Zbardhen dokumentet e “kohës së Enverit”, gjoba që paguanin beqarët pse nuk ishin të martuar

Enver
Enver Hoxha

Me një dekret që mban datën 9 shkurt të vitit 1951, qeveria komuniste e asaj kohe kishte vendosur tatim mbi beqarët. Nuk ishte pak, por niste nga 3% e të ardhurave mujore. Nga dokumentet e publikuara së fundmi nga Arkivi Qendror Shtetëror, të detyruar për të paguar taksa në bazë të këtij vendimi ishin të gjithë beqarët, personat e ve pa fëmijë dhe të shkurorëzuarit pa fëmijë. Taksa fillonte nga mosha 20-vjeçare si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.

“Mbi propozimin e qeverisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxjerr këtë dekret. Më datë 9 Shkurt 1951 mbi tatimin e beqarëve.

Neni 1

Të gjithë shtetasit beqarë, të vejët pa fëmijë dhe të çkurorëzuarit pa fëmijë detyrohen të paguajnë tatim sipas dispozitave të këtij dekreti.

Neni 2.

Tatimi mbi beqarët, të vejët pa fëmijë dhe të çkurorëzuarit pa fëmijë merret nga personat me moshë lart nga 20 vjeç deri 50 vjeç për meshkuj dhe lart nga 20 vjeç deri 40 për femrat.

Tatimi fillon të paguhet nga 1 Janari pas vitit që pagëdhënësit kanë mbushur 20 vjetët dhe pushon në mbarim të vitit kalendar në të cilin burrat mbushin 50 vjetet dhe gratë 40 vjetët”, thuhet në dokument.

Zbardhen dokumentet e “kohës së Enverit”, gjoba që paguanin beqarët pse nuk ishin të martuar

Vendimi parashikonte ndarjen në disa kategori të personave që e paguajnë taksën. Tarifa llogaritej 3% për punëtorët dhe nëpunësit mbi të ardhurat mujore. Për tregtarët, zejtarët dhe profesionistët llogaritej 4% mbi të ardhurat vjetore. Fshatarët mjaftonin të paguanin 600 lekë në vit, ndërsa personat e tjerë 200 lekë në vit.

“Neni 6

Tatimi i beqarëve, të vejëve pa fëmijë dhe të çkurorëzuarve pa fëmijë llogaritet sipas tarifave që vijojnë:

Për gjithë punëtorët dhe nëpunësit, 3% mbi t’ardhurat e tyre mujore.

Për tregtarët, zejtarët dhe profesionistët, 4% mbi t’ardhurat vjetore.

Për fshatarët që paguajnë tatimin mbi ekonominë bujqësore dhe antarët e kooperativave bujqësore, 600 lekë në vit.

Për personat e tjerë 200 lekë në vit”.

Ky dekret kishte edhe përjashtimet e veta nga tatimi. Ushtarët, nënoficerët, nxënësit, invalidët, klerikët fetarë, gratë e veja etj., ndaloheshin që të paguanin taksë për beqarinë.

“Përjashtimet nga pagimi i tatimit:

Neni 5

Përjashtohen nga pagimi i tatimit:

a)Ushtarët dhe nën-oficerët për kohën që ndodhen nën armë.

b) Nxënësit e shkollave të mesme dhe të larta deri në moshën 25 vjeç dhe ata që nga rrethana të luftës kanë një moshë më të madhe deri në mbarimin e studimeve.

c)Invalidët e luftës, të punës dhe natyrale të paaftë për punë.

ç) Punëtorët dhe nëpunësit me t’ardhura mujore jo më tepër se 1200 lekë.

d) Pagëdhënësit dhe pjestarë e familjeve t’ekonomive bujqësore t’ardhurat e të cilëve nuk kalojnë 10.000 lekë në vit.

dh) klerikët të cilët sipas rregullave fetare të tyre, nuk martohen.

e) Personat që për arsye shëndetësore iu ndalohet martesa për kohën që vazhdon ky ndalim.

ë) Gratë e veja”.

Për punëtorët e nëpunësit e administratave shtetërore, organizatat ekonomike, shoqërore e politike dhe për punëtorët e nëpunësit privatë tatimi llogaritej prej punëdhënësit në bazë të rrogës për muajin e kaluar dhe ndalohej nga rroga e pesëmbëdhjetë ditorit të parë të muajit pasardhës. Për tregtarët, tatimi llogaritej mbi të ardhurat në fund të vitit. Ata mund ta bënin pagesën në 4 këste, më 1 Prill, më 1 Korrik, më 1 Gusht dhe më 1 Dhjetor.

Nëse nuk paguheshin si dhe kur duhet kishte ndëshkime.

“Për emëtimin e ndalesës ose për ndalesa tatimesh jo të rregullta të punëtorëve dhe nëpunësve beqarë, të vejëve pa fëmijë dhe të çkurorëzuarve pa fëmijë si dhe për mos-derdhjen në kohë në bankën e shtetit të shumave të ndaluara, personat përgjegjës dënohen me gjobë deri më 1 mijë lekë. Dënimi me gjobë jepet me vendim të përgjegjësit të seksionit financiar ranë komitetit ekzekutiv të rrethit ose qytetit dhe nxirret me ndalesë nga rroga. Nëse tatimi nuk paguhet brenda afateve të caktuara veprohet në bazë të dispozitave të ligjit mbi nxjerrjen e t’ardhurave shtetërore. Qytetarët mund të kundërshtonin mbi tatimin e beqarëve brenda 30 ditëve. Ato shqyrtoheshin nga përgjegjësi i seksjonit financiar dhe vendimi përkatës i komunikohet pagëdhënësit me shkrim”.

Ministria e Financave ishte ngarkuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor që të jepte udhëzime mbi zbatimin e këtij dekreti./javanews.al

—————————————————

Lexo edhe:

VIDEO E PANJOHUR: SI E URONTE ENVER HOXHA VITIN E RI