholi, Zhaneta Kosturi, Peri Mato, Shpresa Papapavllo, Marika Vila, Nina Andoni, Mira Meçule, Majlinda Bërxolli, Manushaqe Halili, Gëzim Sula, Spiro Konduri, Fahri Jukniu, Koço Tollko, Vangjel Leka, Flora Uka, Abdulla Osmanlliu, Luiza Osmanlliu, Niko Shallo, Skënder Jonuzi, Leonard Abazi etj.
Që në fillesat e tij filmi i animuar pati vlerësime me çmime në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare, në Ballkan e Evropë dhe më gjerë, kudo ku ai është shfaqur.
Krijimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë do të sillte lindjen e shoqërive private të filmit, producentin. Këto shoqëri mblodhën rreth vetes krijues të talentuar dhe u hapën rrugën realizimeve serioze në pak vite.
Teknologjia e përparuar, ndonëse si prirje është individuale, është një tjetër element në shërbim të cilësisë. Të rinj të talentuar kanë realizuar filma të animuar me programe digjitale 3D dhe 2D, si Genc Buxheli, Klejdi Eski, Elton Vogli e ndonjë tjetër, të cilët do t’i konsideroja si pjesë e filmit të animuar shqiptar, pararendës të teknologjisë bashkëkohore edhe në Shqipëri. /fjala