“Zana” me rrëfimin nga Kosova edhe në Kinë

Programi jogarues i “Shanghai International Film Festival” bën bashkë filmat që në festivalet e tjera kanë qenë në vëmendje të publikut, por edhe të njohësve të kinematografisë. Është një program i cili ofron një pamje të kinematografisë përtej titujve fitues në festivale prestigjioze, si Festivali i Filmit në Cannes, ai në Berlin apo në Venecia.

Këtë vit pasqyra e kinematografisë botërore për këtë festival që është i dyti më i madh në Azi plotësohet me filmin “Zana” të regjisores kosovare Antoneta Kastrati. Drama ku personazhet përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji, është në mesin e filmave jashtë gare që shpalos ky festivali i kategorisë A në programin, “Belt and Road Film Week”, transmeton ‘koha.net’.

Edicioni i 23-të i “Shanghai International Film Festival” është vendosur të mbahet prej 25 korrikut deri më 7 gusht, gati një muaj pas datave që ishin përcaktuar fillimisht. Ishte shtyrë për shkak të pandemisë me koronavirusin.

Këtë vit, krahas programit në kinema, do të shfaqen filma edhe në platformën online. “Zana” do të ketë tri shfaqje në Shanghai, qytetin më të madh kinez me 24,2 milionë banorë. Është në programin e tri kinemave – më 27, 29, 31 korrik – por sallat nuk lejohet të jenë të mbushura plot. Për Festival do të shfrytëzohen vetëm 30 për qind i kapacitetit që kanë hapësirat. Në Kinë, prej 20 korrikut është lejuar hapja e kinemave dhe teatrove.