“Zani jem” i Fitim Majkovcit, në duar të lexuesve

zani jem fitim majkovci

Shtëpia Botuese Littera ka botuar librin e parë me poezi të autorit të ri Fitim Majkovci “Zani jem”.

Shtëpia Botuese Littera ka filluar me projektin përkrahës të talentëve të rinj në botimin e librave të tyre të parë. “Zani jem” i autorit Fitim Majkovci nis këtë kolanë të re të
Littera-s.

Për librin:

Lumnije Morina: Megjithëqë, Fitim Majkovci është një poet i ri, poezia e tij na paraqitet mjaft e konsoliduar dhe e pjekur artistikisht. Duket se poeti ka një afinitet të të shprehurit përmes poezisë, duke përdorur mënyrën e drejtpërdrejt të të shprehurit të
mendimit dhe mesazhit të tij poetik. Ai është konstant në mesazhet e tij, të cilat përpiqet t’i përçojë te lexuesi, pasi në poezitë e tij tenton të ketë patjetër një mesazh,
e të mos kufizohet vetëm në shprehje të ndjenjave…
Në poezinë e Fitim Majkovcit vërejmë një thirrje për dashurinë, për dashurinë ndaj vetes dhe të tjerëve, e po ashtu ndaj jetës. Edhe kur rrethi ynë ose bota jashtë është mbushur me të këqija, ai kërkon që dashuria t’i mundë ato. Fitimi ka një stil unik të të shkruarit, i cili na vjen shumë origjinal me libër që na dhuron sot.

Arbër Selmani: Ka shumë dashni në poezinë e Fitimit. Dashni plot, në pjatën e madhe të sallatës ku e gjej të dukshme edhe vetminë, edhe mërzinë, edhe revoltën e duarve që e kanë shkruar këtë libër. E ndjej edhe trishtimin, se dashnia është kanga rezervë e vrerosjes, i rrin aty afër por del në pah rrallë, sa rrallë, e gëzueshme.
Dashninë, Fitimi e vendosë në disa telenovela jete e përmes së cilave e lejon të shpërthejë fuqishëm. Ai është fragjil dhe në këtë libër herë më vjen si një grua, herë si
një burrë, e herë si një ndërtim që po e zëmë nuk ka etiketë gjinie, as seksi. Unë i dua poezitë e dashnisë, kuptohet – ato që nuk janë patetike dhe Fitimi ka plot prej tyre. Se dashninë mundesh me e sitë edhe keq. Se në poezi, dashninë ose e dhunon, ose e mbretëron…

Libri tashmë gjendet në librari e po ashtu mund ta porosisni edhe te Shtëpia Botuese Littera dhe Portali për Kulturë, Letërsi dhe Art ObserverKult.

ObserverKult

LITTERA SJELL PËR LEXUESIT LIBRIN “NË FUND TË VERËS” TË ENVER VISOKËS